Pse duhet të pezullohet dhe të mbyllet Gjykata Speciale e Kosovës?

Prishtinë | 07 Mar 2022 | 15:07 | Nga Fehmi Ajvazi

Përgjatë krizës historike të Kosovës, në vigjilje të shkatërrimit të Jugosllavisë, Rusia kishte mbështetur Serbinë dhe agresionet e saj brenda Jugosllavisë. Prandaj, cila ka qenë agjenda ruse në kontekstin e historisë më të re të Kosovës?Në instancat ndërkombëtare, si në Këshillin e Sigurimit të OKB-së, përgjatë bisedimeve ndërkombëtare rreth zgjidhjes së këtyre krizave, përfshirë edhe bombardimet e NATO-s në Kosovë, Rusia vazhdimisht ishte pozicionuar në anën e Serbisë. Estabilishmenti politik rus, e ka trajtuar në mënyrë sistematike – historike, Kosovën si pjesë integrale territorial të Rusisë.

Në çdo pikëpamje, me këtë qëndrim, Rusia e ka mbyllur rrethin e pozicionimit ndryshe, por edhe portën e çfarëdo relacioni pozitiv të zhvillimit të marrëdhënieve shqiptaro-ruse. Qysh në vitet e 90-ta, Moska e ankoroi në Ballkan një emisarë, e pastaj ambasador sa në Zagreb, Sarajevë, Beograd, z. B. Hrashqenko – ambasadorin aktual në Beograd, i cili penetron pa shkëputje fizike, tash e tri dekada politikat ruse për Ballkanin.

1. Agjendat ruse në kontekstin e Kosovës

E qartë qëndrimet politike dhe ushtarake ruse, shprehin tendencat e hapura dhe të kamufluara si në rastin eklatant të 11 qershorit 1999, kur trupat ruse nga misioni në Bosnje u futën pa marrëveshje ndërkombëtare në Prishtinë, në demonstrim të rivalitetit dhe të ruajtjes së ndikimit në gadishullin ballkanik. Partneriteti rus me Serbinë dhe kundër Kosovës, ka vazhduar në kontinuitet në forma të ndryshme: lejimin e vullnetarëve rus në mesin e forcave ushtarake serbe në Kosovë (1998/99), infiltrimin e agjentëve të GRU-së dhe SFR-së brenda njësive civile në UNMIK, brenda misionit të OSBE-së, dhe brenda policisë së EULEX-it. Nuk po ndalemi mbi faktet se sa ka qenë i infiltruar rrjeti i spiunazhit rus, brenda organizatave të ndryshme ndërkombëtare që erdhën mbas luftës në Kosovë me dhjetëra e me qindra.

Qindra incidente, vrasje, afera dhe diversione, e përbëjnë historinë e Kosovës vetëm përgjatë viteve 1999-2008. Në kontekst, një i ashtuquajtur “kamp” agjenturorë rus me seli në qytetin e Nishit, ka kohë që e koordinon rrjetin e spiunazhit rus në Ballkan. Por, nuk duhet harruar se qendra kryesore e spiunazhit rus në Evropën Juglindore, gjendet në malin Atos, brenda kampit politik dhe agjenturorë kishtar ortodoks. Po ashtu, në Prishtinë qysh kur është e hapur një e ashtuquajtur zyre ndërlidhëse Kosovë – Rusi që pothuajse nuk komunikon fare me institucionet e Kosovës, por që kjo zyre dominohet me dhjetëra pjesëtarë të personelit, sikur t’ishte me statusin e ambasadës! Çfarë i duhet Moskës një zyre e këtillë në shtetin që se njeh, e që madje e konsideron territor të një shteti tjetër?

