“Profecia” e kobshme e një filmi

Prishtinë | 04 Mar 2022 | 21:49 | Nga Afrim Kasolli

Bota në përgjithësi dhe Evropa në veçanti ndodhet para një situate apokaliptike, nëse vazhdon sulmi i ushtrisë ruse në afërsi të termocentralit bërthamor në Zaporizhia të Ukrainës. Qytetarët e këtij shteti si dhe të gjithë kontinentit tonë, tashmë janë të tronditur dhe të tmerruar nga mundësia e një katastrofe të tillë. Në brendësi të këtij objekti u raportua se dje në orët e hershme të mëngjesit kishte shpërthyer një zjarr, si pasojë e luftimeve, që fatmirësisht ishte shuar. Mirëpo, kjo nuk do të thotë se ka kaluar rreziku.

Me anë të kësaj strategjie, Putini, po e terrorizon njerëzimin në përgjithësi. Sepse, siç dihet efektet e kontaminimit radioaktiv nuk njohin komb, shtet, fe, moshë apo gjini. Kudo që shtrihen rrezet e tij të veprimit, ato i godasin njëlloj pa dallim njerëzit, natyrën, kafshët, bimët, lumenjtë etj. Dhe nëse vazhdon kjo praktikë terroriste e shtetit rus, atëherë paralajmërimi i Putinit, për një katastrofë që nuk e keni parë ende në histori, ka gjasa të bëhet real.

Se çfarë mund të jenë pasojat e një shpërthimi të tillë mund të kuptohen shumë lehtë nga seriali filmik “Chernobyl”. Ky film që është prodhim i kompanisë HBO në bashkëpunim me kompaninë tjetër SKY, me regji të Johan Renck dhe skenar të Craig Mazin. Dhe si i tillë e pasqyron rrjedhën e kësaj ngjarje të kobshme. Një pjesë e mirë e filmit është përshtatur kryesisht nga libri “Voices from Chernobyl “ të gazetares hulumtuese nga Bjellorusia, Svetlana Alexievich, e cila edhe u nderua me çmimin Nobel për letërsi, për shkak të rolit të saj, për t’u dhënë zë viktimave të kësaj tragjedie.

Seria fillon më incizimin e dëshmive në kaseta, nga shkencëtari Valeri Legasov (Jared Harris), para se të bënte vetëvrasje, pas presioneve që i kishte përjetuar nga sigurimi i shtetëror i KGB-së. Ngase i pari në raportin final, mbi disa nga shkaqet e natës së lemerishme të 26 prillit të vitit 1986, kishte konstatuar edhe dështimin e Bashkimit Sovjetik, për të ofruar instrumentet adekuate për mirëmbajtjen e reaktorëve të tillë bërthamor. Përfundim ky, që nuk duhej të pranohej kurrë nga propaganda ideologjike e kohës, se gjoja ky shtet nuk ka kapacitete shkencore dhe ekspertizë adekuate, për të menaxhuar këtë formë të prodhimit të energjisë. Natyrisht, çasti fatal ishte edhe rezultat i keqmenaxhimit të punës nga stafi që ndodhej në ndërrimin e asaj nate të lemerishme.

Sipas rekomandimeve të mbikëqyrësit të këtij ndërrimi, Anatoly Dyatlov (Pual Ritter), duhej të kryhej patjetër një test sigurie në reaktorin numër 4 të këtij centrali, sepse i tillë ishte urdhri nga disa aparatçikë partiakë në qytetin Pripyat. Madje ishin Nikolai Fomina(Adrian Rawlins) dhe Viktor Bryukhanov(Con O’Neil) që kishin gënjyer, se ishin bërë të gjitha testet e nevojshme, vetëm për t’u dekoruar dhe avancuar në kupolën e partisë. Dhe zaten krejt këtë rrëfim e shoqëron tensioni ndërmjet të vërtetave shkencore dhe propagandës ideologjike të sistemit. Kurse pikërisht gjatë këtij eksperimenti, saktësisht në orën 1:23 minuta, ndodh erupsioni i makthshëm.

Në fillim askush s’kishte haber për eksplodimin. Si ata që punonin aty, por edhe banorët e qytetit. Këta të fundit menduan se më e shumta ai vezullim beftë i qiellit, nuk ishte asgjë tjetër, pos një incident i vogël mbi çatinë e ndërtesës. Madje, shumë nga banorët, shkuan afër ndërtesës, të nxitur nga kureshtja, për ta parë spektaklin, pa e ditur se çka do t’i pret më vonë. Të gjithë ata që qëndruan atë natë afër shpërthimit mbi një urë, pa kaluar shumë kohë do të kalojnë në amshim, për shkak të rrezatimit. Prandaj, edhe ajo urë me vonë u quajt “ura e vdekjes”. Një fat i tmerrshëm do të t’i pret edhe zjarrëfiksit që u angazhuan në luftë me flakën, për shkak të nivelit të lartë të radioaktivitetit. Askush, as në pallatet e Kremlinit, nuk e dinte saktësisht përmasën e asaj katastrofe. Madje zhvillohej një betejë e madhe propagandistike që ajo edhe të mos kuptohej.

