Pse kjo heshtje e shoqërisë, për skandalet e njëpasnjëshme?

Prishtinë | 02 Qer 2022 | 11:47 | Nga Afrim Kasolli

Nuk ka dyshim se edhe pushtetin aktual kanë filluar ta shoqërojnë skandale të njëpasnjëshme. Madje aq të shpeshta janë bërë ato, saqë pa u konsumuar mirë njëri, po shpërthen tjetri. Janë të njohura për opinionin këto. Dhe nuk ka nevojë të përsëriten.

Mirëpo, edhe përkundër shndërrimit të fenomeneve të tilla në dukuri serike, përsëri po mungon në reagim kolektiv shoqëror. Çka do te thotë kjo? A është atrofizuar aq shumë nervi qytetar saqë është bërë imun ndaj çdo anomalie që mund të ndodhë. Dhe tashmë nuk i bënë më përshtypje asgjë.

Abuzimet e tilla kanë filluar të shihen si normale. Apo ka një amnisti të përgjithshme publike dhe politike ndaj “regjimit të ri”?

Personalisht, nuk mund ta them me siguri as njërën as tjetrën. Por që për kauza të tilla të ketë një reagim më serioz duhet padyshim të ketë një mobilizim. Dhe një forcë të besueshme shoqërore që mbi tema të tilla e shton presionin publik mbi qeverinë. Zakonisht këtë detyrë e kryen opozita. Kontribut mund të japin edhe segmente të tjera të shoqërisë, sikur mediet, shoqëria civile, por përsëri barra kryesore në këtë kryqëzat i takon asaj.

Prandaj këtë “solidarizim” shoqëror ndaj skandaleve të pushtetit aktual mund ta shohim edhe si pasojë e mosbesimit shoqëror në raport me opozitën. Dhe jo si amnisti të pushtetit.

Sepse, kjo shoqëri e degdisi këtë opozitë nga pushteti, në margjina që ajo të reformohet, këndellet e ta përjetojë një katarsis të njëmendtë politik, shoqëror, moral dhe psikologjik me qëllim që të shfaqet si alternativë mirëfilltë ndaj pushtetit. E jo që ajo ta improvizojë këtë proces.

Ku të njëjtit njerëz , të cilët dje ishin përgjegjës për rrënimin e saj, të na shfaqen sot si shpëtimtarë të së ardhmes. Sjelljet e saj po dëshmojnë se ajo nuk ka vullnet politik ta kuptojë arsyen se pse gjendet në këtë pozicion. E ku tashmë është kapluar nga një shpresë e vetme, te një kurthim eventual i pushtetit aktual në temën e dialogut për shkak të presioneve ndërkombëtare për dialogun, në mënyrë që opozita të rikthehet në pushtet ashtu siç ishte para se ta humbte atë, pa ndryshuar fare. Pra që ta vazhdojë misionin e administrimit të institucioneve politike nga mendësia e familjarizimit, klanizmit dhe farefisnisë.

Mbase, këtë heshtje shoqërore mund ta shohim edhe si refuzim të qytetarëve të këtij vendi për ta pranuar të njëjtën gjellë opozitare me një garniturë të ndryshme. Me indiferencën e saj, shoqëria kosovare po dëshmon, se nuk është e kënaqur as me pushtetin, por nuk mund të pajtohet as me ata që po e shpërfillin kërkesën e saj për ndryshim.

Të ngjashme