Qëllimet politike të Asociacionit

Prishtinë | 08 Kor 2022 | 13:09 | Nga Afrim Kasolli

Filozofi i njohur ekzistencialist, Zhan-Pol Sartri, në parathënien e librit “Të mallkuarit e botës” të Franc Fanon-it, tregon se si kryeqendrat evropiane ishin angazhuar në fabrikimin e elitave politike, kulturore dhe ekonomike në vendet që i kishin pasur nën zotërim kolonial. Me anë të këtij inxhineringu të sofistikuar mental, këto metropole, tentonin që edhe pasi ta kishin dorëzuar kontrollin dhe pushtetin politik dhe administrativ në duart e “indigjeneve” ta ruanin megjithatë supermacinë e tyre hegjemonike ekonomike dhe kulturore.

Pra, shtetet e reja që do të lindin si pasojë e dekolonizimit dhe të drejtës së popujve për vetëvendosje do t’u nënshtroheshin përsëri ish-sundimtarëve të tyre. Por, se tani jo më me dominim të drejtpërdrejtë, por në një formë të maskuar politike dhe ideologjike.

Modele të tilla të sofistikuara për të ushtruar këtë formë më pak të kushtueshme janë aplikuar shpeshherë gjatë historisë. Shkrimtari ynë i njohur Isamil Kadare, në veprën e tij “Lamtumira e së keqes” në mënyrë metaforike e pasqyron ankthin trishtues dhe psikologjik që e kishte kapluar Sulltanin kur e kishte kuptuar se e kishte të pamundur ta mbante më në sundim të drejtpërdrejt territorin shqiptar. Me këtë rast, autoritetet perandorake, filluan të mendojnë si ta gjenin një formulë sipas së cilës do të “ mbahej pranë Shqipëria, duke qenë e shkëputur”. Me një fjalë, pavarësia e këtij vendi ballkanik mund të lejohej, por me një kusht që ai të ishte një shtet surrogat nën diktatin perandorak.

Këto synime për të instaluar regjime politike, apo siç quhen ndryshe në fjalorin modern “regjime kukulla”, drejtuesit e të cilave kushtëzohen nga “vetëdija për tjetrin” dhe jo “vetëdija për veten” s’ndalen asnjëherë. Madje ato janë shndërruar në “mollë sherri’ në shumë vatra të nxehta gjeopolitike edhe sot e kësaj dite. Konflikti në Ukrainë është vetëm njëri nga rastet më të spikatura të kësaj përplasje. Sepse, ky konflikt shpërtheu atëherë kur strukturat drejtuese politike të këtij shteti me orientim pro-rus, u zhvendosën nga pushteti. Moska e ndjeu vetën të kërcënuar nga këto tendenca. Kremlini s’mund të pajtohej me të drejtën e popullit Ukrainës për ta ndërtuar fatin e tij politik në mënyrë të plotë të pavarur dhe jashtë çdo tutele nga isha qendra perandorake. Atëherë Putini dha urdhër për pushtimin e këtij shteti. Fillimisht duke e përdorur popullsinë rusisht-folëse si instrument për ta destabilizuar nga brenda dhe në fund me anë të një luftë totale.

Një strategji të tillë e kishte përdorur edhe Serbia. Një nga mendimtarët më të spikatur të politikës shqiptare, Arben Xheferi në shkrimin “Nostalgjia osmane dhe Kapiten Leshi” e pat analizuar këtë intencë të ideologjisë nacionaliste serbe, për ta fabrikuar atë prototip të shqiptarit që në mënyrë të vullnetshme dhe të pahetueshme e pranonte sundimin serb. Ky ishte modeli i shqiptarit “pozitiv” të jugosllavizuar, të dorëzuar, si ai kapitenit të pashëm, luajal dhe trim i cili i ndjek, i ndëshkon, i likuidon ballistët, dhe nacionalistët shqiptarë që e penguakan integrimin e tyre në sistemin e ri.

Kështu, “figura e këtij personazhi filmor shënonte një projekt politik që përmes heroit ‘pozitiv’ që jo vetëm e pranon sistemin e ri të vlerave, por edhe lufton dhe për imponimin e tyre bashkëkombësve kryeneç”.

Mirëpo, problemi ishte se sa më shumë shtohej zullumi, shtypja, presioni dhe dhuna serbe, aq më tepër zvogëlohej numri i shqiptarëve të ndershëm deri sa ajo mbeti edhe pa “ ata matufë dhe pijanecë që pinin birra me hamajtë para dyqaneve të fshatrave rreth Prishtinës”. Për shkak të politikës së saj, Serbia nuk mund të gjente më ndjekës në mesin e shqiptarëve për t’i realizuar interesat e saj në Kosovë. Atëherë nuk i mbeti opsion tjetër pos projektit të Milosheviqit. Përdorimi i serbëve lokalë për këtë mision dhe në fund spastrimi etnik i Kosovës nga shqiptarët. Kjo ndërmarrje se si përfundoi dihet nga të gjithë ne.

