Propaganda si bukë e përditshme dhe e kundërta e lirisë

Prishtinë | 06 Shk 2021 | 12:33 | Nga Skënder Berisha

Njohësit e propagandës dhe mendësisë totalitariste, në veçanti ata që kanë vuajtur nga ajo mendësi, e kanë lehtë ta shohin në vepër, rikthimin e heshtur, të zbukuruar të disa metodave të propagandës, në mesin e qytetarëve të lirë të Republikës së Kosovës.

Sloganet në përgjithësi, shpërfaqin vetëm disa nga anët që mund të sjellin partitë apo lëvizjet politike, pas fitores së tyre. Por, pikërisht disa nga elementet, pritet të mbisundojnë elementet tjera dhe slogani shërben, sa për të ndikuar për momentin në shpëlarjen e trurit. Disa nga porositë e sloganeve do të mbesin gjithmonë pronë e harresës, por, disa kanë rrezik të degradojnë në antivlerë të lirisë dhe ligjshmërisë, duke e rikthyer mendësinë e propagandës së keqe si qëllim në vete.

Po ta shohim rrolin e propagandës, ishte me ndikim edhe para shfaqjes së nazizmit, por, ajo u dëshmua si tejet tragjike, para dhe gjatë luftës së Dytë Botërore. Ngjashmëritë në propagandë, mund të jenë të rastit, por, është fushë e minuar. Fat i mirë është se disa propagandues janë larg rrethanave dhe mundësive për të arritur pasojat e propagandës së shekullit të shkuar. Megjithatë, ngjashmëritë janë rrëqethëse. Propaganda si bukë e përditshme krijon antiliri. Propaganda e nazizmit, ishte e “kufizuar në disa tema dhe fjalë kyçe, me kërkesa të nivelit të ultë intelektual, propagandë që synonte perceptimin emocional të masave, shmangia e diferencimeve, dhe përsëritja mijëra herë e fjalive të besimit përkatës”.

Këto parime të propagandës, mund të dallohen qartë në ligjërimin aktual dhe ballafaqimin ditor në politikën lokale dhe globale. Disa parti, i quajtën këto ligjërime të propagandës së pështirë si kauza, kauza të ndërtuara njëjtë si ato me vulë të mendësisë totalitare. Ky ligjërim përmban edhe pjesën emocionale si “rrezikun nga zhdukja, nga ikja, nga shkatërrimi dhe rreziku për shtetin”. Këto “rreziqe” të propaganduesit botës i shkaktuan shumë dhimbje, si forcë e energjisë shkatërruese të aspekteve totalitariste. Propaganda e asaj mendësie, ishte bukë e një armate që mirëmbante aparatin e dhunës. Jeta e asaj mendësie, ishte propagandë. Andaj, edhe u zhdukën. Krijimi i heronjve të rremë, kauzave të rreme, krijimi i situatave të rreme ku shquhet lideri dhe vizioni i liderit, krijimi i armiqve të rremë dhe heroizmi i liderit për identifikimin dhe luftimin e tyre, krijimi i ambientit të sëmurë të cilin e shëron lideri, krijimi i forcave të errëta dhe iluminimi i fitores dhe situatës historike të cilës i prin lideri, janë episode të cilat i kemi parë dhe janë të njohura nga ish aparatçikët.

Pjesa e sintagmës së sloganit të një force tipike majtiste, në esencë është totali, totalitarizmi i mesazhit. Mendjes racionale politike dhe qytetare, duhet t’i kumbojë më fuqishëm si alarm në ndërgjegje se sa atyre që janë pjesë e totalit, pjesë e “krejt-it” për fitore. Andaj, liria si mundësi dhe kapacitet i plotë i një shoqërie të lirë, nëpërmjet votës, duhet të reflektojë për vete dhe lirinë, mbrojtjen e vetes nga “krejt-i”, jo për qeverisjen që mund të vije, por për ngjashmërinë johumane dhe përsëritje qesharake e mendësisë totalitare. Këtë e dinë më së miri ata që nuk ishin pjesë e “krejt-it”, vuajtën kohën e përgjimit, survejimit, përndjekjes, dënimit, rrahjes, burgosjes, torturës, shantazhit, luftës speciale…Mos na raftë me harrue!

Të ngjashme