Pritna Serbi, bira e minit 300 groshë

Prishtinë | 17 Maj 2019 | 08:35 | Nga Liri Loshi

Deri tash kemi qenë të zënë me trimëritë tona dhe nuk kemi mundur të flisnim më shumë gjatë këtyre njëzet viteve për krimet dhe dhunimet serbe mbi popullin tonë. Tash e kemi më lehtë të flasim. Jemi pasuruar me paratë tuaja, o popull dyfish i dhunuar. Kemi bërë shtëpi të mira, makina të shtrënjta. Kemi marrë tituj të lartë nëpër universitete. Kemi zënë pozitat më të larta në shtet. Kemi bërë pasuri edhe për 100 vitet e ardhshme. Femijëjve tanë iu kemi dhënë shkolla, i kemi futur nëpër punë të mira. Disa nga ata janë bërë edhe depuetë e pushtetarë me votën tuaj! Kemi hapur biznese fiktive dhe paratë e djersës së juaj derdhen në kontot tona edhe kur ne flejmë, kur bëjmë pushime në Dubai, në Atlanta a në Florida…

Tash na kemi kohë të mjaftueshme për të folur për krimet serbe. Nuk po na bie hije e mirë hiç, na 60 mijë ushtarë e armiku të na i vrasë 15000 njerëz, të na i dhunojë 20 mijë gra, të na i djegë shtëpitë, të na i plaçkisë pasuritë… Shifrat flasin fort keq kundër nesh. Bash sikur të mos kishim qenë fare të gjallë e jo që kemi qenë, siç edhe kënga e thotë, trima me fletë! Por prapë, më mirë të flasim ne për krimet serbe mbi shqiptarë, se të flasin shqiptarët për krimet tona mbi Kosovën. Jo që do të flasim, por do t’i ndjekim dhe do t’i gjejmë kriminelët serbë ku janë e ku s’janë! Në gjumë do t’i kapim! Populli e di sa të fuqishëm e sa të tmerrshëm jemi ne. Sepse ashtu sikurse e ka provuar Serbinë në luftë, e ka provuar edhe fuqinë dhe poshtërsinë tonë në liri! Për njëzet vjet kemi bërë krejt çka kemi dashur dhe kush s’ka guxuar të na e prishë mësa ka guxuar t’ia prishë dikur Serbisë. Tash edhe ato pak fjalë që drejtoheshin kundër nesh, do të drejtohen kundër armikut të përbashkët, kundër Serbisë.

Populli le të rrijë rehat. Ne kujdesemi për të. Ai vetëm të ketë kujdes kujt po i jep votën. Se ne dimë edhe ndryshe. Në dimë prapë ta fusim popullin në luftë dhe prapë ta nxjerrim prej saj. Dasmë pa mish nuk ka. Merret nusja, hyn dhëndrri e harrohen të gjitha! Hë, popull, a po doni luftë? A po doni Serbi? A po doni Izbicë, Mejë, Reçak?!… Jo, jo jeni popull i mirë ju, i mirë dhe paqësor. Nuk e doni luftën! Nuk e doni dhunën! Por ta dini, se kush nuk është me ne është me ata. Dhe ata, të gjithë të tjerët pos nesh, janë me Serbi!

Na duhet vota juaj edhe për një dekadë të re. Kjo do të jetë dekada e pushtetit të bijve, bijave, nipërve dhe mbesave tona. Kosova është Kosovë, kurrë s’bëhet Serbi.

Hiç mos e keni merak, ne merremi me Serbinë! Bira e minit 300 grosh ka me u ba! Pritna Serbi!

Të ngjashme