Programet ekonomike

Prishtinë | 25 Jan 2021 | 18:29 | Nga Agim Krasniqi

Në një botë normale, programet ekonomike do të ishin faktori kryesor për përcaktimin e qytetarit në raport me përkrahjen apo jo të një subjekti politik. Natyrisht programi duhet të përgatitet dhe të implementohet nga persona me kredibilitet të lartë profesional dhe njerëzor.

Sot kur po dëgjojmë prezantimet e disa subjekteve politike të programeve të tyre, me një vrojtim prej një ekonomisti fillestar vërejmë se shumica e programeve në qendër të tyre kanë rritjet e pagave, skemave sociale e pensionale, të programeve mbështetëse përmes granteve të bizneseve dhe bujqve e çka jo tjetër, premtime që bëhen pa mbulesë të plot fiskale e buxhetore.

Gjithë këto premtime përcillen në anën tjetër me premtime për lirime tatimore e jo-tatimore e që do të ndikojnë natyrshëm në zvogëlimin e të hyrave buxhetore në rast se këto masa nuk përcillen me zgjerim të bazës tatimore dhe zvogëlim të ekonomisë jo-formale e për të cilën nuk flet askush.

Rritja ekonomike nga të gjitha subjektet politike në asnjë rast nuk vlerësohet të jetë më e lartë se 5-6% të GDP-së për një mandat qeverisës.

Përkthyer në numra këta tre faktor ekonomik, qartë tregojnë mungesën e konsistencës në premtimet që japin disa subjektet politike, sepse deficitet e larta buxhetore që do të krijohen e që do të mbuloheshin nga financimet e brendshme apo të jashtme duke financuar shpenzimet shtese rrjedhëse e që nuk kanë kthim të qëndrueshëm pas një kohe kthehen në kriza ekonomike që ndikojnë në zvogëlimin e mirëqenës së qytetarëve dhe të ekonomisë në tersi. Rastet e krizave të tilla sot janë shtetet si Greqia e Italia e plote shtete tjera.

Angazhimi për të qartësuar ndryshimet në politikat ekonomike që kërkojnë ndryshime në qasjen ekonomike dhe prioritetet për shpenzimet e parasë publike thuaja mungojnë në secilin rast, kjo për faktin se opinion ynë dëshiron të dëgjojë vetëm për të tashmen e jo edhe për të ardhmen ekonomike.

Programet ekonomike reale janë ato që tregojnë qartë rrugën e zhvillimit sot dhe nesër e që krijojnë qëndrueshmëri fiskale e buxhetore jo për vite por për dekada të tëra. Shtetet baltike janë shembull si ekonomit e vogla mund të zhvillohen kur kanë politike të qarta ekonomike duke përdorur në rend të parë faktorin njeri të përgatitur e arsimuar për tregun global ekonomik.

Rrini afër premtimeve reale e të arritshme, premtimeve të qëndrueshme, mos u zhgënjeni ma vonë nga premtimet e pa qëndrueshme e premtimet e bosh.

Të ngjashme