Presidentja i qepoi vetes!

Prishtinë | 09 Shk 2022 | 19:44 | Nga Kimete Berisha
  • Saktë.
    Çka i bën vetes nuk ta bën askush!

Kurrë, asnjë gazetar nuk ka ditur të shkruaj kundër Presidentes, më rëndë dhe më vrazhdtë se sa që Presidentja ke vepruar kundër vetvetes, duke i marrë 4,000 euro për karburante.

  • Gazetari mund të jetë mëkatar, por edhe mëkatari mund ta thotë të vërtetën.

Sidomos kur e vërteta është e tmerrshme.
E vërtetë është se Presidentja i ka shpenzuar 4 mijë Euro për karburante, e kush e thotë këtë të vërtetë nuk është me rëndësi.

  • Për herë të parë pas luftës, reagoi BE në mbrojtje të gazetarëve shqiptarë, që në mënyrë barbare po i kërcënon burri i Presidentes.

Ankesa e vetme e burrit të Presidentes është:
‘Pse ju e tregoni të vërtetën që Presidentja juaj i ka shpenzuar 4,000 euro karburante.
Keni vjedhje më të mëdha për t’u marrë me to – po thotë ai.

Reagimi i burrit të Presidentes është mesjetar, primitiv, patriakal, dhe për fatin e tij të keq, nuk i tutet kush.

Nevojën e tij që të jetë ‘burrë’ Kosova nuk ia plotëson dot.

Çfarë ‘burri’ je ti që e fshin postimin?
Eshtë sikur e ‘vret’ dikë dhe pastaj i fshin gjurmët.

Mund të pendohesh, por pendimi pasohet me kërkimfalje.

Kush je ti që kërcënon!
Je aq ‘i rrezikshëm’ sa as Drejtësia nuk të merr seriozisht!

  • Puna rrezik.
    Unë e shoh përçarjen e parë mes Kryeministrit dhe Presidentes.
  • Glauk Konjufca (nëpërmjet shefit të kabinetit të tij)
    e bëri çështje punën e karburanteve që kanë shpenzuar deputetët?
    Pse?

Çfarë deshën të arrijnë?
Aty në atë Kuvend, nuk është asnjë ‘esnaf’ i politikës,
janë shumë gra dhe burra që nuk dinë të shkruajnë shqip dhe në jetën e tyre s’kanë lexuar libër;
janë disa gra e disa burra që e kanë blerë mandatin e deputetit;
shumica janë si uji që nuk ecën, të lodhur dhe të konsumuar nga politika.

Kë goditën pra?
Kujt ia ndalën rritën?
Çka deshën të zbulojnë?
Kujt deshën t’ia zbulojnë keqpërdorimet?

  • Vetëvendosja e ‘sakrifikuan’ një deputete të veten (arriviste), për t’i zbuluar shpenzimet e kujt?

Të PDK-së?
Tê LDK-së?

LDK e PDK e dikurshme nuk na befasojnë për të keq. Opozita e sotme mund të na befasojë vetëm për të mirë!

E kujt pra i qepoi Glauk Konjufca, duke i zbuluar (përmes shefit të kabinetit të tij) shpenzimet dhe hajnitë e deputetëve?

I qepoi Presidentes.
Të tjerët nuk i bën hesap për njerëz.

Keqpërdorimet e Presidentes janë lajm, keqpërdorimet e të tjerëve – nënkuptohen, edhe pa asnjë fakt.

  • Kollçaku, shembull, është aq naive sa që pa e pyetur tregon vet, thotë unë jam ‘deputete e autobusit’.
    Ani pse moj vojvode i more gjithë ato pare për karburante kur ke udhëtuar me autobus?…
    A t’ka ndodh najherë me knu n’autobus!
  • Pra, asnjëri deputet i përfolur për keqpërdorim nuk është simpatik që të bëhet antipatik.
    Nuk është duke lulëzuar, që të venitet.
    Nuk është i madh që të ‘zvogëlohet’!

Asnjëri prej këtyre që kanë keqpërdorur nuk është aq i respektuar sa të zhgënjehemi me të!

Përkundrazi.

  • Vetëvendosja, pasi u sigurua se njerëzit e saj kryesor nuk kanë shpenzuar karburante, vendosi t’i qepojë Presidentes.

Nuk e zbuluan mediat se sa derivate ka harxhuar Presidentja.
As nuk ka qenë ideja e mediave.
Ka qenë ideja e Glauk Konjufcës që të zbulohen llaskuçat.

Pse ndodhi ky zemërim i papritur?
Çfarë e motivoi hakmarrjen e Vetëvendosjes ndaj Presidentes?

Çfarë i frymëzoi ta turpërojnë Presidenten, e cila nuk ka kapital tjetër përveç që mburret, thotë ‘se si nuk vjedh’.

E sulmuan në të vetmin ‘kapital’ që thoshte se e kishte!

  • Është e pahijshme, kur je Presidente e popullit më të varfër në Evropë,
    e blen shtëpi në lagjen më luksoze, ku jetojnë milionerët.
    Është pa edukatë, të thuash se jeton në Prishtinë e të paguhesh sikur udhëton në Mitrovicë.

Presidentja është dashur të më pyes mua:
të pavarësohet nga Vetëvendosja, pa u hetuar.

Sepse, kur ‘ata’ ndjehen se dikush tjetër (në këtë rast Presidentja) po u del nga kontrolli, t’i zbulojnë ‘sekretet’ publike.

  • E shihni tash çka i ndodhi Presidentes, as ZRRE nuk e mori parasysh!
  • Për neve popullin, ky është lajm i mirë.

Prishja e Presidentes me Kryeministrin, e bashkon popullin.
Ne shqiptarët funksionojmë më mirë kur jemi të prishur mes vete.

Pasi Presidentes i doli duçi, Kryeministri e kthen epërsinë e madhe, sepse nuk e ka asnjë skandal korrupsioni personalisht.

  • Por as kjo nuk mjafton, nëse kryeministri nuk e pastron bërllogun e vet, do të thotë: e legjitimon krimin.
    Njerëzit e Albin Kurtit nuk guxojnë as të jenë të dyshimtë, lëre më fajtorë, siç u zbuluan!

P.S. Ky Kuvend nuk ka moral të ekzistojë më.
Presidentja ish dashur të dorëhiqej.
Për gjynah. Sa lirë ka kushtuar turpërimi i saj.

Duket se çdo gjë është kaq keq.
Dhe se s’ka mbetur njeri normal në këtë vend.

Unë sa herë mërzitem – e harroj Zotin!
Dhe sa herë dorëzohem – Zoti nuk më lë!

Dje, sherri i Presidentes, disa gazetarë u përjashtuan nga puna ‘për një fjalë goje, thjesht për humor’, e sot Presidentja përjëmend u turpërua, e qepoi kush nuk e priti: Vetvetja.

Të ngjashme