Propaganda serbe dhe lufta e Ushtrisë Çlirimtare e Kosovës

Prishtinë | 07 Maj 2021 | 21:40 | Nga Bardhyl Mahmuti

Kushdo që ka përcjellë zhvillimet e procesit të shpërbërjes së Federatës Jugosllave dhe luftërave që ndodhën gjatë këtij procesi e di fare mirë se gjatë luftërave dhe pas përfundimit të tyre u vranë civilë. Rreth këtij fakti ka një konsensus të përgjithshëm. Divergjencat fillojnë kur kërkohet të dihet se kush i kreu vrasjet e tyre.
Sa i përket luftës në Kosovë, fillimisht po përmend faktin se në funksion të strategjisë së prezantimit të shtrembëruar të aspiratave çlirimtare të shqiptarëve të Kosovës, Sigurimi Shtetëror i Serbisë përgatiti materialin e titulluar “Bela knjiga: Terorizam Albanskih separatizam na Kosovo i Metohiji” (“Libri i bardhë: Terrorizmi i separatistëve shqiptarë në Kosovë dhe në Dukagjin), i publikuar në emër të Ministrisë së Punëve të Jashtme të Jugosllavisë, në Beograd, në shtator 1998.
Ky libër u botua i përkthyer edhe në gjuhën angleze dhe në gjuhën frënge, dhe u kjo ministri ua shpërndau falas institucioneve me peshë në marrëdhëniet ndërkombëtare, institucioneve shtetërore të shteteve anëtare të OKB-së, mediave ndërkombëtare, bibliotekave universitare dhe personaliteteve me peshë në fusha të ndryshme intelektuale.
Variante të plotësuara të këtij “Libri të bardhë” u ribotua nga regjimi i Milosheviqit në janar të vitit 1999 me titull: “Zločin albanskih terorista” (Krimet e terroristëve shqiptar)) dhe në mars të vitit 2000 u botua varianti anglisht i titulluar “Terrorist acts of Albanian terrorist groups in Kosovo and Metohija : documents and evidence 1 January 1998 – 10 June 1999” (Aktet terroriste të grupeve terroriste shqiptare në Kosovë dhe Dukagjin).
Pas përmbysjes së Sllobodan Millosheviqit nga pushteti, qeveria e re e Beogradit vazhdoi me të njëjtën propagandë. Në nëntor të vitit 2001, u botua dhe u shpërnda varianti i ri i propagandës së vjetër: “Žrtve albanskog terorizma na Kosovu i Metohiji (Ubijena, oteta i nestala lica, januar 1998 – novembar 2001” [Viktimat e terrorizmit shqiptar në Kosovë dhe Dukagjin (personat e vrarë, të rrëmbyer dhe të zhdukur, janar 1998-nëntor 2001)].
Sipas pohimeve publike të funksionarit të Ministrisë së Punëve të Brendshme të Serbisë, Vladimir Bozhoviq, “me qëllim të përgatitjes dhe sigurimit të dëshmive materiale kundër UÇK-së, ai ishte takuar disa herë me Prokuroren e Përgjithshme të Gjykatës Penale Ndërkombëtare për ish-Jugosllavi, Carla Del Pontes dhe me Clint Williamsonit, i cili ishte shef i Departamentit të drejtësisë dhe të drejtave të njeriut të UNMIK-ut në periudhën 2001-2002, (Gjatë periudhës 1994-2001 Clint Williamson ka punuar si prokuror në Gjykatën Penale Ndërkombëtare për ish-Jugosllavi) dhe u kishte dhënë këtë libër dhe dosjet me mbi 27 mijë faqe”. [Gazeta Politika, Biljana Baković, Za trgovinu organima Beograd saznao pre devet godina, (Për tregtinë me organe Beogradi ka qenë në dijeni para nëntë vitesh), 02.01.2011], dhe Miroslav Antić, Obmane Delponteove (Mashtrimet e Del Pontes).

Variante të plotësuara të këtij “Libri të bardhë” u ribotua nga regjimi i Milosheviqit në vitin 1999 dhe në vitin 2000, ndërsa në vitin 2001 dhe në vitin 2003, regjimi i “ri” i Beogradit publikoi këtë libër të ndryshuar në atë mënyrë që të përputhet me kontekstet e reja politike ndërkombëtare dhe të titulluar “Albanski terorizam i organizovani kriminal na Kosovo i Metohiji” (Terrorizmi shqiptar dhe krimi i organizuar në Kosovë dhe Dukagjin).
Përderisa në versionin e parë të këtij materiali dominonin etiketimet e bartësve të aspiratave politike të shqiptarëve të Kosovës si “terroristë dhe fondamentalizmi islamik”, në versionet e mëvonshme njollosjes së tyre u shtohen cilësimet “grupe kriminale” dhe “mafioze”.