Veprimtaria ruse kundër Kosovës, nuk ka vetëm karakter politik dhe historik. E, as vetëm karakter të një qëndrimi shtetërorë që, mund të ndryshojë nesër…! Rusia, ka edhe një qëndrim strategjik në viset etnike shqiptare, dhe kjo e bën edhe më të ndërlikuar situatën. Sepse, ndryshe, as nuk mund të shpjegohet koherenca ruse shekullore që, me çdo kusht në çfarëdo periudhe historike dhe në çfarëdo konteksti, të përzihet në çështjet shqiptare, siç është çështja e Kosovës. Jo rastësisht, para dhe pas shpalljes së pavarësisë së Kosovës (2008), Rusia ka shfaqur mos pajtime dhe e ka penguar në forma dhe metoda të ndryshme rrjedhën e pavarësisë, e po ashtu, e ka penguar stabilitetin e Kosovës. Në të gjitha organizatat ndërkombëtare, që prej OKB-së e deri te UNESK-o, Rusia ka qenë kundër shtetësisë së Kosovës, dhe kundër materializimit të shtetit të Kosovës duke vendosur vete, duke votuar kundër etj. Mbi një koherencë të vazhdueshme propagandistike dhe agjitative, brenda dhe jashtë shtetit, Rusia ka zhvilluar një luftë speciale politike, diplomatike, mediale, agjenturore etj. E gjitha, për ta sabotuar në vazhdimësi gjendjen dhe perspektivën e Kosovës.

Në kontekst, Kosova është goditur vazhdimisht në agjendat dhe perspektivat e stabilizimit të saj, si dhe në agjendat e zhvillimit të saj. Prandaj, kapja dhe dëbimi i agjentëve rus nga Kosova në fund të vitit të kaluara (nëntor, 2021), nënkupton të vërtetën se sa shumë e përkushtuar ka qenë dhe mbetet Moska për ta penguar me çdo mundësi politike dhe me çdo mjet, perspektivën e Kosovës. Prandaj, nuk ka dyshim se në “kontekstin e Kosovës”, politika ruse ka qenë dhe mbetet aktive, madje në shkallë të lartë politike dhe agjenturore. Shaqir Vukaj, ish ambasador në Rusi në vitet 1998-2002, thotë se është e gjerë dhe e thellë tema e trajtimit të problemit të Kosovës në hapësirën rusofone. Për shembull, në librin e tij “Maratona presidenciale”, Boris Jelcini presidenti i parë i Federatës Ruse mbas shpërbërjes së “BRSS”-së në rekapitulim të kujtimeve të tij dhjetëvjeçare në politikë si president i Rusisë, një vend të rëndësishëm ia ka kushtuar Kosovës. Ish agjent i KGB-së për Lindjen e Mesme, ministri i jashtëm në periudhën e krizës kosovare dhe gjatë luftës kryeministër i Rusisë, Jvgeni Primakov, në librin e tij “Vitet në politikën e madhe”, është marrë goxha gjatë me temën e Kosovës, madje, thekson z. Vukaj për të, “ajo ka qenë tema më e mprehtë dhe problemi më i vështirë i asaj periudhe”.

Në kronologjinë e udhëheqësve të lartë politik dhe shtetërorë rus, gjenden të tjera figura prestigjioze që kanë qenë të fokusuar rreth problemit të Kosovës, madje me zell dhe qasje jashtëzakonisht influencuese. “Ish kryeministri Bashkimit Sovjetik në vitet 1985-1990, N. I. Rizhkov i ka kushtuar Kosovës një libër me rreth 450 faqe, të titulluar “Golgotha jugosllave”. Pothuajse asnjë personalitet i lartë i politikës ruse të asaj kohe, që ka shkruar për atë periudhë, nuk i është shmangur temës së Kosovës. Tema e Kosovës vazhdon të tërheqë edhe sot e kësaj dite vëmendjen e studiuesve, historianëve e analistëve rusë. Në këtë kuadër përmendim botimin e Institutit të Analizës politiko-ushtarako të Shtabit të Përgjithshëm të Ushtrisë Ruse “Ballkani sot dhe nesër”, librat “Faktori Kosovë”, “Faktori shqiptar i krizës ballkanike”, botimin voluminoz i Akademisë së Shkencave të Rusisë, “Konflikti në Kosovë dhe siguria ndërkombëtare” etj. Në kuadrin e këtyre botimeve, një vend të rëndësishëm zë libri i V. S. Çërnomërdinit “Ftesa”. Autori është personalitet shumë i njohur shtetëror dhe shoqëror në Rusi, i cili në periudhën 1993-1998, ka qenë kryeministër i Rusisë. Libri, që mund të përfshihet në zhanrin e kujtimeve politike, i kushtohet veprimtarisë ndërmjetësuese dhe rolit që ka luajtur ai si përfaqësues i posaçëm i presidentit rus Boris Jelcin, për përfundimin e Iuftes në Kosovë, në vitin 1999.