E vërteta e plotë do merret vesh kur në terren do të zbresin Valery Legasov dhe Boris Scherbina ( Stellan Skarsgard) drejtor i Byrosë për energji dhe karburante. Ata emërohen nga Sekretari i Përgjithshëm i Komitetit të Partisë Komuniste, Mihail Gorbachev (David Dencik), si pjese shtabit të krizës për të menaxhuar pasojat e shpërthimit.

Me të aterruar në qytet do të kuptohet se kishte shpërthyer bërthama e reaktorit. Kurse, niveli i rrezatimit nuk ishte 3 rentgen siç propagandohej, por 15.000 rentegen. Po ashtu, përmasat e avarisë më nuk mund të mbaheshin të fshehura, ngase një institut në Suedi, për shkak nivelit të lartë të helmit në ajër, kishte detektuar burimin e shpërthimit. Kurse amerikanët ia dolën që të sigurojnë fotografi satelitore për atë që në të vërtetë kishte ndodhur.

Mjerisht, bërthama ishte e hapur. Dhe se flakërima e zjarrit pothuajse po jepte dyfishin e rrezatimit që kishte dhënë bomba atomike në Hiroshima. Kurse çdo orë që kalonte e shtonte rrezikun e apokalipsit. Jo vetëm për Ukrainën, po për mbarë kontinentin. Nëse nuk bëhej diçka në mbylljen e kësaj vatre, për 40 orë ky nivel i kontaminimit do të arrinte përmasat e 40 bombave bërthamore.

Shkalla e rrezikut e alarmoi Kremlinin. Sepse, e falsifikonte narracionin shtetëror dhe perceptimin e përgjithshëm për fuqinë Bashkimit Sovjetik si fuqi bërthamore. Mirëpo, në dallim nga Putini, që po luan me fundin e botës, në këtë seri M.Gorbachev, paraqitet një lider më i përgjegjshëm. Ai komunikon në vazhdimësi me homologët e tij dhe u kërkon falje si “miqve ashtu edhe armiqve” për këtë fatkeqësi.

Ndërkaq, ekipit që merret me pasojat e kësaj ngjarje i bashkohet Ulana Khomyuk (Emily Watson) nga institut i fizikës bërthamore në Minsk të Bjellorusisë. Por, qe në të vërtetë karakteri i saj është një prodhim artistik për t’i përfaqësuar dhe për të nderuar përkushtimin dhe shërbimin ndaj të vërtetës dhe njerëzimit.

Mbyllja e bërthamës shtrohet si nevojë urgjente dhe e domosdoshme, si për ta penguar rrezatimin e ajrit ashtu edhe rrjedhën e saj nëntokësore. Sepse, kontaminimi i tokës dhe lumenjve do ta pamundësonte jetën e miliona njerëzve deri në Detin e Zi, për qindra vjet. Mirëpo, të gjithë ata që do të angazhoheshin në këtë mision ishin të dënuar më vdekje, për shkak të ekspozimit në perimetrin e afërt të shkallës së lartë të radioaktivitet.

Pra, në një farë mënyre duhej quar disa njerëz drejt vdekjes, me qëllim që të pengohej vdekja e miliona të tjerëve. Një fat i tillë mortor i pret si tre punëtorët e centralit që u detyruan të futen në tunelet e uzinës për të shkarkuar rezervarët, por që çuditërisht pas hospitalizimit mbijetuan. Minatorët që u angazhuan në mbulimin e bërthamës për të penguar rrjedhjen e saj nëntokësore. Vlerësohet se nga 400 prej tyre sa punuan në këtë mision, 100 vdiqën pa i bërë 40 vjet. Kurse, në përgjithësi në këtë ndërmarrje titanike u rekrutuan më shumë se 600 mijë njerëz. Llogaritet se nga shtëpitë e tyre u zhvendosen përafërsisht 300 mijë njerëz. Qeveria e këtij shteti kurrë nuk e pranoi se numri i viktimave ishte më shumë së mbi 31. Mirëpo, nw fakt hulumtimet serioze tregojnë se ky numër ishte mbi 4 mijë. Madje, ka nga ata që vlerësojnë se realisht bëhet fjalë për 93 mijë viktima në total. E rajoni i kontaminuar, i njohur ndryshe edhe si zonë përjashtimore (Exclusion Zone) shtrihet deri në 2.600 kilometra katrorë. Megjithëse si thuhet në film kostoja e vërtetë e Chernobylit, mbase nuk do të dihet kurrë.

