Putini është njeri i mirë, Pacolli është edhe më i mirë

Prishtinë | 05 Tet 2018 | 14:19 | Nga Behxhet Shala - Bajgora

Kosova, eldorado për matrapazë dhe për çdo gjë 99 cent: Nuk ka vend më të fortë se Kosova në rajon por edhe më gjerë, në çdo aspekt. Nuk mbeti kush pa e ndukur, pa e plaçkitur, pa e dhunuar, pa e shfrytëzuar, pa e keqpërdorur, që nga “ miqtë” ndërkombëtarë, një pjesë e të cilëve janë, ose hajna ordinerë, ose plaçkitës të sofistikuar e deri te vendorët që e filluan si hajna të pulave, për të përfunduar si “biznesmenë” në Dubai, Turqi, Kinë, Serbi, Rusi, Kazakistan, Kurcistan, Kroaci e deri te shtetet evropiane dhe në SHBA. Janë bërë mjeshtër për pastrim parash duke investuar në pika të karburanteve, ndërtime të larta, përfaqësues të kompanive fitimprurëse, kryesisht për anëtarë të familjes së ngushtë, kontrollojnë laboratorët për cilësinë e karburanteve dhe vajrave si dhe importimin e tyre, importin e duhanit, kafesë, pijeve alkoolike, gjësendeve luksoze, makinave të kushtueshme, një pjesë të tregut medial, lojërave të fatit, procesin e privatizimit, investimet në shëndetësinë private, arsimin e mesëm dhe të lartë privat, dhënien e tenderëve duke filluar nga 10,000 euro e deri në shumë dhjetëra e qindra milionë euro.

Kemi pasurim të hatashëm të familjeve të caktuara e që më parë e kishin statusin social sikur që kemi raste kur edhe shoqëruesit apo truprojat e politikanëve janë bërë milionerë dhe investitorë të suksesshëm. Kemi turqizim të bizneseve, sistemit bankar, sistemit shëndetësor, të aseteve kryesore dhe më fitimprurëse të Kosovës, që nga infrastruktura rrugore dhe ajrore deri te sistemi i telekomunikimit dhe atij energjetik. Përkundër kësaj, Kosova e ka infrastrukturën rrugore më të mirë në rajon dhe ka potencial të madh zhvillimor e që po e ngulfaë politika dhe hajdutët që janë pasuruar në emër dhe me ndihmën e politikës duke bërë përpjekje të shndërrohen në oligarkë. Oligarkia e ka burimin në ish – Bashkimin Sovjetik dhe shtetet e regjimit komunist në Ballkan sikur edhe në Kinë për faktin se, përmes oligarkëve, politikanët i pastronin paratë e vjedhura sikur që edhe e shtrinin ndikimin politik përmes miliarda e miliarda dollarë dhe euro të plaçkitura nga populli.

Oligarkizmin dhe oligarkët më të fuqishëm ishin në Rusi dhe Kinë ku shteti i krijoi miliarderët brenda natës dhe të cilët, me ato para të pista depërtuan në të gjitha fusha të investimeve ku më lehtë pastroheshin paratë dhe më lehtë ktheheshin te pronari i cili në të vërtetë ishte kryeoligarku e që mbante pozitën numër 1 të pushtetit. Në Kosovë nuk kishte oligarkë të emancipuar dhe të ditur por ishin analfabetë të veshur me kostumin e oligarkut e që nuk iu shkonte kurrsessi. Në Kosovë, si oligarkë të improvizuar mund të llogariten Ekrem Lluka, Ramiz Kelmendi, Vëllazëria Devolli, Latif Kryeziu dhe disa shpageti oligarkë.

Realisht, nëse dikush mund ta mbajë barrën e një oligarku potencial, që nga burimi e deri te kohët e sotit, ai është Behgjet Pacolli dhe asnjëri tjetër. Më heret Pacolli ka bërë biznes, që nga Jelcini e deri te despotët e Kazakistanit për ta zgjeruar perandorinë edhe në disa shtete me një demokraci diktatoriale, tash e ka për zemër Rexhep Taip Erdogan dhe Hashim Haxhi Thaçin. Është një tip i oligarkëve që mjaftohen të shërbejnë si lavatriçe për politikanët dhe nuk kanë ambicie politike sepse edhe vet pasurohen, dhe këta jetojnë gjatë, ose, po aq gjatë sa jeton sponsori i tyre apo ata që e trashëgojnë. Ata që duan të ngriten mbi Zeusin (Zotin e të gjithë zotërave) e që duan pushtet politik, kryesisht e kanë fundin tragjik. Rastin më të mirë për ta dëshmuar këtë e keni me disa oligarkë rusë, që, ose përfundojnë në burgje, ose si viktima në njërën nga metropolet evropiane. Apo rasti i vëllezërve Kariq që nga muzikantë, politika e Serbisë i shndërroi në oligarkë kurse kariqët bënë përpjekje që të klonojnë oligarkë në mesin e biznesmenëve kosovarë.