Me qëllim që të sigurohet mbështetja ndërkombëtare në luftë kundër “terrorizmit shqiptar”, organizatat politike që veprojnë në Kosovë paraqiten si “grupe terroriste që përdorin dhunën kundër popullsisë civile serbe, shqiptare dhe pjesëtarëve të grupeve të tjera etnike që jetojnë në krahinë si dhe kundër policisë e Ushtrisë Jugosllave (…) Krahas aksioneve terroriste në nivelin lokal, ata vendosin lidhje me grupet terroriste islamike që veprojnë në planin global dhe financohen në mënyrë të ngjashme si grupet e tjera terroriste, duke siguruar mjetet financiare me dhunë ose nga trafiqet me drogë.” Sipas po të njëjtës propagandë “Përveç tregtisë me lëndë narkotike, mafia shqiptare vuri nën kontrollin e saj edhe prostitucionin ndërkombëtar, tregtinë ilegale të armëve, të cigareve dhe të mallrave të tjera me akcizë, të automobilave të vjedhur, trafikimin me njerëz dhe shitjen e organeve njerëzore (…)” (Qeveria e Serbisë, “Libri i bardhë- Terrorizmi shqiptar dhe krimi i organizuar..”, botimi 2003, f 23)
Pra, akuzat ndaj UÇK-së për “vrasje civilësh dhe trafikim me organe njerëzore” u sajuan nga Shërbimi Sekret Serb, siç u sajua edhe cilësimi i saj si “organizatë terroriste kriminale”.
Zëvendëskryeministri i Serbisë dhe shefi i të ashtuquajturës “Qendra Koordinuese për Serbinë Jugore dhe për Kosovën dhe Dukagjin”, Nebojsha Çoviq, i dorëzoi Prokurores së Përgjithshme të Gjykatës Penale Ndërkombëtare për ish-Jugosllavinë, Carla Del Pontes këtë “Libër të bardhë”, që synonte të nxinte UÇK-në, dhe dosjet me mbi 27 mijë faqe “me të dhëna për strukturën e organizimit terrorist të ekstremizmit shqiptar, të dhëna për viktimat, për veprimtarinë e mafies shqiptare në botë… për listën e terroristëve dhe strukturave të organizuara kriminale në Kosovë… për liderët politikë të Kosovës që ishin në të njëjtën kohë edhe udhëheqës të klaneve kriminale… për trafikimin e organeve njerëzore të serbëve të burgosur…” (Konferencë për shtyp e kryeministrit të Serbisë, Zoran Zhivkoviq, zëvendëskryeministrit dhe shefit të së ashtuquajturës “Qendra Qendrës Koordinuese për Serbinë Jugore…”, Nebojsha Çoviq, dhe shefit të Shërbimit Sekret Serb, Misha Milliqeviq. Beograd, 7 dhjetor 2003).
Ndërkaq funksionari i Ministrisë së Punëve të Brendshme të Serbisë dhe shef i Drejtorisë për Jurisprudencë në Qendrën Koordinuese të udhëhequr nga Nebojsha Çoviq, Vladimir Bozhoviq ia dorëzoi të njëjtat materiale Clint Williamsonit, shefit të Departamentit të drejtësisë dhe të drejtave të njeriut të UNMIK-ut.
Nën ndikimin e këtyre dosjeve të sajuara, Prokurorja e Përgjithshme e Gjykatës Penale Ndërkombëtare për ish-Jugosllavinë ngriti dy aktakuza. Aktakuza e parë ishte drejtuar kundër Fatmir Limajt, Haradin Balajt dhe Isak Musliu ( Tribunal Pénal International pour l’ex-Yougoslavie, Affaire N° IT -03-66-1) dhe aktakuza kundër Ramush Haradinajt, Lahi Brahimajt dhe Idriz Balajt (Tribunal Pénal International pour l’ex-Yougoslavie, Affaire N° IT-04-84bis-PT).
Në përputhje të plotë me propagandën serbe, në aktakuzat e lartpërmendura të Gjykatës Penale Ndërkombëtare për ish-Jugosllavinë u kopjuan dhe u ngjitën pasuse të tëra të “Librit të bardhë” që cilëson shoqërinë shqiptare të Kosovës “si shoqëri klanore” (Tribunal Pénal International pour l’ex-Yougoslavie, Affaire N° IT-04-84bis-PT, f. 2, pika 5), ndërkaq UÇK-në si “ndërmarrje e përbashkët kriminale që kishte për qëllim realizimin e dëbimit me forcë ose eliminimin praktik të civilëve serbë që qëndronin në territorin e zonave të kontrolluar nga UÇK-ja, rrëmbimin dhe vrasjen e civilëve serbë, shqiptarë, romë/egjiptian dhe civilë të tjerë të dyshuar si bashkëpunëtorë të forcave serbe apo që nuk e mbështesnin UÇK-në…” (aktakuza e cituar më lart, f. 6-7, pika 26).
Në dallim nga libri propagandistik serb “Terrorizmi shqiptar dhe krimi i organizuar në Kosovë dhe Dukagjin”, ku 192 herë UÇK-ja cilësohet si “organizatë kriminale”, në aktakuzën N° IT-04-84bis-PT të Carla Del Pontes, 45 herë UÇK-ja cilësohet si “Ndërmarrje e Përbashkët Kriminale”.
