Pse s’po fillojnë hetimet e Prokurorisë në këto Ndërmarrje Publike në Kosovë

Prishtinë | 03 Qer 2022 | 11:42 | Nga Medain Hashani

Në Kosovë procesin e auditimit për të gjitha Institucionet të cilat janë përfitues të Buxhetit të Republikës së Kosovës, e kryen Zyra Kombëtare e Auditimit (ZKA). Në mesin e të gjitha Institucioneve të cilave i’u kryen procesin e auditimit ZKA-ja janë edhe ndërmarrjet publike.

Në bazë të Ligjit Nr. 05/L-055 PËR AUDITORIN E PËRGJITHSHËM DHE ZYRËN KOMBËTARE TË AUDITIMIT TË REPUBLIKËS SË KOSOVËS – Zyra Kombëtare e Auditimit ka të drejtë t’i auditojë të gjitha aktivitetet financiare, administrative dhe të tjera, programe dhe projekte të menaxhuara nga një apo më shumë institucione, përfshirë proceset dhe të ardhurat nga shitja e pasurive, privatizimi dhe koncesionet. Zyra Kombëtare e Auditimit ka të drejtë t’i përcjellë fondet publike deri tek përfituesi i fundit, Zyra Kombëtare e Auditimit është e obliguar të kryej në baza vjetore auditimin e detyrueshëm të rregullsisë së:

  • Raportit të Qeverisë për Buxhetin e Kosovës;
  • Të gjitha organizatave buxhetore të cilat në mënyrë të drejtpërdrejtë kanë pranuar një buxhet përmes Ligjit vjetor të Buxhetit dhe janë të obliguara të hartojnë Pasqyra Vjetore Financiare;

Zyra Kombëtare e Auditimit mund të kryej auditime të detyrueshme të rregullsisë në Ndërmarrjet Publike. Auditori i Përgjithshëm informon Aksionarin më së voni me 30 shtator të vitit aktual mbi atë se cilat nga këto auditime do të kryhen.

Transparenca e ZKA-së është e nivelit mjaft të lartë, sepse të gjitha raportet e auditimit për të gjitha institucionet për të cilat e ka kryer këtë proces i publikon në ueb faqen e saj dhe secili qytetar ka qasje në ato raporte të auditimit.

Nëse i analizojmë raportet e auditimit të ndërmarrjeve publike, pothuaj se 90 % e ndërmarrjeve nuk kanë opinion të auditimit të pakualifikuar pra ose kanë opinion të kundërt ose kanë opinion të kualifikuar. Mirëpo shqetësimi të cilin e kam ngritur ka të bëjë me ndërmarrjet të cilat e kanë marrur opinionin e kundërt disa në vitin 2020 dhe disa në vitin 2021 dhe nuk kemi asnjë iniciativë të Prokurorisë në këtë drejtim.

Për të kuptuar më mirë qytetarët lidhur me opinionet e auditimit do të paraqes më poshtë se cilat janë llojet e opinioneve të cilat jepen në raportin e auditimit:

Opinion i pakualifikuar – jepet në rastet kur auditori është i kënaqur në të gjitha aspektet materiale të pasqyrave financiare, pra pasqyrat financiare janë përgatitur në të gjitha aspektet financiare, materiale mirë sipas politikave, rregulloreve të cilat institucioni është i obliguar ti respektoj.

Opinion i kualifikuar – jepet në rastet kur auditori nuk pajtohet ose është i pasigurt në lidhje me një apo më shumë zëra të caktuar të pasqyrave financiare të cilat janë materiale por jo thelbësore për kuptimin e pasqyrave financiare.

Opinion i kundërt – jepet në rastet kur auditori nuk ka mundësi të formoj një opinion për shkak të mospërputhjeve që janë aq thelbësore të pasqyrave financiare, sa që këto mospërputhje sa pasqyrat financiare të prezantuar nuk përputhen në asnjë mënyrë.

Mohim i opinionit – jepet në rastet kur auditori ka kufizime në fushëveprim të procesit të auditimit dhe ka paqartësi të shumta të cilat nuk mund të argumentohen nga institucionin në të cilin është duke u kryer auditimi.

Në analizën të cilën e kam bërë ka fakte të shumta në të cilat duhet të ndërhyj Prokuroria të këto ndërmarrje publike:

  1. Radio Televizioni i Kosovës (RTK)
  2. Telekomi i Kosovës
  3. Kompania Rajonale e Ujësjellësit Prishtina
  4. KRM Pastrimi
  5. KRU Drini Bardhë
  6. Hortikultura Sh.A
  7. KRU Bifurkacioni SH.A

Të gjitha këto ndërmarrje publike të potencuara më lartë kanë marre opinion të kundërt gjatë kryerjes së procesit të auditimit nga ana e ZKA-së. Andaj opinioni i kundërt tregon se Pasqyrat Financiare të të gjitha këtyre ndërmarrjeve kanë mospërputhje të shumta me atë që prezentohet nga menaxhmenti i tyre.

Në vazhdim po i paraqes disa të dhëna të përmbledhura nga raportet e auditimit të cilat kanë qenë bazë për opinion të kundërt për këto ndërmarrje, pra jo të gjitha mirëpo vetëm disa më kryesore sepse ka shumë të dhëna:

  1. Tek RTK-ja ka mospërputhje të të dhënave të prezentuara për vitin 2021 në shumën prej mbi 1 milion euro.
  2. Tek Telekomi Kosovës ka mospërputhje të të dhënave të prezantuara për vitin 2020  me dhjetëra milion euro.
  3. Tek Kompania Rajonale e Ujësjellësit Prishtina ka mospërputhje të të dhënave të prezantuara për vitin 2020 me dhjetëra milion euro.
  4. Tek KRM Pastrimi ka mospërputhje të të dhënave të prezantuara për vitin 2020 në shumën prej mbi 1 milion euro.
  5. Tek KRU Drini Bardhë ka mospërputhje të të dhënave të prezantuara për vitin 2020 në shumën prej mbi 1 milion euro.
  6. Tek Hortikultura SH.A ka mospërputhje të të dhënave të prezantuara për vitin 2020 në shumën prej mbi 1 milion euro.
  7. Tek KRU Bifurkacioni Sh.A ka mospërputhje të të dhënave të prezantuara për vitin 2020 në shumën prej mbi 1 milion euro.

Të gjitha këto fakte dhe argumente në mënyrë më detale janë të paraqitura në raportet e auditimit të këtyre ndërmarrjeve publike. Andaj në mënyrë që të rregullohet sistemi i menaxhimit të ndërmarrjeve publike, mendoj se në Bordet e këtyre ndërmarrjeve dhe menaxhmenti tyre duhet të jenë njerëz kompetent me përvojë të lartë në mënyrë që mos kemi situate të tilla. Prandaj Prokuroria duhet të filloj hetimet menjëherë në mënyrë që të gjenden personat të cilat i kanë shkaktuar këto probleme për këto mospërputhje të pasqyrave financiare.

Të ngjashme