Kur ambiciet e tyre dolën mbi mandatin e pastruesve të parave për Millosheviqin dhe të tjerët, ua prenë kokat politike duke i detyruar të shkojnë në vendin e origjinës së oligarkëve, Rusinë e Jelcinit dhe të Putinit. Në Kosovë asnjë oligarkuci nuk i ka munguar një qime nga koka (ata që i kanë pasur) sepse kanë qëndruar larg politikës por qençe i kanë shërbyer politikës. I vetmi oligarkuc që e provoi fatin në politikë ishte Ramiz Kelmendi dhe i cili asnjëherë nuk u bë politikanë por u shndërrua në kondom që e provuan të gjithë udhëheqësit e subjekteve kryesore politike në Kosovë.

Behgjet Pacolli është oligark burimor i stepeve ruse dhe të Kaukazit. Historia e tij është e shkruar, e përfolur, e keqkuptuar, e shkruar drejtë, varësisht nga këndi i interesit, në favor të përkrahjes së tij ( kur ua ka trashur lëngun ) apo me qëllim të diskreditimit të tij, kryesisht për shkaqe biznesi. Begja është i rryer dhe dinak, si të ishte binjak siamez me Hashimin me të cilën edhe lidhi kokë e këmbë tash e sa kohë. Për vite të tëra u ndoq nga Karla del Ponte të cilës, në fund, në dosjen e saj i mbetëm koqet e Begjës për faktin se autoritetet ruse ishin në anën e Begje dhe me Begjen.

Behgjet Pacolli, si patriot i dëshmuar ndër shekuj u kthye në Kosovë, për t’i ndihmuar popullit të shumëvuajtur dhe shumë të dashur kosovarë duke ua ndërtuar në qendër të Prishtinës hotelin Swiss Diamond, vend tipik për skamnorë dhe ata që janë të varfër…. në tru. Ky është vendtakim, vendpushim dhe vendrelaksim për Hashimin dhe kotillën e tij politike. Begja është humanist dhe me shpirt të madh, ka ndodhur që edhe brekë e tija ia ka dhënë tjetrit për t’u larë në pishinën e këtij hoteli për të pastrehët dhe varfanjakët mendorë të politikës dhe inteligjencës kosovare. Begja, si shok i ngushtë i Trampit, nga një oligark i importuar nga Kaukazi, u shndërrua në politikan, jashtëzakonisht të fuqishëm dhe me ndikim, sidomos në skenën ndërkombëtare e në veçanti në Burkina Faso, Ganë, Somali, Sudan dhe shtetet tjera me një demokraci shembullore. Te politikanët tjerë, këshilltarët janë më të mençur se shefi i tyre sikur që psh. Hashimi është më i mençur se Bekimi, Smajli, Ragip leshi dhe të tjerët kurse Begja është shumë më i mençur se psh. Mentor Nazarko për faktin se i flet 7 gjuhë përfshirë këtu edhe gjuhën shqipe të cilën më mirë e flet seqë e shkruan. Në mesin e gjuhëve të huaja pra, Begja e flet edhe gjuhën shqipe, variantin kosovar me theks nga Lugina e Marecit. Në rrafshin shqiptar, si njohës dhe folës i gjuhëve të huaja me Begjën mund të krahasohen vetëm Fan Stilian noli dhe Neritan Ceka kurse në rrafshin kosovar, Begjës ia kalon vetëm i ndjeri deputet Haxhi Merxha që i ka folur, sipas tij 9 gjuhë të huaja kurse i ka kuptuar vetëm 3; gjuhën rome, serbe dhe kokni albanian. Begja e flet shkëlqyeshëm gjuhën ruse, serbe, italiane, angleze, urdu të Pakistanit, Swahili dhe e kupton pjesërisht gjuhën shqipe.

Nejse, nga politika ruse u bë oligark dhe nga pseudopolitika kosovare po përpiqet të bëhet politikan. Nga mbështetja parezervë e partive të krahut të luftës dhe me mbështetjen logjistike të disa komandantëve të luftës u bë president i Kosovës dhe komandant i forcave të paarmatosura dhe paramilitare të Kosovës. Gjithashtu, pati përkrahje të parezervë të një diplomati dhe ambasadori zhvatës siç ishte Delli dhe një Pushikari, kondom i Dellit dhe vet Begjës. Nuk pati jetë të gjatë si “ president “ por se jetën tash po ia zgjatë ortaku i tij dhe i Erdoganit, Hashimi që ia ka vendosur fotografinë në mesin e atyre që ishin presidentë, fiktivë, historik, të zarfit, që e shkelën Kushtetutën etj. e që nuk ka pasur të drejtë sepse Gjykata Kushtetuese e Kosovës nuk e ka njohur Behgjet Pacollin si president kurse Hashimi, si Gjykatë Kushtetuese mbi gjykatën Kushtetuese e ngjalli mumien e presidentit për çka herët a vonë do të japë përgjegjësi, në mesin e shumë përgjegjësive që i ka.