Përveç kësaj, Carla Del Ponte urdhëroi zhvillimin e hetimeve lidhur me dyshimet për “trafikim të organeve njerëzore nga ana e UÇK-së” dhe kërkoi nga “UNMIK-u, nga autoritetet lokale të Kosovës dhe të Shqipërisë të shoqërohen nga shërbimet e policisë serbe” për të ndriçuar këto pretendime. Kërkesa e Carla Del Pontes që UNMIK-u, autoritetet lokale të Kosovës dhe të Shqipërisë të mbështeten në shërbimet policore serbe është kërkesë për të arsyetuar, tërthorazi, mbështetjen e vet te këto burime.
Pas hetimeve të hollësishme disavjeçare dhe në pamundësi të gjenin qoftë edhe një provë të vetme që do të mbështeste shpifjet për gjoja “trafikimin e organeve njerëzore nga UÇK-ja”, Carla Del Ponte, urdhëroi ndërprerjen e hetimeve. Pesë vjet më vonë, Carla Del Ponte i kthehet kësaj çështjeje dhe në librin autobiografik ajo deklaron:
“Këto lloj historish të burgosurish të vrarë nga trafikantët e organeve rikthehen mjaft shpesh në zonat e konflikteve, por shumë rrallë ka prova konkrete për t’i argumentuar këto tregime të cilat përfundojnë si legjenda të thjeshta”. [Carla Del Pontes, botimi në gjuhën frënge, “La traque, les criminels de guerre et moi” (Përndjekja: Unë dhe kriminelët e luftës”), f.470].

II. Dick Marty dhe propaganda serbe

Shpallja e pafajësisë së plotë të komandantëve të UÇK-së nga Gjykata Penale Ndërkombëtare për ish-Jugosllavi dhe hedhja poshtë e shpifjeve serbe për gjoja “trafikimin e organeve njerëzore nga UÇK-ja”, pati ndikim edhe te sajuesit e dosjeve kundër UÇK-së. Sipas pohimeve të Vlladimir Bozhoviqit, “dokumentacioni i plotë i këtyre dosjeve mbeti në godinën e qeverisë federale dhe atë e morën Sanda Rashkoviq–Iviq dhe njerëzit e saj. Sipas njohurive që kam, më vonë një pjesë e dokumentacionit u shkatërrua, ndërsa një pjesë ngeli aty dhe për fatin e saj nuk di asgjë. Por, e di se pas kësaj kohe asgjë nuk është punuar, vdiq çdo aktivitet” [Politika, Za trgovinu organima Beograd saznao pre devet godina (Për tregtinë me organe Beogradi ka qenë në dijeni para nëntë vjetësh), 01.01.2011].
Të asgjësosh një pjesë të dokumenteve për “krimet më të neveritshme” që pretendohej se u ishin bërë serbëve në kampet e Shqipërisë dhe të bësh që edhe në Beograd “të vdesë” aktiviteti për ndriçimin e këtyre krimeve të rënda, është dëshmi se edhe trilluesit e kësaj gënjeshtre ishin të bindur se askush nuk u besonte “përrallave dhe legjendave” të tyre!
Mirëpo, përveç Carla Del Pontes dhe John Clint Williamsonit, Dick Marty, një ish-prokuror tjetër zviceran që ishte “konvertuar” në politikan, u shqua në shpërndarjen e sajesave të Shërbimit Sekret të Serbisë.
Gjatë tërë periudhës së zbatimit të gjenocidit kundër shqiptarëve në Kosovë, ky ish prokuror që përfaqësonte Partinë Liberale-Radikale zvicerane në Asamblenë Federale, asnjëherë nuk e kishte ngritur zërin për të kërkuar ndërprerjen e fushatës ushtarake dhe policore serbe në Kosovë, megjithëse botërisht dihej se gjatë asaj fushate u vranë mijëra civilë shqiptarë dhe qindra mijëra të tjerë u dëbuan me qëllim të spastrimit etnik të Kosovës. Mirëpo, ndërhyrja e Aleancës Veriatlantike për të ndërprerë barbarinë e Serbisë ndaj shqiptarëve, mobilizoi Dick Martyn të ddilte në ballë të mobilizimeve që kërkonin ndërprerjen e bombardimeve kundër caqeve të ushtrisë dhe policisë serbe! Dick Marty, së bashku me 19 deputet të parlamentit zviceran, i rekomanduan Këshillit Federal të Zvicrës “masat që synonin t’i jepnin fund luftës në Kosovë”. Në këto rekomandime kërkohej nga institucioni më i lartë qeverisës i vendit të tyre që të bëjë çdo gjë që ishte e mundur për të ardhur deri te një “armëpushim mes palëve, të vendosej një trupë neutrale për të ruajtur paqen dhe të përgatitej terreni për zgjidhje politike”. [L’Assamblée fédérale- le Parlament suisse, Mesures visant à mettre fin à la guerre au Kosovo, 21.04.1999, Recommandation 99.317 1 (Masat që synojnë t’i japin fund luftës në Kosovë, Rekomandimi 99.317 1, deponuar nga Dick Marty)].