2. Shpërfytyrimet politike dhe shtetërore – aktuale të Rusisë

Pas urdhrit të presidentit Vladimir Putin, mbi 120 000 trupa ushtarake me armatime të rënda që e kishin rrethuar Ukrainën qysh nga mesi i nëntorit (2021), shkelën pikat kufitare dhe hynë në territorin e këtij vendi të pavarur. Rusia, në orët e para të mëngjesit të 24 shkurtit, e filloi invadimin ushtarak të Ukrainës të cilën, e ka njohur edhe vetë. Fakti se armata ruse e shkeli integritetin territorial të një vendi të lirë dhe sovran, e shtyri Këshillin e Evropës që përkohësisht ta suspendoj Rusinë nga kjo organizatë ku përfaqësohet me më së shumti anëtarë, dhe ku ka një rol dominant në përfaqësim dhe vendimmarrje. Ndonëse, ishte paralajmëruar nga shtetet e ndryshme, Rusia me këtë veprim ka bërë shkelje të shumta të së drejtës ndërkombëtare dhe rendit aktual ndërkombëtarë, ka cenuar konventat e OKB-së mbi paprekshmërinë e integritetit dhe të sovranitetit të shteteve, konventat e mbrojtjes së të drejtave të njeriut, të drejtën humanitare etj. Të nesërmen e fillimit të agresionit, ministrja e jashtme gjermane Annalena Baerbock tha se BE do të ndërmerre hapa konkret në raport me gjendjen, përfshirë edhe sanksione ndaj presidentit Putin dhe ministrin të jashtëm Lavrov. “Ata janë përgjegjës për faktin se në Ukrainë vdesin njerëz të pafajshëm, ata janë përgjegjës për faktin se sistemi ndërkombëtar është nëpërkëmbur dhe ne si evropianë nuk e pranojmë këtë”, ka thënë shtoi ministrja Baerbock, raportoi televizioni CNN.

Aktualisht, në terren po zhvillohen luftime të ashpëra. Armata ruse po përdorë makineri të rënda (aeroplan, helikopterë, tanke, artileri dhe sistemet raketore), dhe po sulmon fshatra e qytete, përfshirë edhe kryeqytetin Kijev. Pa dyshim, ushtria ruse është duke i shkelur ligjet e luftës. Në videot e shumta që janë shpërndarë gjithandej, janë parë skena të goditjes së shtëpive dhe lagjeve, por edhe vrasje (likuidime) të civilëve ( në periferi të Mariupolit) në përpjekje për tu larguar nga zonat e luftimeve. Aksionet blic – krug dhe bombardimet në distancë, kanë shkaktuar goditjen e pikave civile: çerdhe, spitale, objekte shërbimesh të ndryshme. Sipas njoftimit të Ministrisë së Brendshme të Ukrainës, janë vrarë 352 civilë, prej tyre 14 fëmijë dhe se janë plagosur 1684 persona, përfshirë 116 fëmijë. ( 28.02.2022. Indeksonline). Dëmet material, janë të pallogaritshme për momentin. Kështu, lideri urainas Zelinski, ka thënë se Ukraina do ta padis në gjykatën e Hagës estabilishmentin rus për krimet që po i bën ndaj popullsisë civile.

