Pse është e nevojshme që Vjosa Osmani të formojë parti më vete?

Prishtinë | 27 Mar 2020 | 19:39 | Nga Zeqir Bekolli

Zgjedhjet e fundit, premtimet para elektoratit dhe rrjedhat pas tyre, para popullit të Kosovës shtrojnë nevojen e një hapi tjetër për ta përmirësuar gjendjen në vendin tonë, të katandisur siç është më së keqi. I rënduar dhe i lënduar keq nga krimi dhe korrupsioni dhe papërspektiva e krijuar, sidomos për gjeneratat e reja, me papunësi ekstreme, janë sinjale të mjaftueshme se nga populli duhet të zgjohen forcat e fjetura për të krijuar bazamente të reja të shtetit të ri, në mënyrë që të eliminohen të gjithë ata, që në një mënyrë ose tjetër e sollen gjendjen këtu, ku është.

Kosova ka potencial njerëzor dhe fatbardhësit të rini të shëndoshë , ka pasuri natyrore dhe toka pjellore e mjedise turistike, me të cilat mund të ecën për para, të zhvillohet dhe të mos mbetet peng e grabitjeve, zhvatjeve deri në pa kufi. Por që kjo të ndodhë duhet patjetër të krijohet një vullnet i madh politik, që në vendin tonë nuk ekziston dhe me këto trende të zhvillimit as që pritet të ketë, për faktin se në skenë nuk gjenden njerëz të gatshëm për ta bërë shtetin me portret, ku sundon ligji dhe rendi.

Por, që të ndodhë kjo, që të krijohet një bazë e shëndoshë për ta luftuar shtresën e kalbur duhet të veprojnë njerëzit me autoritet si në rastin e Vjosë Osmanit, e cila në zgjedhjet e fundit mblodhi nja 160 mijë vota. Shtohet pyetja: Pse Vjosë Osmani duhet të krijojë parti më vete?

Kam përshtypjen se Vjosë Osmani nuk është person i korruptuar, i takon një mentaliteti që është i interesuar ta bëjë shtetin, ku do të sundojë ligji dhe redni, kurse Kosovës do t’ia afronte një bazament dhe një gjeneratë e strukturë të kuadrove të pakorruptuara, që vendin do ta shtynin për para.

Vjosa e ka edhe një përparësi, në mesin e shumë përparësive. Asaj askush nuk do të mund t’ia drejtojë gishtin për zhvatjen e mjeteve të 3 përqindëshit, të shkatrrimit të “Dardania Bankës”, të dhënies së kredive firmave shqiptaro-serbe të kohes së Millosheviqit, pas viteve të ’90, nga mjetet e fondit të grumbulluara në këtë Bankë, për shkatërrimin e “Rilindjes”, për zhvatjet e pas luftës, për nepotizëm, për mentalitet totalitar e të ngjashme.

Vjosa e ka edhe përparësinë tjetër. Atë e mbështetën mbi 160 mijë votues që janë të interesuar që në këtë vend të mbisundojë ligji e rendi dhe të ç’rrënjoset krimi dhe korruspioni.

Mbi këto argumente besoj se Vjosë Osmani, edhe si femër e përgatitur dhe e guximshme që është, do t’i prijë me sukses një subjekti të ri, për ta dërguar vendin aty, ku tash synon mëse 90 për qind e popullit, për ta bërë një vend të lumtur për të gjithë ata që jetojnë në Kosovë.

Ndoshta, ndokush do të mendojë se me këtë hap ajo dhe subjekti i saj i ri do të pësonin fatin e LDD-së. Kjo nuk mund t’i ndodhë asaj, sepse gjendet në rrjedhat e frymës për ndryshime dhe jo kundër saj. Pritja për ndryshime e reforma në subjektin ku ndodhet do t’i kushtojnë, sepse ato mund të jenë tejet të vonshme ose nuk do të ndodhin kurrë.

Vjosë e ke guximin, nisi hapat e parë se është mirë për ty, është mirë për Kosovën, është mirë për gjeneratat e ardhshme.

Të ngjashme