Në këtë kontekst vlen të theksohet fakti se Dick Marty mbështeti pa asnjë rezervë qëndrimet e Sllobodan Millosheviqit që e cilësonin ndërhyrjen e NATO-s si “agresion ilegal, pa miratimin e OKB-së” dhe kërkesat e tij për “ndërprerjen e luftës dhe përgatitjen e terrenit për një zgjidhje politike” (Réseau Voltaire, Dick Marty : “L’indépendance du Kosovo n’a pas été décidée à Pristina”, entretien avec Silvia Cattori (Dick Marty: Pavarësia e Kosovës nuk u vendos në Prishtinë, intervistë me Silvia Cattori).
Për të denoncuar “agresionin ilegal kundër Serbisë, pa miratimin e OKB-së”, Dick Marty ishte tepër i zëshëm! Por, kur ai i rekomandon Këshillit Federal të Zvicrës që të bëjë çdo gjë që ishte e mundur për të ardhur deri te një “armëpushim në mes palëve, të vendoset një trupë neutrale për të ruajtur paqen dhe të përgatisë terrenin për një zgjidhje politike”, Dick Marty as që përmend OKB-në. Sipas kësaj logjike, anashkalimi i Këshillit të Sigurimit të OKB-së për të ndërprerë bombardimet kundër regjimit të Millosheviqit nuk ishte ilegal!
Të kërkosh më 21 prill 1999 vendosjen e një “trupe neutrale për të mbikëqyrur armëpushim mes palëve dhe për të ruajtur paqen” dhe të luash rolin e injorantit që gjoja nuk e di se një armëpushim ndërmjet “palëve ndërluftuese” ishte arritur më 13 tetor 1998 dhe se për mbikëqyrjen e këtij armëpushimi u caktua Misioni Verifikues i OSBE-së me pjesëtarë të paarmatosur, nuk është asgjë tjetër pos përpjekje për të fshehur të vërtetën se ky mision dështoi për shkak të politikës së gjenocidit që kishte përpiluar shteti serb.
Të kërkosh më 21 prill 1999 që “të ndërpriten bombardimet kundër Serbisë” dhe të vendoset një “trupë neutrale” në të cilën nuk do të ketë pjesëtarë të shteteve të përfshira në këto bombardime, dhe të luash rolin e injorantit që gjoja nuk e di se shumica e shteteve të demokracive perëndimore ishin të angazhuara në operacionet e NATO-s, nuk është asgjë tjetër pos mbështetje e hapur e kërkesave të Sllobodan Millosheviqit që kjo “trupë neutrale” të përbëhej nga pjesëtarë të forcave ruse, bjelloruse, kineze, indiane apo të ndonjë vendi tjetër që dënonte sulmet e NATO-s.
Të kërkosh më 21 prill 1999 që “të përgatitet terreni për një zgjidhje politike” të Çështjes së Kosovës dhe të luash rolin e injorantit që gjoja nuk e di që Serbia nuk nënshkroi Projekt- Marrëveshjen e propozuar në Konferencën Ndërkombëtare të Rambujesë për shkak të planeve gjenocidare, nuk është asgjë tjetër pos mishërim i plotë me propagandën e regjimit të Millosheviqit.
Lufta përfundoi ashtu siç e dinë të gjitha ata që kanë qenë të interesuar për këtë çështje. Edhe forcat ndërkombëtare civile dhe ushtarake u vendosën në Kosovë për të siguruar paqen dhe për të përgatitur parakushtet për fillimin e dialogut lidhur me përcaktimin e statutit politik final të Kosovës.
Në përputhje me vendimet e Këshillit të Sigurimit të Kombeve të Bashkuara Martti Ahtisaari dhe Albert Rohan u caktuan të dërguar special për të udhëhequr këto bisedime. (Kombet e Bashkuara, doc. S/2005/709, 10 nëntor 2005). Në kapitullin e shtatë të librit “Mashtrimi madh” kam trajtuar hollësisht këtë proces dhe të gjithë të interesuarit për këtë çështje dhe për burimet zyrtare që lidhen me këtë proces mund ta konsultojnë librin falas në faqen e internetit Qendrës “Gjenocidi në Kosovë-Plagë e hapur” (https://kosovogenocide.com).
Në këtë memorandum po kufizohem vetëm në konkluzionet e “Propozimit gjithëpërfshirës për zgjidhjen e statusit të Kosovës” të ekipit të Martti Ahtisaarit. Në Mbledhjen e Këshillit të Sigurimit Kombeve të Bashkuara, të datës 26 mars 2007, Sekretari i Përgjithshëm i saj, Ban Ki-moon-i, theksoi se “pas më shumë se një viti bisedimesh të drejtpërdrejta, negociatash bilaterale dhe konsultimesh mes ekspertëve, Martti Ahtisaari kishte ardhur në përfundim se “duke shqyrtuar historinë e re të Kosovës dhe realitetin e tanishëm dhe duke zhvilluar negociata me të dyja palët, kam arritur te përfundimi se opsioni i vetëm i qëndrueshëm për Kosovën është pavarësia e saj.”.
Bisedimet vazhduan edhe 120 ditë të tjera dhe më në fund, në përputhje të plotë me konkluzionet e raportit të Martti Ahtisaarit, më 17 shkurt 2008, Kuvendi i Kosovës shpalli Kosovën shtet të pavarur.