Agjencitë e lajmeve kanë bërë të ditur se tashmë, edhe zyrtarisht është dorëzuar në Gjykatën Ndërkombëtare në Hagë padia e Ukrainës. Krahas ashpërsimit të luftimeve, Bashkimi Evropian ka ndërmarrë hapa të ashpër ndaj regjimit të Putinit: shtetet anëtare e kanë mbyllë hapësirën ajrore Rusisë, dhe kanë ndarë një pako prej 450 milion euro ndihmë Ukrainës. Të njëjtin veprim, kanë ndërmarrë edhe shumë shtete të tjera. Urgjentisht, janë vendosur sanksione ekonomike ndaj individëve dhe kompanive ruse nga institucionet ndërkombëtare financiare dhe se Rusia, tashmë është larguar edhe nga SVIFT. Po ashtu, janë bllokuar edhe lëvizjet e politikanëve dhe ushtarakëve të lartë rus. Rusia, është përjashtuar nga aktivitetet e ndryshme kulturore, mediale, sportive etj. Unioni Evropian i Transmetimit (EBU), ka marrë vendim që Rusia të përjashtohet nga garat e Evrovizionit, ashtu si dhe UEFA që ka anuluar ndeshjet futbollistike me Rusinë.

De faktorizimi i politikës ruse dhe raporti diversiv i Dick Martit

Mobilizimi politik dhe ushtarak i SHBA-ve, Anglisë, Kanades dhe i vendeve anëtare të BE-së dhe NATO-s, përfshirë edhe mobilizimin humanitar, shëndetësorë, në pritjen e refugjatëve etj., e shpjegon më së miri faktin se Rusia, është duke shkaktuar agresion dhe se me veprimin e këtillë gjithnjë e më shumë po shndërrohet në një shtet të padëshiruar në shoqëritë globale, në marrëdhëniet ndërkombëtare etj. Politikat e gabuara dhe destruktive ruse, po e rrezikojnë sigurinë e popujve dhe të kombeve, rendin demokratik, dhe janë duke e futur në spirale të dhunës perspektivën tonë globale. Të dielën më 27 shkurt, presidenti Putin urdhëroi komandën e armatës ruse që t’i vendosë në gjendje gatishmërie armët bërthamore.

Ndërsa i kthehemi agjendës ruse në Ukrainë, s’i në asnjë rast tjetër në historinë moderne ruse të këtyre 70 viteve të fundit, madje as edhe s’i në rastin e intervenimit të armatës ruso-sovjetike në Afganistan (1979), nuk mund të gjejmë shembull krahasimi, jo vetëm nga pikëpamja shpërfytyruese por edhe e nga pikëpamja e de faktorizimit masiv të politikës ruse në marrëdhëniet ndërkombëtare. E gjithë bota liridashëse dhe demokratike, është tronditur me intervenimin rus në Ukrainë, dhe se tronditja po vazhdon në përmasa të thella, të paparashikueshme. Njerëzimi, po e jeton makthin e luftës dhe të perspektivës së pasigurt nën kërcënimet e armëve ruse, madje edhe nën kërcënimin nuklear rus. Kështu, përgjatë kundërvënies së madhe antiruse, përfshirë sanksionet e ndryshme deri te ato sportive dhe teknologjike, Këshilli i Evropës qe një nga organizatat e para supranacionale që, të nesërmen e invazionit rus në Ukrainë, praktikisht më 25 shkurt 2022, e suspendoi Rusisë nga organizata. “Komiteti i Ministrave të Këshillit të Evropës, me të cilin Italia mban presidencën, mori vendimin për të suspenduar Federatën Ruse nga anëtarësimi i saj”, bëri të ditur Di Maio, ministri i jashtëm Italian. Të kujtojmë këtu se Këshilli i Evropës u formua pas Luftës së Dytë Botërore për të mbrojtur të drejtat e njeriut dhe sundimin e ligjit në të gjithë kontinentin evropian.

Reagimi i këtillë, mbase urgjent, tregon mllefin e arsyeshëm dhe serioz të anëtarëve të kësaj organizate ndaj sjelljeve dhe veprimeve ruse brenda “familjes” ndërkombëtare të shteteve, dhe brenda rendit global.

