Pronësia e Ujmanit nuk negociohet

Prishtinë | 12 Sht 2018 | 09:27 | Nga Gazmend Abrashi

Bisedimet dhe dialogu mes shteteve për çështje të ndryshme, për normalizimin e marrëdhënieve, duhet të jenë procese normale që nuk duhet ndalur asnjëherë, pasi çdoherë është më mirë të bisedohet për shumë kohë, sesa problemet për çështje të caktuara të zgjidhen në forma dhe mënyra të tjera, të cilat mund të kenë pasoja të pariparueshme për shtetin dhe qytetarët.

E njëjta gjë mund të thuhet edhe për procesin e bisedimeve mes Republikës së Kosovës dhe Serbisë, proces që po has në vështirësi, por i cili duhet të vazhdojë. Ky proces, nuk mund të vazhdojë me pretendime për të “gllabëruar” pjesë të territorit të vendit tonë, ngase kur ka pretendime për territore arritja e një marrëveshje mund të jetë e vështirë, por mund të bëhet edhe e pamundur, sidomos me logjiken e marrjes së territoreve. Kjo logjik tash është e së kaluarës, sepse duhet ta dimë të gjithë funksionimi i Bashkimit Evropian, i ka bërë të pa dobishëm kufijtë mes shteteve, por jo edhe për Serbinë dhe udhëheqësit e saj.

Polemikat dhe pretendimet e ngritura kohëve të fundit, rreth Liqenit të Ujmanit (ish-Gazivodës), janë të papranueshme dhe të cilat nuk duhet të ndodhin. Por, Serbia përveç dëmeve që i ka shkaktuar në Kosovë, gjatë luftës për vendin dhe qytetarët e saj, ka edhe pretendime absurde siç është edhe liqeni i Ujmanit. Për Kosovën, ky liqen ka rendësi strategjike, jetike dhe zhvillimore, i cili nuk duhet, e as që do të tërhiqet nga të qenurit pronë e Republikës së Kosovës.
Por, duhet ta dinë deputetët e Kuvendit të Kosovës, e edhe ata të opozitës, por edhe qytetarët e Republikës, se as Qeveria e Kosovës, e as kryeministri Ramush Haradinaj, por edhe unë si pjesë e AAK-së dhe e Qeverisë nuk do të pranojmë që të negociohet për pronësinë e Liqenit të Ujmanit, sepse ai është ndërtuar me para të Kosovës dhe do të jetë pronë e jona.

Zërat rreth pronësisë së Liqenit të Ujmanit në Serbi, por edhe aty këtu edhe në Kosovë, janë zëra të vetmuar, të cilët nuk do të dëgjohen.
Por, të flasim tash për rëndësinë e vërtetë të Ujmanit, i cili përveç që mundëson funksionimin e sistemit të Ibër – Lepencit, me gjatësi prej 49 kilometrave gjatësi ai mundëson edhe ujitjen e mbi 20 mijë hektarëve të tokës së punueshme me rendësi të madhe për prodhimtarinë bujqësore vendore.

Historia e ndërtimit të Ujmanit

Punimet për ndërtimin e digës së Liqenit të Ujmanit, kanë filluar në vitin 1972, ndërsa kanë përfunduar më 1977. Diga e liqenit, është me lartësi 107 metra dhe e gjerë afro 500 metra, ku pas ndërtimit të saj, u krijua liqeni me gjatësi 16.5 kilometra dhe gjerësi maksimale prej 1.2 kilometrave, me një sipërfaqe ujëmbledhëse prej 11.9 kilometra katrorë. Thellësia mesatare është rreth 105 metra, ndërsa volumi ujit të liqenit shkon prej 370-400 milionë metra kub. Në aspektin administrativ liqeni shtrihet në territorin e tri komunave: 74.1% në territorin e Zubin Potokut, respektivisht të Republikës së Kosovës dhe 25.9% në territorin e komunave Novi Pazar dhe Tutin të Serbisë. Liqeni mbushet kryesisht nga prurjet e lumit Ibër, i cili mbledh ujërat e maleve.

Rëndësia e Ujmanit qëndron edhe tek furnizimi me ujë për disa komuna të Kosovës. Komunat të cilat e marrin ujin nga Ujmani nëpërmjet kanalit të Ibër – Lepencit janë Mitrovica, Drenasi, Skenderaj dhe një pjesë e Prishtinës, me mbushjen e Badovcit gjatë periudhave të thatësisë. Por, Ujmani e rrjedhimisht edhe sistemi i Ibër – Lepencit ka rendësi të madhe edhe për fabrikën e Ujit në Shkabaj, të Prishtinës, ndërtimi i së cilës ka kushtuar miliona euro.

Uji i Liqenit të Ujmanit ka rëndësi krruciale edhe për blloqet e Termocentraleve të Koorporatës Energjetike të Kosovës (KEK), për të cilën gjë tregon fakti se në rast të ndërprerjes së ujit, i cili shërben për sistemet e ftohjes dhe avullimit në termocentrale, mund të funksionojnë vetëm 8 orë pa ujin që e merr nga ky liqe. E rrjedhimisht pa ujin e Ujmanit, Kosova do të përballet me krizë energjetike.

Përveç ftohjes së blloqeve të KEK-ut, me ujin e liqenit prodhohen 35 megavat orë energji elektrike, dhe me këtë prodhim rritët sasia vendore e energjisë elektrike së prodhuar. Po ashtu pa ujin e Ujmanit nuk mund të ndërtohen, as kapacitetet e reja energjetike siç është projekti për ndërtimin e Termocentralit “Kosova e Re” me kapacitet prej 500 megavatëve dhe vlera e tij, mund të shkojë në 1.3 miliard euro, si dhe punësimin e shumë personave.

Fjalë Kryesore:

Të ngjashme