Rezultati i vizitës së duos Eskobar – Lajçak

Prishtinë | 01 Shk 2022 | 17:28 | Nga Artan Behrami

Ardhja e dyshes në Kosovë nuk do të krijojë ndonjë dinamikë të re në dialogun Kosovë-Serbi. Gjasat janë të mëdha që status-quoja të vazhdojë, të paktën deri në përfundim të zgjedhjeve në Serbi e në Francë dhe etablimit të Qeverisë në Gjermani.

Temat që janë diskutuar në Prishtinë janë më shumë të tipit “warming up”, një nxehje e lehtë para ndeshjes, e cila po ashtu nuk do të jetë finale.

Duket se Perëndimi ka hequr dorë nga një marrëveshje gjithëpërfshirëse dhe përfundimtare. Në vend të saj ata e shohin zgjidhjen e Kosovës në dy faza, duke e bërë dialogun një ‘never ending story’.

Çka u fol në Prishtinë?

Në takim u fol për propozimin e Qeverisë së Kosovës për arritjen e një “Deklarate të qëllimit të mirë”, një zotim jo obligues ndërmjet Kosovës dhe Serbisë për mos sulm të njëri-tjetrit, që në thelb është kundër argumentit tradicional, sepse Kosova asnjëherë nuk ka sulmuar dhe nuk ka në plan të sulmojë shtetet fqinje.

Është kundër qëndrimeve që Kosova ka krijuar tash e tri dekada. Po ashtu, një zotim i tillë, përveçqë e paraqet kriminelin Aleksandër Vuçiq si njeri të paqes, nuk parandalon as ndonjë sulm të Serbisë mbi Kosovën!

Një temë tjetër ka qenë edhe zgjedhjet e Serbisë në Kosovë, të cilat kryeministri Kurti pa takt i shndërron në temë të dialogut Kosovë-Serbi.

Kurti, temën më të nxehtë, edhe kësaj radhe, arriti që t’ia lë në duar të tjerëve, duke mos dashur të ballafaqohet me pasojat e mundshme të pranimit të asaj që dikur e quante “Zajednica”.

Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, përmes këshilltarit të saj, Blerim Vela, tashmë e pranoi se Kosova do ta pranojë “Zajednicën”. Kurti edhe një herë arriti të keqpërdorë presidenten për agjendën e tij populiste!

Kështu, muajt e mjaltit për Kurtin do të vazhdojnë, të paktën sa i takon presionit amerikan.

Derisa, presioni i qytetarëve të Kosovës për të realizuar mrekullitë që ai u ka premtuar, do të vazhdojë!

Të ngjashme