Në rrethanat aktuale, politika shtetërore ruse e ka humbur autoritetin e saj në përmasa ndërkombëtare dhe se, sjelljet e papërgjegjshme dhe luftënxitëse ruse po e vendosin gjithnjë e më shumë Moskën në “listën” e shteteve të bushtit të së keqes! Po ashtu, politika shtetërore ruse po shfaqet jo vetëm si agresive në përmasa ndërkombëtare, por e pasigurte, e pabesë, dhe e rrezikshme për rendin dhe paqen globale. Sido qoftë, politika ruse nuk e ka ndryshuar diskursin e saj në vitet e fundit, apo edhe përgjatë këtyre dy dekadave etj. Politika ruse, në përgjithësi e ka ndjekur diskursin historik shekullorë të ekspansionizmit, nxitjes së luftërave dhe të pushtimeve, si dhe listën e aleancave dhe të aktiviteteve që, fare pak i kanë kontribuar paqes dhe stabilitetit global.

Kur është fjala për “kontekstin e Kosovës”, politika ruse ka ndjekur ndikimet e të fortit, qasjet destruktive, dhe diskursin e kundërvënieve agjendave të zgjidhjes së drejtë të çështjes së Kosovës. Rusia, ka nxitur dhe ka përkrahur aktivitetet dhe veprimet kundër dhe pavarësisë së popullit të Kosovës, gjithnjë e blinduar në anën e Serbisë. Në këtë aspekt, shembulli destruktiv dhe me pasoja të mëdha për shqiptarët dhe Kosovën, është “raporti i Dick Martit”. Fillim e fund, Rusia përkufizohet si pjesëmarrëse në inicimin, projektimin dhe materializimin e këtij raporti politik dhe agjenturorë me përmasa diversive, e ku pasojat për shqiptarët dhe Kosovën kanë qenë të pallogaritshme.

4. Gjykata Speciale: Pse duhet të mbyllet kjo gjykatë…?

Në kontekst, përmes veprimeve pararendëse si për shembull raporti i Dick Martit, tamam si një pykë mes një lisi të trashë, Rusia në bashkëpunim me Serbinë, e nxiti me çdo kusht formimin e detyrueshëm dhe të padrejtë të Gjykatës Speciale të Kosovës. Pra, fillesat e kësaj gjykate, formimi dhe funksionalizimi, u bë nën presionin e madh të Rusisë, në bashkëpunim me Serbinë. Gjuetia ndërkombëtare e UNMIK-ut që filloi menjëherë mbas luftës kundër strukturave që kishin udhëhequr zonat e luftës në Kosovë, u ngritë në shkallë më të lartë përmes EULEX-it, duke shkaktuar afera dhe arrestime të ish strukturave të Shtabit të UCK-së. Për vite të tëra, u nxitën, u montuan dhe u përgatitën lloj-lloj skemash dhe aferash agjenturore, me çka u bënë arrestime dhe burgosje, u ngritën hetime dhe akuza të cilat, kurrë s’u dokumentuan deri në fund. Publikimi pastaj i raportit të njohur i Dick Martit (2010), e skandalizoi hapësirën albanofone, ashtu si edhe gjithë skenën ndërkombëtare. Epilogu i gjithë kësaj hajke, u finalizua me formimin e Gjykatës Speciale të Kosovës nën presionit të tmerrshëm politik dhe propagandistik ndërkombëtarë të Rusisë dhe të Serbisë. E gjitha, përfundoi me fletë-arrestet ndaj presidentit në detyrë të Kosovës z. Hashim Thaci, të kryetarit të Kuvendit z. Kadri Veseli, dhe të burgosurve të tjerë si Jakup Krasniqi, Rexhep Selimi, Nasim Haradinaj etj.

Ekskluzivisht, raporti i Dick Maritit u zyrtarizua më 16 dhjetor 2010, dhe u aprovua nga Asambleja e Këshillit të Evropës më 25 janar të vitit 2011. Nga një përmbajtje voluminoze prej 171 pikave, ky raport përfundoi në shportën e mbeturinave. Por, raporti e mbajti peng Kosovën për vite me radhë: e skandalizoi Kosovën në planin e brendshëm dhe të jashtëm, e destabilizoi, ndikoi në keqësimin dramatik të raporteve të brendshme politike në Kosovë, e shkatërroi imazhin e Kosovën në politikën e jashtme, ndikoi në humbjen e shpresës tek njerëzit etj. Për më keq, shqiptarët u panë si “dele e zezë” në Ballkan dhe në Evropë për shkak të fokusit akuzues të raportit, dhe e humbën në shkallë të gjerë imazhin pozitiv që kishin. Miliona lajme, raporte, analiza, debate dhe deklarata në shtypin e shkruar dhe në televizion, u lansuan gjithandej. Lufta speciale kundër shqiptarëve mori përmasa të atilla sa që, nga të trajtuarit e tyre me sinqeritet kudo në botë, shqiptarët u kthyen në qenie njerëzore të trajtuar me përbuzje.