Pastaj, erdhi një kohë e vegjetimit politik për Begjën për ta rikthyer në skenën politike disa titistë të SPS apo një pjesë e LDK-së sikur edhe disa veteranë- politikanë mashtrues të krahut të luftës. Tash, oligarku i Kaukazit dhe pseudopolitikani Pacolli i ka dy poste të larta, ministër për Punë të Jashtme për çështje të biznesit personal dhe z.kryeministër i parë (i dyti është Enver Hoxhaj dhe Dardan Gashi), për të pasur leje që të marrë pjesë në mbledhjet e qeverisë.

Behgjet Pacolli në mbledhjen e fundit të Këshillit të Sigurimit të Kombeve të Bashkuar kishte kapacitetin diplomatik të një bariu nga Gjylekara. Kah ka shkuar nëpër godinën e Kombeve të Bashkuara e ka bërë m.t në vend se për këtë ta përdorë vendin e paraparë për këtë, avdes-hanen apo WC e Kombeve të Bashkuara. Jo që nuk pati asnjë pasojë për këtë prostitucion diplomatik që e bëri në Kombe të Bashkuara ku u dhunua politikisht dhe me fakte nga të gjithë ata me të cilët u takua e në veçanti me Ana Bërnabiq, kryeministre e Serbisë e cila luajti fort koçe me Begjën e Hashimit sikur edhe nga të gjithë të tjerët, por vazhdoi për Portugali për të siguruar njohje nga ky shtet dhe i cili na ka njohur ndër të parët. Pastaj, për të vazhduar diplomacinë e kanalizimit e dha një intervistë ku tha se midis Kosovës dhe Serbisë nuk duhet të ketë kufij gjë që në vazhdimësi po e thonë Vuçiqi, Vulin, Gjuriqi dhe Daçiqi.

Dhe krejt në fund, për ta fituar titullin e Kalorësit të Nderit të Prostitucionit Diplomatik, deklaroi se Vladimir Putim është një njeri i mirë sikur që edhe Vuçiqi në Ujman tha se Millosheviqi kishte plane të mira por jo edhe ekzekutim të mirë! Ndoshta Behgjet Pacolli di diçka më tepër për Putinin kur deklaron se është njeri i mirë e që ne shqiptarët nuk e dijmë e në veçanti unë, si injorant që jam nuk kam informata për mirësinë dhe humanizmin e Vladimir Putinit që po e ditka Begja. E tash, ky me ta udhëheq ministrinë për punë të jashtme dhe me e përfaqësuar Kosovën!! A ka ma tmerr dhe më keq ?! Lexues të nderuar, këta që po e përkrahin Behgjet Pacollin me të gjitha këto që po i bënë, në një kohë dhe një vakt e patën eliminuar kandidaturën e Bacës Adem Demaçi për president të Kosovës, të përbashkuar me LVV të asaj kohe sikur që pjesa e SPS (Socialistiçka Partija Serbije) e një segmenti të LDK (Lidhja Demokratike e Kosovës) sot po e refuzon emërtimin e një rruge në Fushë-Kosovë me emrin e Bacës Adem Demaçi!

Sikur që komandantët e LDK-së, pa komandantin kryesor Isa Mustafa dhe me komisarët politikë, komandant Dullën dhe komisarët Haxhi Avdyli, Driton Selmanaj, Lum Pusi si dhe krahu ushtarak me trashëgimtarët e kolonelit të KOS-it, e bojkotuan varrimin dhe të pamet për Bacën Adem në kohën kur zgërdhiheshin para Teatrit Kombëtar ku priste radhë e gjatë për të pame për Simbolin dhe Kuptimin e Lirisë së Shqiptarëve dhe të gjithë Popujve të Robëruar, Bacë Adem Demaçi.

Në të njëjtën kohë jam kundër asaj që disa të dështuar në PDK dhe përfitues ordinerë të manipulojnë me emrin e Bacës Adem Demaçi duke bërë përpjekje të përfitojnë politikisht aq më parë që Baca Adem Demaçi nuk ka qenë i asnjë partie dhe ka qenë mbi të gjitha partitë, si vlerë universale. Prandaj, është e papranueshme përpjekja e disa mashtruesve në PDK që ta luftojnë LDK apo një parti tjetër duke e keq-përdorur emrin e ADEM DEMAÇIT! Sikur edhe e atyre që bëjnë kinse tryeza apo filma plehër dokumentarë për ta përkujtuar emrin dhe veprën e ADEM DEMAÇIT. Baca ADEM DEMAÇI, si monument njerëzor dhe kombëtar duhet të ketë përkujdesje institucionale dhe shtetërore, nga Shqipëria në radhë të parë e pastaj edhe nga Kosova. Asgjë tjetër!

Fjalë Kryesore:

Të ngjashme