Pse zhvillohen luftërat?

Prishtinë | 10 Gus 2022 | 10:41 | Nga Afrim Kasolli

“Politika është vazhdim i luftës me mjete tjera”, thotë M.Fuko në librin e tij të njohur “Society Must Be Defended”.

Kështu, rreziku i një konflikti me Serbinë, ka qenë prezent çdo herë që nga përfundimi i luftës e deri më sot. Sepse politika serbe asnjëherë nuk ka hequr dorë nga qëllimet hegjemoniste për të cilat i kishte zhvilluar luftërat e saja pushtuese.

Ajo jeton më ndjenjën e hakmarrjes, se një ditë do të mund ta jetësojë projektin e saj të papërfunduar, kundër popujve tjerë.

Prandaj, edhe ajo as sot e kësaj dite, s’mund të prodhojë një elitë tjetër politike, pos asaj që është krijuar gjatë luftërave të viteve ’90.

Kështu, kryeministri ka të drejtë edhe kur deklaron se ky konflikt mund të jetë real, po ashtu edhe duke u nisur nga fakti se ne jemi një vend demokratik, kurse Serbia është një shtet autoritar. Dhe siç është vërtetuar historikisht demokracitë rrallë, ose nuk luftojnë ndërmjet vete.

Kurse ajo që e ka penguar deri më sot Serbinë ta ndërmarr këtë aventurë janë koniunkturat ndërkombëtare, që janë etabluar në rajonin tonë në fillim të këtij shekulli, dhe jo që Serbia është ndërgjegjësuar politikisht dhe moralisht dhe i është përshtatur standarteve demokratike për fqinjësi të mirë dhe paqe rajonale.

Po ashtu, i njëjti autor, në të njëjtin libër, konstaton se “luftërat zhvillohen për territore”.

Edhe në këtë drejtim, Serbia nuk është distancuar asnjëherë nga pretendimet e saj territoriale mbi Kosovën, në mos për një pushtim të plotë, atëherë të paktën ndarja ka mbetur si opsion permanent i saj.

Dhe siç duket, nën ndikimin e këtyre tezave, kryeministri e ka bërë këtë deklaratë. E sa për opozitën e di që asnjëri nuk ka haber për ligjërimet e këtij autori. Madje nëse ua përmend të thonë çfarë pije është kjo ta shijojmë në Bon Vivant, sepse të gjitha i kemi shijuar, por çuditërisht këtë jo.

Të ngjashme