Qeveri e re, mendësi e vjetër

Prishtinë | 03 Qer 2020 | 21:17 | Nga Dardan Molliqaj

Kryetari i Partisë Socialdemokrate, Dardan Molliqaj, ka reaguar pas votimit të Qeverisë Hoti.

Molliqaj ka thënë se Qeveria Hoti u zgjodh në të njëjtën mënyrë si Qeveria e PAN-ti, në vitin 2017.

“Sot u zgjodh qeveria e re e Republikës së Kosovës me metodat e të kaluarës. U zgjodh pikërisht në të njëjtën mënyrë si qeveria e PAN-it në vitin 2017, duke u varur plotësisht në Listën Srpska, me deputetë luhatës, pa përfaqësim të barabartë gjinor si dhe pa ndonjë strategji të re me qasje rrënjësisht të ndryshme mbi çështjet ekonomike dhe sociale sidomos tani kur e kemi parasysh që e gjitha bota do të përballet me krizën e paevitueshme të COVID-19. Dallimi i vetëm është që PDK u zëvendësua me LDK-në. Kjo në asnjë mënyrë nuk nënkupton që Qeveria Kurti nuk do të duhej të shkonte”, ka shkruar ai.

Kreu i PSD-së, thotë se “me shkeljen flagrante të Kushtetutës dhe qasjen populliste dhe aspak bashkëpunuese të Kurtit me partnerët e tij dhe kundërshtuesit politik të tij, ai krijoj një precedent të ri ku qeverisë i lejohet të anashkaloj ligjet mbi të cilat është betuar në mënyrë që të rris fuqinë e saj politike e në të njëjtën kohë të shfrytëzoj mjetet e emergjencës (karantinën, cenimin e lirisë së lëvizjes etj) për përfitime personale e trajtim selektiv të qytetarëve të saj”.

“Demokracia pësoj goditje të rëndë. Por, që demokracia të mbes themeli i organizimit të shoqërisë tonë, Kurti u desht të shkoi. Kështu, e reja iluzive në pamje por e vjetër në metodë e qeverisë VV-LDK, u zëvendësua me të vjetrën recidiviste mbi të cilën nuk mund të ndërtohet shpresa dhe e ardhmja e Kosovës. Tani, na duhet të mbrojmë me çdo kusht demokracinë në mënyrë që të kemi mirëqenie e barazi për të gjithë. Këtë mund ta sjell vetëm një qeveri e majtë e mirëfilltë. Shpresat që një gjë e tillë të vjen nga një qeveri e ardhshme e djathtë, në skenarin më të mirë, ka gjasa shumë të vogla që të ndodh”.

Ndryshe, me 61 vota pro, 24 kundër dhe 1 abstenim sot në Kuvendin e Kosovës është votuar Qeveria Hoti.

Të ngjashme