Rama me lopatë në gërmadha, media me shampanjë në luks

Prishtinë | 30 Nën 2019 | 14:34 | Nga Demush Shasha

Në mendjen time, ky ishte titulli punues i skriptes së kësaj interviste. Sapo e kisha parë ketë intervistë, një mundim i madh më kaploj. Mu dash pak kohë të bëjë sens nga çfarë pashë.

E gjithë skenografia është e dizajnuar ashtu që të projektoj një skenë emocionale ku qëllimi është të portretizohet Kryeministri në thellësi të tij emocionale për të prekurit. Në këtë funksion, ai përqafon gocën e prekur nga kjo tragjedi. Goca është qendra emocionale e skenës dhe është simbol i qytetarëve të prekur nga tërmeti. Një gocë e pambrojtur, e cila ka përjetuar një ferr të vërtet, por tani më në fund e shpëtuar nga Rama. Ndërsa mbrapa Rames janë qytetarët të cilat nga shprehja e fytyrës së tyre e kupton që janë tërësisht të habitur se pse iu janë drejtuar dritat e kamerës në fytyrë dhe pse po incizohen në momente kur tragjedia e paparë ka ra mbi kokat e tyre. Sa i përket mesazhit kryesor, në pak më shumë se 33 minuta, Rama bënë të qartë se përderisa ai është duke u kujdesur për të prekurit nga tërmeti, mediat janë duke shijuar kohën e jetës së tyre me ravioli dhe shampanjë. Por sa herë e godet median në përgjithësi, ai kujdeset të thotë se nuk është e gjithë media, por disa nga media, duke krijuar qëllimisht konfuzion për çfarë po flet. Por nuk ka lidhje. Qëllimi u arrit. Shikuesi e kupton mesazhin – mediat janë bad guys. Rama është good guy.

Skena është shembull i keqrealizuar i asaj që në Mein Kampf, Hitleri përkufizon si propagandë: “Arti i propagandës e ka në epiqendrën e tij kapacitetin për të zgjuar imagjinatën e publikut duke manipuluar ndjenjat e tyre. Çelësi është të gjendet forma psikologjike e cila do të kap vëmendjen dhe emocionet e zemrës së masave.”

Në funksion të kësaj propagande, Rama është aktor i shkëlqyeshëm. Por, atë e tradhtoj e njëjta gjë që e tradhtoj edhe psh. kur e denigroj, pa asnjë shkak, Ministren Spiropali. Narcizmi. Është ai. Ai dhe vetëm ai. Prandaj, Rama nuk i qëndroj besnik skriptes dhe shumë shpejt ra viktimë i narcizmit të vet. Dora hiqet nga krahu i gocës, ajo bie në planin e dytë dhe kamera lëviz duke e larguar gocën nga ekrani. Erdhi koha. Tani e gjithë vëmendja është tek Kryekarakteri: Rama.

Dal ngadalë qëllimet e vërteta të Rames ekspozohen. Kjo intervistë nuk ka të bëjë me të prekurit. Ky show ka një qëllim: portretizimin e Rames si Kryeemocionali dhe Kryembrojtësi i Republikës. Të gjithë të tjerë atij i shërbejnë vetëm për këtë qëllim. Prandaj, gjatë intervistës e kuptojmë se Rama as nuk e dinë emrin e gocës e cila do të duhej të ishte simbol i emocional i këtij showi fatkeq.

Aq shumë i mpirë nga narcizmi është Rama, sa që humb tërësisht arsyen duke thënë se është shpikës i një ideje të cilës asnjëherë, askujt, në histori, nuk iu kujtua…ekzistimi i hoteleve.

Sa i përket cakut të sulmeve të tij, medias, Rama se përmban dot frustrimin ndaj, por edhe frikën nga, mediat. Frustrim i tij ndaj mediave nuk është sepse media nuk janë duke raportuar të vërteten, por sepse nuk janë duke raportuar të “vërteten e tij”.

Në fund, për të qenë i qartë unë nuk besoj se Rama nuk ndjenjë dhimbje për të prekurit. Jo, ai e ndien këtë dhimbje. Njeri është edhe ai. Njëkohësisht, nuk kam dyshim se po e bënë maksimumin për të prekurit nga tërmeti. Por ajo çfarë fuqimisht besoj është brenga e tij kryesore është portretizimi i tij në gjithë këtë mes. Prandaj, ai e godet median. Prandaj, rrjetet e tij sociale janë në flakë këto ditë. Dhe kjo intervistë është ekzemplar më i mirë se sa larg ai do shkoj për të arrit këtë qëllim.

Të ngjashme