Pas dështimeve diplomatike për të penguar shpalljen e pavarësisë së Kosovës, diplomacia serbe u mobilizua për ta paraqitur këtë shpallje si të ishte në kundërshtim me të drejtën ndërkombëtare. Nga të gjithë intelektualët e profesioneve të ndryshme, që kishin për emërues të përbashkët antiamerikanizmin si këndvështrim ideologjik që u rreshtuan përkrah interpretimit serb të së drejtës ndërkombëtare, në vazhdim do të po përmend vetëm Carla Del Ponten dhe Dick Martin

III. “Plagjiatura” e Dick Martyt dhe e vërteta për raportin që mban emrin e tij
Në pjesën e botuar paraprakisht dhe të titulluar “Dick Marty dhe propaganda serbe” theksova se pas dështimeve diplomatike për të penguar shpalljen e pavarësisë së Kosovës, diplomacia serbe u mobilizua për ta paraqitur këtë shpallje si “vendim në kundërshtim me të drejtën ndërkombëtare”.
Tri javë pas shpalljes së pavarësisë së Kosovës, Carla Del Ponte, e cila e kishte përfunduar mandatin që kishte si Prokurore e Përgjithshme në Gjykatën Penale Ndërkombëtare për ish-Jugosllavinë dhe ishte emëruar ambasadore e Zvicrës në Argjentinë që nga 1 janari i vitit 2008, i dha një intervistë ekskluzive për Swissinfo.
Në këtë intervistë, të publikuar më 11 mars 2008, Carla Del Ponte, në “cilësinë e juristes”, këmbëngul, njëlloj si propaganda serbe, se gjoja “pavarësia e Kosovës nuk është në përputhje me dispozitat e vendosura nga tradita e të drejtës ndërkombëtare.”.
Vetëm një ditë pas publikimit të intervistës së Carla Del Pontes, Kryetari i Komisionit për Politikë të Jashtme të Këshillit të Shteteve të Konfederatës Helvetike, Dick Marty, në një intervistë ekskluzive me gazetaren Silvia Cattori, të publikuar më 12 mars 2008, u deklarua haptazi kundër pavarësisë së Kosovës dhe përvetësoi cilësimin serb për vendimin e Kuvendit të Kosovës që të shpallë pavarësinë si vendim “në kundërshtim me të drejtën ndërkombëtare”.
Krahas përvetësimit të interpretimit serb të së drejtës ndërkombëtare, Dick Marty shpreh revoltën e tij për prezantimin e “UÇK-së si një organizatë e virgjër dhe bamirëse” dhe këmbëngul në propagandën që e cilëson UÇK-në si “organizatë kriminale, që provokoi luftën, që vrau civilë të pafajshëm dhe që u shndërrua në instrument të amerikanëve për t’u mundësuar atyre në Kosovë krijimin dhe mbajtjen e bazës ushtarake më të madhe në botë”.
Në kontekst të mobilizimit kundër pavarësisë së Kosovës botimi i librit autobiografik të Carla Del Ponte-s “Përndjekja: Unë dhe kriminelët e luftës”, më 11 prill të 2008, zë një vend të rëndësishëm.
Përkundër fakteve se gjatë periudhës kur kishte qenë prokurore e përgjithshme e Gjykatës Penale Ndërkombëtare për ish-Jugosllavinë, Carla Del Ponte kishte urdhëruar zhvillimin e hetimeve lidhur me pretendimet serbe për gjoja “trafikimin e organeve njerëzore nga UÇK-ja” dhe pas hetimeve të hollësishme disavjeçare kishte urdhëruar mbylljen e kësaj çështjeje duke e cilësuar si “legjendë e thjeshtë e sajuar njëlloj si tregimet e ngjashme që shfaqen në zonat e tjera të konflikteve”, Carla Del Ponte aktualizon këtë çështje në librin e lartpërmendur.
Ky libër i dha flakë propagandës kundër pavarësimit të Kosovës. Më 15 prill 2008, Serbia arriti që nëpërmjet deputetit rus në Asamblesë Parlamentare të Këshillit të Europës, Konstantin Kosachev-i, të dorëzoi propozimin për rezolutë lidhur me “trajtimin çnjerëzor të personave dhe tregtinë ilegale me organet e njerëzve”. Projekt-rezoluta ishte nënshkruar nga 17 deputetë (1 serb, 2 rusë, 2 ukrainas, 1 azerbajxhanas, 1 gjeorgjian, 1 polak, 1 hungarez, 1 qipriot, 1 belg, 1 zviceran, 1 britanik, 1 holandez, 1 portugez, 1 suedez dhe 1 finlandez).
Deputetët nënshkrues të këtij propozimi u mbështetën vetëm në thëniet e Carla del Ponte-s dhe në projekt-rezolutën e tyre citohet nga libri i saj për pretendimet se gjoja “Ushtria Çlirimtare e Kosovës, në vitin 1998, kishte rrëmbyer më shumë se 300 serbë, romë, shqiptarë dhe pjesëtarë të grupeve tjera etnike, të cilëve u ishin hequr organet vitale, që u dërguan nga Aeroporti i Rinasit në klinikat jashtë shtetit, për t’u transplantuar pacientëve që paguanin.”.
