Presidenti n’Komitet…

Prishtinë | 07 Nën 2019 | 09:43 | Nga Esad Dujaka

Sot, derisa kaloja qendrës së Prishtinës, kryeqytetit të shtetit tim, aty ku dikur bënim shëtinë e mbrëmjes kur ishim më të rinj, befas para godinës së Ministrisë së Kulturës një truq njerëzish, gra e burra! Ishin këta punëtorët e kësaj ministrie që kishin dalë, edhe sot, për të satën herë në këtë vjeshtë, për të protestuar se me moton ” se godinën e Ministrisë nuk e japim dhe nuk e japim”!

Kjo flitej e përflitej ka sa kohë herët se si kismet Presidenca e Kosovës do të kalojë së shpejti në këtë godinë, e cila disa herë deri më tani u lye dhe u ngjye nga jasht dhe kur menduam se u krye kjo punë, plasi muhabeti tjetër se Presidenca e me te edhe Qeveria do të kalojnë diku në Hajvali, afër rezidencës së një biznesmeni të njohur, S’po e zgjas tani e t’iu mërzis se kush çka ka thënë, e sa do të kushtonin këto ndërtime, por dorën në zemër unë si qytetar i këtij vendi e kisha tumirë këtë propozim që këto institucione shtetërore të ishin transferuar diku në periferi të Prishtinës, siç u veprua me disa sektore të jurisprudencës , me përjashtim të Ministrisë së Drejtësisë, e cila nuk e lëshon bre dhe nuk e lëshon godinën e dikurshme të Pallatit të Shtypit “Rilindjea”, për të cilën më lidhin kujtime të mira por edhe aso të liga…Nejse, mos ta zgjas tani me këtë “Rilindje”, që tani nga qarqe të ndryshme madje akuzohet si “gazetë titoiste, komuniste” e çka mos tjetër por jo edhe kombëtare!

Kur jemi te komunizmi atëherë se ç’mu kujtua kjo godina e Ministrisë që tash ka një akronim që s’dihet si të shqiptohet si duhet, e kjo s’ka edhe aq rëndësi, dikur na ishte në shërbim të Komitetit Krahinor të LKK. Asgjë e jashtëzakonshme, normale, por gjërat s’po më lidhen bre aq mirë…

Më ndihmoni: Sikur të ishit ju president a do të pranonit ta zhvendosni Presidencën e shtetit tuaj pikërisht në atë godinë ku lidhen edhe ngjarje të hidhura për këtë vend e për këtë popull?
Disi jo fort e livdueshme – dikur Komitetit e tash aty Presidenti, dhe Presidenca…Ku do ta gjejmë nesër Presidentin tonë? Në Komitet! Më falni, në ish-godinën e ish-Komitetit!

Kohërat po ndërrojnë e me te edhe njerëzit, Presidenca në Komitet apo Komiteti në Presidencë? Vështirë t’i bie njeriu në fije kësaj punePse nuk e ndjek Kosova shembullin e vendeve të civilizuara, ku pushtetarët nuk e dominojnë zemrën e kryeqyteteve? Nëse e kam gabim – ju kërkojë ndjesë dhe ne mbesim miq… (Bota Sot)

Të ngjashme