Një fund tragjik do ta kenë edhe krye protagonistët e kësaj beteje. Boris Shcherbina dhe Valery Legasov, por në mënyra të ndryshme. I pari do të vdes nga kanceri me 22 gusht të vitit 1990. Antologjik është rrëfimi i tij në fund të serialit, se pse e Byroja e Partisë e emëroi pikërisht atë në këtë detyrë. Në bisedë e sipër, ai i drejtohet Valery Legasov-it, se ky rol iu besua atij dhe jo dikujt tjetër, sepse ai ishte i parëndësishëm për sundimtarët e kohës, i “tillë kam qenë gjithmonë” pohon Shcherbina, “shpresoja si një ditë të kisha vlerë, por jo. Thjesht rrija pranë njerëzve me rëndësi me shpresën se duke qene afër tyre një ditë do t’i realizoja qëllimet e mia”. Por, një njeri që e dërguan si “material shpenzues” në zemër të katastrofës u tregua vendimtar në parandalimin e mëtutjeshëm të saj. Pra ai që asnjëherë nuk iu dha mundësia të bëhej një pushtetar i madh, befasisht, e kreu një detyrë të madhe, jo vetëm për shtetin e tij, por mbase për mbarë njerëzimin. Detyrë që do të kishte dashur më së paku ta bënte. E tillë shpeshherë është ironia e jetës.

Kurse, profesor Legasovi, pasi shkeli në një terren të rrezikshëm, gjatë prezantimit të punimit të tij, nuk do ta pres vdekjen e natyrshme, por siç thamë, do t’i jap vetë fund jetës. Ai nuk dënohet me vdekje, por i nënshtrohet një torture edhe me mizore. Shefi i KGB Charkov (Alan Williams) që në fund të filmit e paralajmëron se nuk do ta vrasin. Sepse, nuk dëshirojnë t’ia mveshin aureolën e martirit. Aq më tepër që ai në Vjene e kishte mbrojtur qëndrimin zyrtar të shtetit për shkaqet e shpërthimit. Mirëpo, për mbajtjen e këtij pozicioni ai u dakordua paraprakisht me kushtin që strukturat shtetërore të intervenonin në përmirësimin e termocentraleve tjera. Por, e tëra doli një mashtrim.

Prandaj, është një tjetër tmerr që të pret gjatë jetës që shtrihet para teje, i thotë Charkovi, e mbase është më edhe më i kobshëm se sa vdekja e menjëhershme. “Dëshmia jote”vazhdon kryeagjenti i sigurimit shtetëror, “ nuk do të shpërndahet në shtyp. Nuk ka ndodhur kurrë. Dhe s’do pranohet nga shteti. Jo, do të jetosh, aq gjatë sa duhet, por jo si shkencëtar, jo më. Do ta mbash titullin dhe zyrën, po pa detyra, pa autoritet, pa miq. Nuk do flas njeri me ty. Nuk do të dëgjojë njeri. Do t’i shohësh me sytë e ty, se si burra të tjerë më të vegjël, mediokër, njerëz të parëndësishëm, do të avancohen në karrierë me punën tënde. Ajo s’do jetë më trashëgimia jote, por e tyre. Të tjerët do të marrin meritat e gjërave që ke bërë. Do të jetosh mjaftueshëm sa për ta parë këtë. Nuk do komunikosh me askënd rreth Chernobylit. Do të mbetesh kaq i parëndësishëm për botën rreth teje sa kur të vdesësh do jetë jashtëzakonisht e vështirë të kuptohet që ke jetuar ndonjëherë. Pra ky është dënimi që të pret”. Një vdekje në vetmi të plotë. Dhe kështu i ndodhi Valery Legasovit. Mirëpo, pas vdekjes së tij zyrtarët sovjetikë më në fund i njohën gabimet e projektimit të reaktorëve bërthamor të RBMK. Dhe filluan riparimin e tyre për të parandaluar përsëritjen e një aksidenti si ai i Chernobylit. Po ashtu edhe disa shkencëtarë të tjerë nuk e pranuan raportin zyrtar të shtetit mbi shkaqet ngjarjeve të katastrofës. Dhe shumë nga ta iu nënshtruan denoncimin, arrestimit dhe burgosjes.

Në vitin 2006 Mikhail Gorbachev, shkroi se shkrirja bërthamore në Chernobyl ishte ndoshta njëri nga shkaqet kryesore që rezultoi në kolapsin e Bashkimit Sovjetik.

Përfundimisht ky film, tregon më mirë së asgjë tjetër, se me çfarë rreziku po përballet sot njerëzimi nga politikat pushtuese të Putinit në Ukrainë. Shto këtu faktin, se momenti fatal i shpërthimit në Chernobyl, në fund të fundit, ishte aksident . Kurse pas atij çasti, u mobilizua një shtet i tërë, për të sanuar dëmet e katastrofës. Krejt çka i interesonte ish-sistemit ishte vetëm që të ruhej imazhi i shtetit dhe të mos cenohej propaganda për pagabueshmërinë e tij ideologjike. Ndërkaq, Cari i Ri i Rusisë, çdo gjë po e bënë me plan dhe në mënyrë të planifikuar. Me qëllim që ta shantazhojë njerëzimin me projeksionet e tij për mega-vdekje.

Të ngjashme