Qendrat e vendimmarrjes e pushtetizuan VV-në për shkak të dialogut, roli prej spektatori i opozitës

Prishtinë | 27 Kor 2022 | 11:37 | Nga Afrim Kasolli

Takimi në Uashington ndërmjet përfaqësuesve të Kosovës dhe Sekretarit amerikan shtetit, Blinken, do të prodhojë pasoja politike si për pushtetin ashtu edhe për opozitën në Kosovë.

Për pushtetin, sepse Kurti nuk do të ishte pritur kurrë nga ky nivel i lartë i politikës amerikane pa dëshmuar paraprakisht se do të tregohet gjeneroz dhe fleksibil për kompromise te reja, kërkesë kjo e vazhdueshme e administratës amerikane drejtuar liderëve të Kosovës.

Por, po ashtu, ky takim dhe konsekuencat që do të dalin prej tij ua suspendon argumentin kryesor opozitës për raportet e tensionuara ndërmjet kryeministrit dhe Uashingtonit.

Në anën tjetër, opozita s’do të ketë tjetër alternativë, pos të tregohet konstrukive dhe nën emrin e konsensusit t’i bëhet patericë qeverisë për procesion e dialogut.

E kam thënë edhe më herët në dy shkrime tjera, se ardhja e Vetëvendosjes në pushtet në këtë fazë delikate u shndërrua në interes strategjik amerikan për Kosovën.

Dhe kjo, jo aq për meritë të politikave personale të drejtuesit të këtij subjekti, por më shumë si dhuratë nga mënyra se si qeverisën ata para tij.

SHBA nuk kishte tjetër alternativë, pos ta respektonte vullnetin politik të qytetarëve të Kosovës. Kurse mënyra se si u krijua ky vullnet, a ishte retorika politike e opozitës së atëhershme brenda normave komunikative demokratike, nuk ka qenë detyrë SHBA-së, por e atyre që e injoruan këtë betejë politike nga shtytja për ta parë pushtetin vetëm si zgjatim të interesave klanore financiare.

Ai pushtet në fund mbet pa rrëfim për vetveten, pa justifikim publik se pse duhej të qeveriste. U pushtua nga iluzioni se pavarësisht gërryerjes se autoritet të tij publik, përsëri do ta drejtonte Kosovën për shkak të qëndrimit refuzues të Kurtit ndaj dialogut. Sepse, Brukesli dhe Uashingtoni nuk do të pajtoheshin me bllokimin e tij, prandaj edhe nuk do lejonin ardhjen e VV-së në pushtet. E që në të vërtetë ishte e kundërta. Sepse këto qendra të vendimmarrjes globale pikërisht për shkak të dialogut e kuptuan se duhet pushtetizuar VV-në.

Sepse, me kotë negocionin me ata që ishin para saj në pushtet, kur ata gradualisht e humbën legjitimitetin politik për t’i zbatuar marrëveshjet e nënshkruara. Madje një rrëfim i tillë opozitës së sotme i mungon edhe tani, se pse duhet të kthehet ajo në pushtet. Deri më tash kanë pohuar se Kurti nuk po pritet nga administrata amerikane. Po i tensionin raportet me SHBA-te. Por me kthesën që ka bërë Kurti, u shemb edhe ky argument. Tash opozitës nuk i ka mbetur tjetër opsion, pos t’i duartrokas këtyre lëvizjeve të reja.

Natyrisht, ky transformim do ta prodhojë një Kurti që nuk u qëndron besnik kauzave që i ka përdorur për të ardhur në pushtet. Mirëpo, për këtë ndryshim ai do pritet në sallonet e diplomacisë ndërkombëtare, si dhe do të fitojë përkrahje nga kjo e fundit, kurse opozitës do t’i duhet ta përshëndes këtë veprim dhe të solidarizohet, se pse ai po i braktis temat që i ndihmuan atij ta rrëzoi atë nga pushteti dhe të shndërrohet në mbështetëse të brendshme të këtij evoluimi politiko-ideologjik të kryeministrit.

Kështu është kur nuk identifikohesh më asgjë politikisht, pos si koniunkturë bizensore. Në vend së të angazhosh për kauzat tua, shndërrohesh në dekor të pushtetit dhe vullnetit politik të Tjetrit. Dhe kështu të knaqësh me rolin e spektatorit.

Të ngjashme