Qytetarët nuk kanë pritur nga kjo qeveri tallje, përbuzje cinike, retorikë boshe…

Prishtinë | 16 Kor 2022 | 10:40 | Nga Afrim Kasolli

Qytetarët e Kosovës nuk kanë pritur ndonjë mrekulli nga kjo qeveri, apo shpresa se kryeministri me një shkop magjik mund t’ua lehtësojë atyre krizën sociale dhe ekonomike që i kapluar. Mirëpo, ata nuk e kanë pritur as talljen. Përbuzjen cinike. Retorikën e zbrazët. Sepse t’u thuhet atyre tash po shpenzojnë më shumë, sepse kanë shpresë në qeverinë aktuale, në një kohë kur para se të votohej ky ekzekutiv, një litër vaj kushtonte 1 euro, kurse sot ka shkuar në 3 euro, është ofendim më gjendjen e tmerrshme ku janë katandisur. Është përçmim për kushtet e tyre të jetesës që po bëhen gjithnjë e më ta papërballueshme.

Natyrisht, një kryeministër mund të sillet në këtë mënyrë, vetëm kur e ndjen vetën se është komod në pushtet. Nuk cenohet nga askush. Si dhe e ka bindjen se është i paalternativë. Dhe këtu ka të drejtë. Sepse e këtë luks po ia ofron opozita e tanishme, që po ashtu është përgjegjësja kryesore, për pushtetin gati absolut që e gëzon sot partia në pushtet. Madje, kjo opozitë vazhdon t’ua ofrojë qytetarëve të Kosovës, një mall që moti i ka skaduar koha e përdorimit. Konferenca për shtyp dje e saj e dëshmon këtë. Se synimi i saj i vetëm është si t’i ruaj privilegjet e fituara në “regjimin e vjetër”.

Ndërkohë, kryeministri edhe po përkujdeset për këtë hallë të tyre edhe po i shantazhon. Në njërën anë ua hesht përftimet që i kanë pasur në të kaluarën. E ka dëgjuar dikush Albin Kurtin të flasë prej se e drejton qeverinë për korrupsionin e tyre. Por, në anën tjetër i kërcënon më byronë për konfiskimin e pasurisë.

E, sipas e kësaj loje të dyfishtë, qytetarët e Kosovës kanë mbetur të pa përfaqësuar politikisht në kohën e krizës më të madhe ekonomike. Sepse, ata sot përballen më një pushtet që i ka braktisur, e që synim kryesor siç po shihet e ka disiplinimin e opozitës dhe një kuazi-opozitë që është kapluar nga ankthi, jo për krizën e përgjithshme sociale dhe ekonomike, sepse si thotë një mik i imi, disa prej tyre edhe dy shekuj po të vazhdojë kështu gjendja nuk e preken nga presionet e kësaj krize, por si ta ruaj atë që e ka fituar dikur. Ky transaksion ndërmjet këtyre palëve qëndron sot në thelb të spektaklit aktual politik.

Dhe një tjetërsim i tillë mbase, tregon se ka ardhur koha që shoqëria Kosovare ta çlirojë fillimisht opozitën si kusht për të hapur perspektiva tjera zhvillimore.

Të ngjashme