Regresi i Partisë Socialiste nën drejtimin e Edi Ramës

Prishtinë | 17 Maj 2022 | 11:22 | Nga Afrim Kasolli

Sa herë që diskutojmë për krizën e partive politike në Shqipëri, jemi të prirur që të fokusohemi kryesisht në telashet që po kalon Partia Demokratike. Humbjet e një pas njëshme elektorale të saj dhe në fund edhe kriza e lidershipit politik që e ka kapluar tregojnë në mënyrë të mjaftueshme për tatpjetën dhe situatën pa shtegdalje ku është katandisur kjo parti, tash e sa kohë.

Kurse, fitoret e njëpasnjëshme zgjedhore të Partisë Socialiste të drejtuar nga Edi Rama, i marrin si fakt i mirëqenë për gjendjen stabile të kësaj partie.

Mirëpo, në të vërtetë as Partia Socialiste nuk ndodhet në një pozicion më të mirë. Prandaj, përkundër sukseseve elektorale të saj, edhe ajo është e pushtuar nga një perspektive zymtore dhe pashpresë. Kjo parti nën drejtimin e Edi Ramës ka shënuar një prapakthim të pariparueshëm.

Se çfarë mund të jetë e ardhmja e një partie politike, kjo më së miri vërehet, kur ajo është në majat e lavdishme të pushtetit. Dhe pikërisht PS-ja sot ndodhet në kulmin e krizës së saj politike. Ky entitet nën drejtimin e shefit të qeverisë shqiptare e ka humbur njërën nga cilësitë e rralla demokratike që dikur e ka pasur , tolerimin e fraksioneve të kundërta brenda saj.

Struktura e saj drejtuese përbëhet vetëm nga dishepujë të verbër të të parit të qeverisë. Diçka e paimagjinueshme më parë. Prandaj, instalimi i këtij modeli më shumë së zhvillim, paraqet një devalvim të potencialeve demokratike të PS. Kush sot mund ta kontestojë Edi Ramën? Erion Veliaj që dridhej para kamerave kur e urdhëronte Edi Rama, sikur shefi i shërbimit sekret rus para Putinit. Apo Taulant Balla? Apo mbase edhe nuk kanë nevojë ta kundërshtojnë sepse drejtuesi i saj është i pagabueshëm, i dërguari i perëndisë dhe fjala e tij është fjala e Zotit. Çfarë liderë mund të dalin nesër nga këta “eunukë” politikë?

Ky fenomen, tregon më mirë se asgjë tjetër, se tashmë ajo drejtohet nga kulti i vullnetit të një individi, dhe jo si në të kaluarën nga kompromiset dhe konfrontimet e shumë vullneteve politike.
Dhe mbase ky proces paraqet regersin më të madh politik që i ka ndodhur Partisë Socialiste sa i përket cilësisë së brendshme demokratike, përkundër sukseseve të jashtme elektorale nën drejtimin e Edi Ramës.

Solidarizimi me këtë model politik nuk është përkushtim për demokracinë, por përpjekje cinike dhe e dëshpëruar për imitim të kultit të individit. E siç dihet imitimi është dyfish më i dëmshëm.

Të ngjashme