Një ditë pas kësaj projekt-rezolute, në sesionin e Asamblesë Parlamentare të Këshillit të Europës, të mbajtur nga 14 deri më 18 prill 2008, delegacioni parlamentar zviceran dhe ai suedez, propozuan të hapet debat lidhur me “Pasojat e shpalljes së pavarësisë së Kosovës”. Gjatë debatit që u zhvillua më datë 16 prill 2008, një vend të rëndësishëm zë fjala e Dick Martyt.
Në fillim të fjalës së tij, Dick Marty tërhoqi vërejtjen se “Pas dhjetë vjet të administrimit ndërkombëtar, Kosova gjendet pa një shoqëri të mirëfilltë civile. Të gjithë ata që preokupohen me çështjen e kriminalitetit, e dinë se Kosova ka qenë gjithmonë, e ndoshta sot më shumë se dje, një qendër e kriminalitetit ndërkombëtar e krimit të organizuar (…) gjendja ekonomike është katastrofale (…) minoritetet nuk mund të jetojnë në Kosovë, pos të mbrojtur nga trupat e huaja…” Dhe, kuptohet, këtë gjendje të keqe, sipas tij, e krijoi pikërisht ndërhyrja ndërkombëtare në Kosovë dhe mosrespektimi i së drejtës ndërkombëtare. “Kjo filloi me bombardimet e NATO-s, bombardime në kundërshtim me të drejtën ndërkombëtare, që u bënë pa miratimin e Këshillit të Sigurimit (…) dhe pas shkeljes flagrante të rezolutës 1244 të Këshillit të Sigurimit që garantonte integritetin territorial të Serbisë…!”
Këto diskutime zgjuan interesim të madh në kuadër të Komisionit për Çështjet Juridike dhe të Drejtat e Njeriut të Këshillit të Europës. Pas fjalës së mbajtur në Asamblenë Parlamentare të Këshillit të Europës më 16 prill 2008, ky Komision ngarkoi Dick Martyn të përpilonte një raport për këtë çështje.
E revoltuar nga manipulimi politik i kësaj çështjeje dhe nga përfshirja e Carla Del Pontes në përhapjen e propagandës serbe, reagoi Florence Hartmann, ish-zëdhënësja e Prokurores së Përgjithshme. Në një shkrim të publikuar në gazetën “Le Temps”, të datës 16 prill 2008, dhe të titulluar “Carla Del Ponte dhe thashethemet për trafikimin me organe në Kosovë”, Florence Hartmann shpreh habinë e vet se “si është e mundshme që Carla Del Ponte, puna e të cilës konsistonte që të kërkohet e vërteta, përkundër pengesave, dhe në këtë mënyrë të luftohet mohimi dhe manipulimi, sot të na fundosë në kohën më të errët të propagandës… Të flitet sot, përderisa për pesë vjet nuk u soll asnjë element i ri që do ta mbështeste këtë tezë, është papërgjegjësi.” deklaron ish zëdhënësja e Carla Del Pontes.
Aktualizimin e një çështjeje të mbyllur para pesë vjetësh, të mbyllur për arsye se nuk u gjet as prova më e vogël, u bë me qëllim të mbështetjes së fushatës serbe për të mohuar legjitimitetin e vendimit për shpalljen e pavarësisë së Kosovës.
Paralelisht me fushatën kundër pavarësisë së Kosovës, Serbia mori kontakte me Dick Martyn, të ngarkuarin e Këshillit të Europës për të hartuar raportin rreth pretendimeve për “tregtinë ilegale me organe njerëzore në Kosovë”.
Në analizën që i kam bërë raportit që mban emrin e Dick Martyt, që gjerësisht përfshihet në librin “Mashtrimi i madh”, kam nxjerrë në shesh se ky raport nuk ka asgjë tjetër pos sajesave të Shërbimit Sekret Serb, prandaj vendosja e emrit të Dick Martyt në një raport të tillë është “plagjiaturë” e padiskutueshme.
Katër vjet pas publikimit të librit tim, “plagjiatura” e Dick Martyt u ndriçua tërësisht. Më 24 tetor të vitit 2018, gjatë përurimit të librit të tij të titulluar “Vendi i Wilhem Telit”, në televizionin serb “TV HAPPY”, ish- ambasadori i Serbisë në Zvicër, Milan St. Protiq, rrëfen për mënyrën si AI PERSONALISHT IA KA DHËNË DICK MARTYT “provat e përgatitura nga institucionet e Serbisë për trafikimin e organeve dhe për Shtëpinë e verdhë”.
Publiciteti që ju dha në mediat ndërkombëtare propagandës serbe për gjoja “tregtinë me organe njerëzore në Kosovë” u ngjalli shpresa të mëdha se mund të kthenin mbrapa rrjedhën e ngjarjeve lidhur me pavarësinë e Kosovës.
