Punësimi i burrit të ministres në qeveri mos është ndonjë eksperiment social?

Prishtinë | 14 Gus 2022 | 17:30 | Nga Lirim Mehmetaj

Punësimi i burrit të ministres në qeveri, përkatësisht në ministri, duhet me qenë ndonjë eksperiment social.

Me siguri po matet sa shumë, sa gjatë dhe në çfarë forme reagon qytetari kur ballafaqohet me një situatë të tillë.

Besoj eksperimenti do t’u hyjë shumë në punë edhe studiuesve të shkencave sociale e sidomos partive politike për të hartuar mashtrime elektorale.

Do thotë dikush, po kjo s’është hera e parë që një ministre e punëson burrin në ministri. Kam përshtypjen është hera e parë.

Kur ndodhin ngjarje si kjo, mendja gjithmonë më shkon të zëdhënësi i partisë në pushtet.

Edhe sikur ta dija që kurrë më nuk do të më jepet rasti të kem një vend pune, s’ka gjë që do më ndalet të futesha në llogarinë zyrtare të partisë dhe ta shkruaja komunikatën se si Lëvizja Vetëvendosje e kundërshton ashpër këtë ndodhi, pret që vendimi të zhbëhet menjëherë dhe tërheqë vërejtjen që të mos përsëritet kurrë më.

Pastaj, sikur të isha sekretar i partisë, do ta ftoja ministren në raportim dhe do t’i thosha se punësimi i burrit të saj përbën shkelje të një prej premtimeve bazë të fushatës elektorale që është zhbërja e nepotizimit dhe mbi të gjitha shkon në kundërshtim të plotë me atë se për çfarë qëndron partia.

Do t’i dërgoja një letër kryeministrit për t’i treguar se me sa shqetësim e ka parë partia këtë zhvillim dhe si ka afektuar kredibilitetin e partisë.

Sikur të isha kryeministër mbase do ta shkarkoja fare ministren dhe këtë do ta bëja pa e dëgjuar se çfarë ka për të dhënë dhe nëse ajo ndikoi në punësimin e burrit të saj apo jo.

Kjo do të vlente si shembull për këdo tjetër që e ka pasur në mendje ta punësojë dikë. Kushdo që do të dëshironte të influenconte punësimin e të afërmit të tij, do ta dinte se po u hetua çfarë ka bërë e pret shkarkimi.

Pse duhet të jetë kaq e vështirë kjo punë?

Të ngjashme