Referendumi i Serbisë – Parimet, vetizolimi dhe anektoda e “miut nëpër mustaqe”

Prishtinë | 15 Jan 2022 | 10:03 | Nga Rrahman Paçarizi

Situata lidhur me mbajtjen e referendumit të Serbisë edhe në Kosovë është mjaft serioze – në një anë kemi qëndrimin krejt parimor dhe të pakontestueshëm të kryeministrit Albin Kurti e në anë tjetër kemi presionin e ambasadorëve të Quintit, përfshirë edhe Shtetet e Bashkuara të Amerikës, që të lejohet mbajtja e tij. Kjo është analizuar shkëlqyeshëm në një shkrim të sotëm nga Andi Haxhiou, të cilin jua sugjeroj ta lexoni. Mirëpo, po aq domethënës dhe të dobishëm për ta lexu e shoh edhe një postim të shkurtër nga Agim Morina, i cili e kujton atë anekdotën e miut që e mëson rrugën me një të kaluar nëpër mustaqe.

Ndoshta sot nuk është dita të analizohen shkaqet që e kanë vënë Kosovën me shpatulla pas muri, por përmendja e praktikës së organizimit nga OSBE-ja të zgjedhjeve të Serbisë në Kosovë në qëndrimin e Quintit, është saktësisht anekdota e plakut që qante se miu i kishte kalu nëpër mustaqe – nuk u bë nami që më kaloi një herë nëpër mustaqe, por druaj se e ka mësu rrugën, qante plaku. Kosovës i ka kalu tashmë miu nëpër mustaqe dhe e ka mësu rrugën – qoftë përmes lejimit të mbajtjes së zgjedhjeve të Serbisë në territorin e shtetit të Kosovës në të kaluarën, qoftë përmes nënshtrimit ndaj presioneve të miqve dhe aleatëve strategjikë në disa situata.

Kjo ishte arsyeja e parë, ndërsa arsyeja e dytë është mungesa e komunikimit të vazhdueshëm dhe e raporteve miqësore të Kosovës me Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe njëfarë vetëmjaftushmërie e pakuptimtë vetizoluese. Në të vërtetë, që në fillim të këtij viti kam paralajmëru për rrezikun me rastin e referendumit të paralajmëruar të Serbisë. Këtë punë është dashur ta dinte kryeministri Kurti dhe njerëzit e kabinetit të tij, krahas angazhimeve të tjera. Dhe, nëse do ta dinin, atëherë do të kishin ndërmarrë masa më herët në këshillim me Shtetet e Bashkuara, përkatësisht me ambasadorin amerikan në Prishtinë, i cili, siç ka thënë Blinken në letrën e tij, bashkë me përfaqësuesin Escobar shpreh qëndrimet zyrtare të SHBA-së. Dhe ky paragraf kishte të bënte me kontestimin që Kosova i bënte më se një vit më parë të dërguarit Grennell – që do met hënë emrat për administratën amerikanë nuk janë të rëndësishëm, pasi zyrtarët që përfaqësojnë shtetin nuk janë vullnetarë, por zyrtarë të shtetit.

Meqë janë dy arsye të paktën që na kanë sjellë në këtë situatë, kryeministri dhe liderët opozitarë në trashëgiminë e tyre kanë përgjegjësi për situatën dhe për përgjigjen finale që do të japing (cilado qoftë ajo). Por, në vend të kësaj, të gjitha palët po bëjnë lojëra elektorale – VV fton seancë të Kuvendit për ta shpërndarë përgjegjësinë e PDK thotë se e mbështet qëndrimin e kryeministrit Kurti, por nuk merr pjesë në seancë. LDK e ka mbështetur Kurtin, por nuk dihet ende nëse do të marrë pjesë në seancë. Pothuaj të njëjtin qëndrim ka edhe AAK. Këtu, askush s’e ka mendjen te zgjidhja (qoftë edhe përmes refuzimit të kërkesës së Quintit), por te zgjedhjet eventuale.

Kryeministri, ndërkaq, në vend të seancës, është dashur të ftojë për konsultim liderët e opozitës krahas drejtuesve kryesorë të shtetit, për të analizuar se cila është zgjidhja më e mirë, pasi pasojat eventuale do t’i vuajmë të gjithë bashkë dhe jo vetëm kryeministri a presidentja.

Diskutimi direkt në Kuvend, në një transmetim televiziv do të jetë më shumë një shou herë folk-patriotik e herë parazgjedhor, sesa shqyrtim racional i situatës.

Letra e djeshme e sekretarit amerikan të shtetit Anthony Blinken nuk ishte e rastësishme, as në kuptim të diskursit e argumenteve, as në kuptim të kohës së lansimit. Gjithsesi, shpresa e vetme në gjithë këtë është se letërmarrësi, kryeministri Kurti e ka lexuar dhe trajtuar letrën me gjithë seriozitetin e saj. Atë letër duhet ta lexojnë edhe opozitarët, pasi edhe ata kanë hise në politikëbërje.

Të ngjashme