Pritjet e qytetarëve si opozitë e Kurtit

Prishtinë | 11 Mar 2021 | 19:34 | Nga Adil Behramaj

Fitorja e SYRIZA-s, partisë së majtë radikale simotër të Vetëvendosjes, ishte historike për grekët në vitin 2015-të. Ajo i dha fund qeverisjes së gjatë të dy partive në Greqi. SYRIZA, deri atëherë një parti e vogël, arriti të bëhej zëri i grekëve që nuk i përballonin dot masat shtrënguese evropiane dhe t’i frymëzonte ata, duke marrë shumicën e votave.

Ishte hera e parë në historinë greke që një parti e së majtës radikale erdhi në pushtet.

Sikurse populli ynë, njëjtë edhe grekët prireshin kah populizmi dhe kjo ishte një prej arsyeve që çoi në ndryshimin drastik të mjedisit politik. Shoqëria greke ndjehej e ndëshkuar padrejtësisht nga kreditorët

evropianë, sidomos nga Gjermania. Njëjtë siç ndjehet edhe shoqëria kosovare, e cila vazhdon të mbetet më e mashtruara dhe më e izoluara në Ballkanin Perëndimor.

Si modeli i tij grek, Alexis Tsipras, që kishte sjellje të ngjashme radikale opozitare, me retorika mikse populiste edhe Albin Kurti arriti të bëhej zëri i të pakënaqurve në Kosovë.

Zgjedhjet e 14 shkurtit ishin të qarta për të gjithë: Lëvizja Vetëvendosje e gëzon momentumin politik!

Fitorja e saj i dha fund njëherësh edhe ciklit të poshtër të bllokadave politike, pjesë e të cilave ishte edhe vetë Lëvizja Vetëvendosje, që nga viti 2014-të. Për herë të parë pritet të mos ketë vonesa në krijimin e institucioneve të reja, veçanërisht zgjedhjes problematike të presidentit, duke shpresuar në kulturën institucionale të opozitës së re.

Sa do ta gëzojë Lëvizja Vetëvendosje këtë momentum politik dhe sa gjatë do të dominojë në skenën politike, varet shumë nga puna e saj dhe nga angazhimi i opozitës së re. Por, kështu siç është, opozita aktuale do të jetë një kafshatë e lehtë për Kurtin. Ai më i rrezikuar është nga vetvetja, nga mungesa e përvojës institucionale, bindjet dhe ngarkesa e tij ideologjike e politike, se nga kjo opozitë.

Kur grekët votuan për Tsipras, ata nuk prisnin që ai t’i mbante të gjitha premtimet, por zgjodhën t’ia jepnin një shans atij. As kosovarët nuk presin që Kurti t’i mbajë të gjitha premtimet, por zgjodhën t’ia jepnin shansin.

Në anën tjetër, ky është një shans edhe për partitë opozitare, por për të reflektuar, riorganizuar dhe reformuar.

Zgjedhjet rezultuan të ishin nevralgjike për të gjitha subjektet tjera politike, të cilat nëse nuk reformohen shpejt mund të kolapsojnë dhe të mos arrijnë të ringrihen, duke imponuar kështu riorganizim të të rinjve dhe të pakënaqurve në ndonjë iniciativë të re politike.

Një shpresë e re, veçanërisht për LDK-në, mund të jetë edhe Lumir Abdixhiku me kandidaturën e tij. Zgjedhja e tij në krye të LDK-së, përveç që mund ta ndryshojë trendin e rënies, do të ishte një presion pozitiv edhe për PDK-në, e cila gjithsesi që duhet të reformohet për të qenë më konkurruese në zgjedhjet e radhës.

Me këto kompozime politike, siç aktualisht janë këto parti tradicionale, nuk do të mund t’i ruajnë dhe mirëmbajnë as pozicionet aktuale. Shumë figura të tyre, që politikës i marrin me dekada pa i dhënë asgjë, nëse sadopak ua duan të mirën partive të tyre është koha të lëshojnë rrugë.

Fatmirësisht, kontrastet politike kanë rënë dhe elektorati politik tashmë është shumë më i vetëdijshëm dhe më i lëvizshëm se asnjëherë më parë. Prandaj, sot, përtej taborëve politikë, duhet të vlerësohet kushdo që punon dhe i shtynë përpara proceset shtetërore e shoqërore.

Personalisht, jam shumë skeptik në rezultatet që mund të ketë qeveria e re. E joshur nga privilegjet dhe mundësitë e pushtetit, deri sa të futet në ciklin e degjenerimit publik, pres vetëm ndonjë spektakël politik dhe kapje masive të institucioneve publike prej saj. Por, dëshirë e çdo qytetari të përgjegjshëm është që qeveria e vendit të ketë suksese, sepse të arriturat e saj janë edhe suksese të shtetit. Megjithatë, nisur nga fakti që Kurti si majtist është ndër të rrallët në botë që deri para disa muajsh i preferonte vetëm trotuaret dhe transportin publik, kurse tash po i preferon xhipat e zi dhe eskortën, sigurisht se lë shumë për të dëshiruar.