Megjithatë, edhe në rrethanat e reja ky instrumentalizim i serbeve e karakterizoi politikën e Beogradit. Dhe Kosova s’ka arritur të stabilizohet nga brenda, që nga përfundimi i luftës, pikërisht për shkak të kësaj tendence të Beogradit për t’i përdoruar serbët e Kosovë si levë për ta ushtruar pushtetin e tij. Integrimi i plotë i tyre s’ka ndodhur vetëm pse ky komunitet ka qenë në mënyrë të vazhdueshme peng i politikës serbe dhe jo për arsyeje tjera. Dhe për ta betonuar përfundimisht këtë pushtet që mëton ta sabotojë në vazhdimësi shtetin e Kosovës erdhi deri te Asociacioni i Komunave me shumicë serbe. Pra ky entitet asnjëherë s’ka pasur për qëllim, avancimin dhe garantimin e të drejtave demokratike, kushtuese dhe civile të bashkësisë serbe në Kosovë. Sepse ata tashmë i kanë ato të drejta. Në aspektin juridik nuk iu mungon asgjë. Por, me anë të tij, janë maskuar qëllimet politike të Serbisë në territorin e Kosovës.

Nënshkrimi i tij nga pala kosovare ka qenë një gabim strategjik shtetëror. Pasojat e të cilit vështirë do të mund të korrigjohen. Sepse mos zbatimi i tij e vështirëson pozicionin ndërkombëtar të Kosovës deri në ekstrem. Kurse zbatimi i tij në këto rrethana është i pamundur, pikërisht për shkak projeksioneve që i mbart.

Si të gjendet një shtegdalje nga situata aktuale?

Në këtë drejtim është detyrë e qeverisë së Kosovës si dhe partive opozitare që ta kenë një qëndrim unik në raport me këtë temë. Dhe jo që pushteti ta përdor atë si mjet për të rikonfirmuar përkushtimin e tij e “patriotik” sepse nuk fiton asgjë më këtë qëndrim, e as opozita të pretendojë për një rikthim sa më të shpejt në pushtet, duke shpresuar se mos zbatimi i tij, do ta konfrontojë qeverinë aktuale me bashkësinë ndërkombëtare, çfarë nuk do t’i mbetët rrugë tjetër pos izolimit dhe shkarkimit.

Por po ashtu edhe shumica parlamentare, gabon rëndë, nëse tundohet nga kalkulimi, që mund ta kalojë pa telashe këtë projekt, pasi tash nuk mund të ketë rezistencë të brendshme, sepse partitë opozitare janë ato që e nënshkruan këtë dokument, prandaj s’u mbetet gjë tjetër vetëm se të pajtohen me kushtet e zbatimit të tij. Kundërshtimi mund të vij nga vet populli i Kosovës. Ngase në rrethanat aktuale ai është një mjet që i shërben interesave të pushtetit serb në Kosovë. E, kjo shoqëri nuk mund të pajtohet pafundësisht që të mbahet peng i lojërave të tilla, që ia asfiksojnë frymëmarrjen e brendshme.

Në këtë kontekst, pala kosovare duhet t’ia bëjë të qartë edhe negociatorëve ndërkombëtarë se zbatimi i kësaj marrëveshje, duhet të fillojë në Beograd dhe jo në Prishtinë. Sepse është i pari, ai i cili po e mban peng jetësimin e tij. Prandaj, presioni duhet të orientohet fillimisht mbi kryeqendrën serbe. Të bindet politika serbe ta fillojë procesin e ndryshimeve kushtetuese, ku e abrogon përfundimisht Kosovën si pjesë të saj. Dhe vet Beogradi t’ua bëjë të qartë serbëve lokal se sytë e tyre duhet të jenë të drejtuar nga Prishtina dhe jo nga i pari. Të krijohet një klimë tjetër e mirëbesimit ndërmjet dy vendeve.

Përndryshe, çdo përpjekje për ta zbatuar këtë entitet pa ndodhur këto ndryshime paraprake në Serbi, do të ishin në funksion të interesave të kësaj të fundit, për ta legalizuar edhe më shumë pushtetin e saj në Kosovë, pasi i dështuan variantet tjera nëpërmjet prodhimit të “shqiptarit të ndershëm”, apo spastrimit etnik. Këtë model e kemi parë se si funksionin në Gjeorgji, Ukrainë, Moldavi etj etj.

Të ngjashme