Qysh ka qenë Kosova në vitin 1997, e qysh duket sot

Prishtinë | 08 Mar 2020 | 12:56 | Nga Driton Smakaj

Një ditë pranverore pasdite

Në gjimnazin “SKËNDERBEU” në Gllogovc sapo kishim përfunduar orarin e mësimit. Dolëm sëbashku me shokët dhe u nisëm drejt qytetit. Ecnim ngadalë nëpër rrugët e një pranvere të zymtë. E them e zymtë sepse vërtetë jeta jonë e përditshme me policinë serbe ishte bërë më tepër se e trishtë. Sapo arritëm te stacioni i autobusëve dy policë të uniformuar të Serbisë na ndalen veç për pikë të qefit. Një shok i yni që ishte duke qeshur pak më shumë se sa ne tjerët, meqë na tregonte një barcoletë, i’a vrajti sytë policit. Ai u ofrua afër nesh, na shau nënat e motrat në gjuhën serbe edhe shokut tonë ia flakareshi një shuplakë sa që ia terroi Gllogovcin.

Ne të gjithë u shtangëm as frymë nuk merrnim. Ndiheshim sikur lecka të mjera në qytetin tonë. Pastaj të dy policët ecën ngadalë duke na e shajtë nanën shqiptare.

Njëri nga shokët tanë foli si me pëshpërimë ‘shuni se mirë kemi pshtue, askujt nana me t’shame nuk i ka pjellë’.

Ndërsa shoku ynë e mbante faqen me dorë, iu kishte skuqur sikur me i’a pasë hekuros.

Ditët tona si nxënës së shkollës së mesme ishin pak a shumë të ngjashme çdo ditë. Saherë kalonin pranë nesh dy policë, prisnim dikush nga ne ndonjë shpullë të nxehtë. Shpesh na kontrollonin xhepin e vogël të pantollonave për të na e marr 1 markë gjermane që mezi na e jepte familja për me hangër një burek në mbramje. Nëse nuk gjenin markën e hekurt, hanim shuplaka. Nëse e gjenin prapë hanim shuplaka, me arsyetimin pse marka gjermane e jo dinar të Serbisë.

Tash pas 23 viteve rinia jonë as nuk e dinë emrin Gllogovc. Ata janë rritur në Drenas. Ky tregim i imi mund të iu duket një përrallë.
Kosova ka policinë e vet, Ushtrinë e vet edhe në politikë problem kryesor është qysh me ia hjekë apo mos me ia hjekë TAKSËN Serbisë. Policia dhe Armata e Serbisë munden me pa Kosovën veç në televizor.

Dallimi i gjendjes sonë shoqërore në një krahasim prej 20 vjetësh është sikur dita me natën. Njerëzit mund të mos jenë të lumtur sepse është e natyrshme me kërkua çdoherë në jetë diçka më mirë, një punë të mirë, një standard të jetës të mirë, makinë të mirë e iPhone X.

Pra kur unë isha duke përmbyllur shkollën e mesme, nuk doja asgjë tjetër përveçse LIRI.

Qofshi të LIRË për jetë, në një Kosovë të LIRË.

Të ngjashme