Pas gjashtë muajsh fushate histerike kundër UÇK-së dhe të trimëruar nga qëndrimet e qarqeve antiamerikane që shihnin “në shtetin e Kosovës bazën më të madhe ushtarake të SHBA-ve në botë”, Serbia ndërmori iniciativën për të gjetur mbështetje në kuadër të Asamblesë së Përgjithshme të OKB-së. Në sesionin e 63 të Asamblesë së Përgjithshme të OKB-së, të datës 8 tetor 2008, Ministri i Punëve të Jashtme të Serbisë, Vuk Jeremić-i, shtroi për miratim një projekt–rezolutë nëpërmjet të cilës kërkohej që kjo asamble të kërkonte mendimin e Gjykatës Ndërkombëtare të Drejtësisë (GJND) për shpalljen e pavarësisë së Kosovës. Po atë ditë, Asambleja e Përgjithshme e OKB-së miratoi rezolutën që kërkonte nga gjykata e lartpërmendur përmes të cilës kërkoi që Gjykata Ndërkombëtare e Drejtësisë (GJND) të japë mendim konsultativ lidhur t’i përgjigjej pyetjes: “A është shpallja e njëanshme e pavarësisë së Kosovës nga institucionet e përkohshme të vetëqeverisjes së Kosovës në pajtim me të drejtën ndërkombëtare?”. Të nesërmen, më 9 tetor 2008, Sekretari i Përgjithshëm i OKB-së, Ban Ki-Moon-i ia dërgoi këtë kërkesë Kryetarit të GJND-së.

IV. Gjykata Ndërkombëtare e Drejtësisë dhe raporti me prapavijë politike
Miratimi i rezolutës së lartpërmendur nga Asambleja e Përgjithshme e OKB-së dhe kërkesa e Këshillit të Sigurimit të OKB-së drejtuar Gjykatës Ndërkombëtare të Drejtësisë që të sqaronte nëse shpallja e pavarësisë së Kosovës ishte në pajtim me të drejtën ndërkombëtare, trimëroi edhe më shumë Serbinë dhe qarqet e afërta me të.
Prezantimi i Kosovës si “shtet mafioz” dhe i Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës si “Ndërmarrje Kriminale” që gjoja ka kryer shitjen e organeve njerëzore, vazhdoi me intensitet edhe më të madh gjatë gjithë kohës kur pritej që Gjykata Ndërkombëtare e Drejtësisë të sillte vendim lidhur me ligjshmërinë e aktit të shpalljes së pavarësisë së Kosovës. Megjithatë, në këtë rast, fushata propagandistike nuk mundi të ndikojë në vendimin e Gjykatës Ndërkombëtare të Drejtësisë.
Pasi shqyrtoi të gjitha argumentet që kishin të bënin me kërkesën e shtruar në emër të Asamblesë së Përgjithshme të OKB-së dhe duke u mbështetur në argumentet e trajtuara dhe të ekspozuara në 121 paragrafë të vendimit të vet, më 22 korrik 2010 Gjykata Ndërkombëtare e Drejtësisë shpalli se akti “i miratimit të deklaratës së pavarësisë së Kosovës, më 17 shkurtit 2008, nuk e ka shkelur as të drejtën e përgjithshme ndërkombëtare, as rezolutën 1244 të Këshillit të Sigurimit e as Kornizën Kushtetuese të Kosovës. Prandaj, miratimi i kësaj deklarate nuk ka bërë shkeljen e asnjë rregulle të aplikueshme të së drejtës ndërkombëtare.”
Përkundër faktit se ishte pikërisht Serbia dhe mbështetësit e saj që kërkuan nga Gjykata Ndërkombëtare të Drejtësisë të sqaronte ligjshmërinë e shpalljes së pavarësisë së Kosovë, vendimi i GJND-së i tërboi tërësisht dhe në vend që të pranonin qëndrimin e kësaj instance juridike ndërkombëtare, ata u lëshuan në akuza nga më të rëndat kundër kësaj gjykate.
Paralelisht me këto akuza, Serbia u orientua në përpilimin e raportit që ishte kërkuar nga Komisioni për Çështjet Juridike dhe të Drejtat e Njeriut të Këshillit të Europës. Pesë muaj pas vendimit të Gjykatës Ndërkombëtare të Drejtësisë, më 12 dhjetor 2010, i ngarkuari i komisionit të lartpërmendur, Dick Marty, në emër të vet dhe të ekipit të tij, dorëzoi projekt-raportin e titulluar “Trajtimi çnjerëzor i personave dhe trafikimin kundërligjor me organe njerëzore në Kosovë”, që realisht ishte përgatitur nga Shërbimi Sekret i Serbisë.
Për të mos lënë asnjë dyshim lidhur me atë se çka nënkuptohet me fjalën “Kosovë”, që në titull hartuesit e këtij raporti e shënjojnë me yll (*) fjalën “Kosovë” dhe bëjnë sqarimin në futnotë se “të gjitha referimet që kanë të bëjnë me Kosovën, qoftë territori, qofshin institucionet apo popullata e saj, duhet të kuptohen në përputhje të plotë me Rezolutën 1244 të Këshillit të Sigurimit të Kombeve të Bashkuara dhe pa paragjykuar statusin e Kosovës.”