Në kontekst, c’ishte ky dokument? Nga erdhi, pse, c’farë objektiva synoi…? Mbi të gjitha, kush qe autori i raportit, Dick Marti?

Dhjetë vite më vonë pas publikimit të raportit, gazeta franceze “L’Opinion” (qershor, 2020), botoi një artikull ku bënte me dije se Dick Marti, qysh në fillim të vitit 2010, ishte fërkuar apo kishte qenë në lidhje me shërbimin sekret ushtarak rus: GRU. “Në prill të vitit 2018, konsulli gjeneral i Rusisë në Strasbourg, Valery Levistky, u dëbua. Kjo masë ishte marrë për shkak të aktiviteteve klandestine si agjent i GRU (Shërbimit informativ ushtarak rus). Por, siç ishte përmendur në Le Monde (23 dhe 24 qershor 2019), ky spiun ishte në kontakt me senatorin Marty në fillim të vitit 2010. Do të thotë, një vit para hartimit të raportit të tij. Zyrtarisht i dërguar në administratën në Duma, Levistky e kishte shoqëruar Dick Martyn në Kaukazin verior. Duke e parë pedigrenë e tij, vështirë të imagjinohej se Levistky ishte i kënaqur të ishte vetëm shoqërues (guide). Epizodi, duket si një ‘shkëmbim informatash’, gjerë e gjatë për ta kultivuar më pas ‘legjendën’ e trafikut të organeve? Sepse, autoritetet e Beogradit, sikurse aleatët e tyre moskovitë, nuk ishin ndalur së bllokuari pavarësinë e Kosovës. Aq mirë sa që duket që historia i paraprinë operacioneve të dezinformomit të ngritura përmes goditjeve ‘fake news’ nga autoritetet ruse në Evropë. Dick Marty, asnjëherë nuk është detyruar t’i shpjegonte aproksimimet e tij; imunitetit i tij parlamentar i shërbente për të evituar kërkesat e EULEX-it…”

Epilog: Vitet kaluan, ndërsa pas formimit të Gjykatës Speciale në 2015, raporti i Dick Martit dhe vetë Dick Marti, u avulluan si fluskë sapuni. Por, në kontekst, në skenë u shfaqën “raporte të tjera”, shemra hetuese dhe akuzatore të cilat quan në arrestimet që, tashimë i dimë të gjithë. Realisht, populli dhe shteti ynë Kosova, pësuan goditje të tjera sistematike: në planin e brendshëm dhe, të jashtëm. Veçse, diskursi ruso – serb, nuk ndryshoi aspak. Dhe, ndërsa që Ukraina, është “piktura” më e fundit e përgjakur ruse s’i pasojë e këtyre diskurseve, Serbia po përpëlitet që të gjejë rrugë për diskursin e saj, po ashtu të përgjakur politik dhe historik për ta trazuar edhe njëherë Ballkanin. Prandaj, mbi këto kondita të deformuara, agresive, luftë zhvilluese dhe kërcënuese për kontinentin tonë dhe paqen globale, madje edhe aktualisht, kërkesa zyrtare e institucioneve të Kosovës drejtuar faktorëve vendosës për ta mbyllur Gjykatën Speciale të Kosovës me seli në Hagë, duhet të jetë një veprim i patjetërsueshëm. Kjo gjykatë, ashtu si edhe plotë të tjera, as nuk janë të besueshme dhe as kredibile sepse, janë shtyrë dhe janë formuar nën presionin, ndërhyrjet dhe veprimet direkt dhe indirekte të Rusisë dhe të Serbisë.

Të ngjashme