Rexhaj i përgjigjet Haradinajt: Ju nuk mund të më ofendoni!

Prishtinë | 07 Mar 2018 | 20:32 | Nga

Ish-drejtori i Bordit të Agjencisë së Kosovës për Akreditim, Blerim Rexha, i është përgjigjur kryeministrit Ramush Haradinaj, i cili e ofendoi sot gjatë seancës së Kuvendit të Kosovës, duke e quajtur “hajn ordiner”.

Postimi i Rexhajt në faqen e tij në Facebook:

I nderuar Kryeministër,

Nuk po ndihem i fyer me shpifjet tuaja ndaj personalitetit tim. Po mundohem bile edhe të kuptoj shqetësimin dhe nervozizmin tuaj lidhur me gabimin që keni bërë kur keni shkarkuar të gjithë anëtarët e Bordit të Agjencisë së Kosovës për Akreditim (AKA). Gabim, të cilin ua kam sqaruar në letrën time publike, një ditë pas kërkesës tuaj jo ligjore për shkarkim të Bordit të AKA-së. Gabimi është vetëm pasojë e pasaktësisë së gjykimit, por këmbëngulja në atë gabim tregon edhe mungesë karakteri.

Ua kam thënë atëherë, dhe po e përsëris prapë, jeni bërë viktimë (me ose pa qëllim) e grupeve të interesit, e mashtrueseve dhe plagjiatorëve në arsimin e lartë, duke dëgjuar pakënaqësitë e tyre pasi nuk kanë përmbushur as minimalisht kriteret e cilësisë, kritere ligjore të vëna nga Bordi i AKA-së. Disa institucione i kanë parë veprimet e Bordit të kaluar, edhe pse të gjitha ligjore, si pengesë për vazhdimin e aktiviteteve të tyre biznesore. Thjesht, Bordi i kaluar ndali regjistrimin e pakufishëm të studentëve, ndali akreditimin pa angazhim minimal të profesorëve të rregullt në programe dhe u shqua me shumë rezultate të tjera. Rezultate të cilat i kemi bërë publike që atëherë dhe tani janë të njohura për gjithë opinionin kosovar. Rezultate që i ka pranuar edhe EQAR dhe ENQA.

I nderuar Kryeministër nuk ju kam bërë “davë” në EQAR! Raportimi në EQAR është obligim ligjor, sipas rregullores së anëtarësisë, pas çdo ndryshimi substancial në Agjenci, mjafton që këshilltarët tuaj të lexojnë rregulloren. E kam ndjerë edhe obligim moral, t’i njoftoj institucionet me të cilat kemi bashkëpunuar, që jemi shkarkuar nga Bordi, për arsye që nuk i di askush, e madje as ju nuk i dini, siç edhe e konfirmuat sot. Është vonë të pohosh gabimet kur anija tani më është fundosur!

Lidhur me dorëheqjen time nga Agjencia Kosovare e Privatizimit (AKP), ashtu siç e kam thënë atëherë publikisht, nuk jam pajtuar me politikat e privatizimit, si p.sh. të privatizohen 50 hektarë toke të Kosovës për 5.000 (5 mijë) euro! Besoj, që të dy pajtohemi, që toka e Kosovës vlen më shumë! Unë, atëherë, vetëm e ngrita zërin! Të tjerat i di opinioni ynë, mjafton të lexohen! Raportet e mia me miqtë ndërkombëtarë, janë gjithnjë e më të mira. Tendenca juaj dhe vartësve tuaj të fshihen prapa petkut amerikan dhe “informacioneve sekrete” nuk do koment dhe vetëm paraqet qasjen mjerane dhe vetëdijen e institucioneve që ju udhëhiqni.

“Fyerja” juaj se unë jam “hajn ordiner”, nuk është njollosje vetëm për mua, është njollosje që po tentoni t’i bëni familjes time, shkollimit tim në Universitetin Teknik të Vjenës, karrierës time profesionale gati 10-vjeçare në Siemens të Austrisë dhe mbi 10 vite karrierë të suksesshme në Universitetin e Prishtinës. Prandaj, ju nuk mund të më fyeni, sepse “hajninë nuk ua solla unë nga Austria”, atë po e kërkoni në adresën gabuar! Kryeministër, ju i keni të gjitha mekanizmat në dispozicion, hidhi transparencë këtij procesi!

Fjalë Kryesore:

Të ngjashme