Dick Marty, për të cilin shqiptarët e Kosovës nuk janë popull të cilit i takon e drejta për vetëvendosje, por, “shqipfolës që kishin shpallur pavarësinë në kundërshtim të plotë me të drejtën ndërkombëtare”;
Dick Marty, për të cilin “Rezoluta 1244 e Këshillit të Sigurimit të Kombeve të Bashkuara flet në tri vende për integritetin territorial serb dhe thotë se Kosova është krahinë serbe që do të administrohej përkohësisht nga ndërkombëtarët”;
Dick Marty, që deklaroi se “shumica e vendeve nuk e kanë njohur dhe nuk do ta njohin Kosovën”, nuk e kishte aspak të vështirë të vente emrin e vet në një raport që shpërfaq paragjykimet për Kosovën si territor, institucione dhe popullsi nën sovranitetin dhe integritetin territorial të Serbisë, përkundër faktit se Gjykata Ndërkombëtare e Drejtësisë saktësonte se shpallja e pavarësisë së Kosovës nuk është në kundërshtim me Rezolutën 1244.
Pas debateve që u zhvilluan në Asamblenë Parlamentare të Këshillit të Evropës, më 16 dhjetor 2010 u miratua projekt-rezoluta e dorëzuar në emër të Dick Martyt. Menjëherë pas miratimit të këtij raporti, 34 deputetë të Parlamentit të Zvicrës, miq të Dick Martyt, pjesëtarë të Grupit Unioni Demokratik i Qendrës, dorëzuan një “postulat” drejtuar Këshillit Federal të Zvicrës. Nocioni “postulat” kryesisht njihet si nocion matematikor, që konsiston në domosdoshmërinë e pranimit paraprak të një parimi si të vërtetë, pa pasur nevojë për ta demonstruar vërtetësinë e tij. Në të drejtën zvicerane “postulati” është kërkesë e deputetëve drejtuar Këshillit Federal, që ky institucion shtetëror të shqyrtojë mundësinë t’i dorëzojë Parlamentit të Zvicrës për miratim një ligj apo një masë të caktuar.
Kur shihet përmbajtja e “postulatit” të deputetëve zviceranë, del në shesh se “postulati” i 34 deputetëve zviceranë është i ngjashëm me “postulatin” matematik! Në tekstin e e këtij “postulati”, deputetët nënshkrues e “informojnë” Këshillin Federal se “më 16 dhjetor 2010, Këshilli i Evropës u njoftua me raportin e Dick Martyt lidhur me trafikimin e organeve në Kosovë”, se “thëniet që përmban ky raport lidhur me trafikimin e organeve në Kosovë janë shumë të vërteta” dhe rrjedhimisht nuk kanë nevojë të vërtetohen! Për këtë arsye, nënshkruesit e këtij “postulati” e lusin Këshillin Federal të Zvicrës:
“1. Që ta rishikojë politikën e vet karshi Kosovës,

  1. Që të mendojë një politikë të re ndaj Kosovës, e cila duhet të marrë parasysh më mirë se deri tani interesat legjitime të Serbisë dhe të minoritetit serb në Kosovë,
  2. Që të presë rastin e favorshëm për të kontribuar në skenën politike ndërkombëtare në kërkim të një zgjidhjeje të re, të drejtë dhe të pranueshme për konfliktin mes Serbisë me Kosovën.”.
    Në argumentimin e tyre, deputetët nënshkrues të “postulatit” përsërisin akuzat që përmban raporti në fjalë dhe sipas përpiluesve të “postulatit” “në dritën e këtij realiteti tronditës dalin në shesh dy gjëra: Së pari, kultura, qeverisja dhe praktikat e autoriteteve të Kosovës janë shumë larg nga kushtet minimale që duhet t’i plotësojë një shtet ligjor. Dhe së dyti, procesi që çoi në njohjen e diskutueshme të Kosovës pati si pasojë diskriminimin sistematik të Serbisë në krahasim me Kosovën. Këto dy elemente arsyetojnë rishikimin e politikës së Këshillit Federal ndaj Kosovës”.
    Këshilli Federal i Zvicrës e hodhi poshtë këtë “postulat”, mirëpo momenti i dorëzimit dhe sidomos përmbajtja e tij janë tregues shtesë për motivet e vërteta politike të përpilimit të këtij raporti: rishikimi i njohjes së pavarësisë së Kosovës!
    Fatkeqësisht, më 7 janar 2011, raporti ideologjik me prapavijë politike i përpiluar nga Shërbimi Sekret i Serbisë, i trafikuar me emrin e Dick Martyt, u dorëzua në formë rezolute në Asamblenë Parlamentare të Këshillit të Evropës dhe u miratua më 25 janar 2011. Ndërkaq, në përputhje me Rezolutën 1782 të Asamblesë së Përgjithshme të Këshillit të Evropës, John Clint Williamson u emërua shef i TASK Forcës Speciale të EULEX-it për të udhëhequr hetimet lidhur me pretendimet për tregti me organe njerëzore nga ana e UÇK-së.

Të ngjashme