Kur partitë i marrin përgjigjet e qytetarëve nga kutitë e votimit, ato duhet të dinë t’i lexojnë e kuptojnë. Prandaj, rezultatet e tashme zgjedhore e kanë ndryshuar tërësisht edhe kursin e politikës, brenda dhe jashtë. Këto rezultate, po ashtu, me kokëfortësi kërkojnë gjenerata dhe vlera të reja në tregun politik.

Është e natyrshme që para zgjedhjeve ka fjalime elektorale. Por, pas tyre ka vetëm realitete shoqërore. Realiteti i ri i dalë nga zgjedhjet e 14 shkurtit kërkon një kurs të ndryshëm prej qeverive paraardhëse. Dialogu, i cili ishte temë këto ditë, nuk meriton të jetë as prioritet i katërt, as i shtatë. Madje, as i njëzet. Por, qeverisë do i duhet të merret me çdo çështje të hapur, pa e pasur komoditetin e zgjedhjes së tyre. As qeveritë e kaluara nuk do të merreshin me dialogun, sikur ta kishin komoditetin e zgjedhjes, por ky proces ka qenë i imponuar dhe do t’i imponohet edhe qeverisë së re.

Po të pyetej Kurti, ai me kënaqësi ende do të peshkonte elektorat dhe do të merrej me populizëm, por ndonëse nuk po duket aspak i lumtur si fitues, tani i duhet të merret me problemet e përditshme të qytetarëve dhe me zbatimin e programit qeverisës, të cilin ende nuk e ka.

Kurti është zgjedhur që ta drejtojë vendin në këtë periudhë kohore, por i mbetet atij të vendosë nëse do të jetë kryeministër apo kalimtar i radhës nëpër qeveri. Me një kabinet plot narcisistë, sikurse ai i kaluari, që më shumë shpërfaqnin injorancë të kombinuar me vetëbesim, se përgjegjshmëri, maturi dhe profesionalizëm, sigurisht se vetëm kalimtar mund të jetë. Në këtë mënyrë, si ish-kryeministër, veç fotografia mund t’i mbetet si gjurmë në ndonjë cep të institucionit, jo më shumë.

“Të rriturit në dhomë” është filmi që dramatizon më së miri rastin e SYRIZA-s në Greqinë e fundosur prej borxheve. Pas ndërprerjes së bashkëpunimit me Trojkën, që ishin Komisioni Evropian, Banka Qendrore Evropiane dhe Fondi Monetar Ndërkombëtar, teksa kryeministri Alexis Tsipras lëvizë me veturë së bashku me ministrin e preferuar të grekëve, Yanis Varoufakis, në një sekuencë të filmit bëjnë një dialog shumë të bukur. Pasi u hidhet mbi veturë një turmë e grekëve të entuziazmuar, Yanis i thotë Tsiprasit: “Ata janë fuqia jonë”. Ndërsa, ai ia kthen: “Ata mund të na kthehen kundër nesër”. “Nëse ne i zhgënjejmë apo tradhtojmë ata”, vazhdon dialogun Yanis, i cili më pas merr kundërpërgjigjen e Tsiprasit: “Një ditë do të zhgënjehemi edhe ne”. Ministri Yanis Varoufakis, që në xhep mbante gjatë gjithë kohës letrën e dorëheqjes, plotësisht i bindur ia kthen: “Nuk ka për të ndodhur!”.

Pas 5 muaj e 12 ditë, Yanis i ishte kthyer gruas së tij në shtëpi si i dorëhequr. Ndërsa, lideri i SYRIZA-s, i humbi zgjedhjet pas katër vjet qeverisjeje.

Aktualisht, Albin Kurti e ka besimin e popullit. Përkohësisht, kaq edhe mund t’i mjaftojë atij. Por, për fatin e tij të keq, popullit nuk i mjafton. Populli kërkon vazhdimisht rezultate. Publikisht apo privatisht, çdo qytetar bën rekapitulime sa i është përmirësuar jeta me ndryshimet e bëra, duke nisur që nga votimi ndryshe i tij.

Si kryeministër i ri, ai tash duhet t’i braktisë lojërat e tij opozitare dhe të qeverisë si i rritur, duke shpenzuar më pak kohë në kërkimin e frazave për impresionimin e qytetarëve dhe më shumë për hartimin e programit dhe politikave publike, sepse as program qeverisës nuk ka.

Programi i tij ka vetëm emër e mbiemër: Albin Kurti. Prapa nuk i vjen historia, por problemet e qytetarëve dhe të shtetit Programi i tij ka vetëm emër e mbiemër: Albin Kurti. Prapa nuk i vjen historia, por problemet e qytetarëve dhe të shtetit të Kosovës. Ndërsa, aty ku pritjet janë të mëdha, i madh mund të bëhet edhe zhgënjimi!

(Autori ka qenë këshilltar politik i ish-presidentit Thaçi)

Fjalë Kryesore:

Të ngjashme