Rinia gjakovare përballë sfidave të vitit 2020

Prishtinë | 03 Dhj 2020 | 12:40 | Nga Ideal Zhaveli

Kosova njihet për një rini vibrante dhe numër të konsiderueshëm të rinisë në vend. Mirëpo fatkeqësisht rinia shpesh herë anashkalohet duke u arsyetuar se përkrahja për ta vjen në mënyrë indirekte prej aktiviteteve të ndryshme që ndërrmer komuna. Në veçanti në komunën e Gjakovës nevojitet një fokus i veçantë dhe përkrahje serioze për ngritjen e kapaciteteve edhe hapësirë më e madhe për punësim.

Sipas Drejtorisë për Kulturë, Rini dhe Sport (DKRS) në komunën e Gjakovës, kanë përkrahur organizatat rinore në bazë të kodit buxhetor për rini i cili është i ndarë çdo fillimvit dhe votohet në asamblenë komunale të Gjakovës. Shuma e kodit buxhetor nuk është shpenzuar e gjitha edhe këtë herë për shkak të mos aplikimit të OJQ-rinore në këtë thirrje. Megjithatë, sipas DKRS-Gjakovë ka përkrahur të gjithë të rinjtë të cilët kanë kërkuar subvencionimin e ideve të tyre nga komuna e Gjakovës. Jane gjithsej 20.000 shpenzime, nga të cilat 10.000 euro janë të shpenzuara në kuadër të subvencioneve për fushën e rinisë dhe 10.000 të tjera në mallra e shërbime, por se a janë të mjaftueshme dhe se a po kanë ndikim projektet e tilla, besoj se ka vend për diskutim..

Sipas drejtorisë komunale të arsimit të komunës së Gjakovës, kanë shpërndare rreth 900 mjete elektronike (ipad, telefonë e laptop) për nxënësit të cilat nuk kanë pasur mundësi të ndjekin mësimin online përshkak të mungesës së kushteve për blerjen e një mjeti i cili ia mundëon të ndjekë mësimin online. Gjatë kohës kur po diskutonim në sallonin e organizuar nga D4D, nga 16.000 nxënës që ndjekin mësimin në komunën e Gjakovës, vetëm gjashtë prej tyre kanë rezultuar pozitiv me COVID-19 dhe mësimi po vazhdon të mbahet fizikisht në të gjitha shkollat. Por edhe pse zyrtarisht qëndron ky numër sipas DKA-Gjakovë, lindin shpesh dyshime pasi ka shkolla të cilat janë mbyllur plotësisht për shkak të numrit të madh të të infektuarëve dhe shumë të tjerë ka që nuk po dalin në shkollë për shkak të COVID19, por ndoshta duhet një analizë më e thellë, duke iu drejtuar shkollave veç e veç

Pikëpamja e pëfaqësuar nga drejtoresha e kulturës, rinisë dhe sportit e poashtu edhe e të zyrtarëve komunal, është se buxheti për rini nuk po mundet të shpenzohet dhe duhet të ulet si rezultat i mos aplikimit nga organizatat. Për shkak të rregullores të nxjerrur nga Ministria e Financave NR-04/2017 mbi kriteret, standardet dhe procedurat e financimit te OJQ-ve, iu vështirëson OJQ-ve rinore të cilat nuk kanë qarkullim vjetor, të aplikojnë dhe të fitojnë subvencione nga Drejtoria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit. Pika kryesore që iu vështirëson, është se duhet të kryejnë të gjithë projektin me financat vetanake dhe pasi të raportoj, do t’i transferohet shuma e projektit të fituar. Dhe kështu në komunën e Gjakovës kanë mbetur vetëm 2-3 organizata rinore të cilat kanë kapacitet ta përballojnë një procedurë të tillë. Kurse organizatat të cilat përfitonë mendojnë se në vend që të mbesin pa shpenzuar, ato të kenë qasje për një thirrje të dytë apo aprovim më të madh të buxhetit të projekteve.

Deri në momentin kur është arritur kodi buxhetor për rini, puna ka qenë e vazhdueshme dhe komunikimi mes OJQ-rinore dhe komunës së Gjakovës ishte gati se i përditshëm, kurse tash ka ndryshuar, duke pasur takime të pakta mes OJQ dhe komunës së Gjakovës. Në rast të zvogëlimit të buxhetit sipas drejtoreshës së DKRS-Gjakovë pa takimet konsultative me organizatat jo-qeveritare, do të sjell pakënaqësi tek organizatat rinore. Pavarësisht rrethanave, kodi buxhetor nuk duhet të ndryshohet, por duhet nxitur organizatat që të aplikojnë duke iu lehtësuar procedurat burokratike.

Debati më i madh ishte për mësimin online ku ndjekësit online shprehin shqetësimin e tyre për arsimin online i cili nuk po ka efekt dhe shumë nxënës po infektohen dhe se virusi po vazhdon të shpërndahet. Një çështje e cila me mungesën e kryetarit të komunës nuk mund të diskutohej, ishte çështja e Qendrës Rinore Publike në Gjakovë, e cila mungon tash e sa vite. Mungesa e qendrës rinore publike debatohet dhe diskutohet vetëm me afrimin e zgjedhjeve lokale apo qendrore. Gjithashtu ka kohë që nuk ka pasur një debat të mirëfilltë dhe gjithëpërfshirës për këtë temë. Diskutimet për qendër rinore po ndodhin vetëm në takime individuale me kryetarin. Edhe pse ishte i ftuar në disa debate, kryetari mungoi dhe që nga muaji dhjetor 2018, nuk ka pasur një debat ku ka pasur të ftuar organizatat lokale që funksionojnë në Gjakovë. Atë kohë kryetari ka thënë se po i presim të lëshohen disa objekte dhe të vendosen në pronësi të komunës. Ne akoma po presim për lirimin e atyre objekteve por se cili objekt do të destinohet për Qendren Rinore Publike, akoma nuk dihet. Për momentin ka 2 organizata që kanë projekte konkrete, të paktën ashtu siç është cekur në një debat publik, në njërën nga TV-të nacionale, por prapë pa një konsensus mes akterëve të përfshirë direkt në këtë temë. Ndoshta viti 2021 do të jetë viti që do të marrim përgjigjen konkrete.

Pjesëmarrësit në panel ishin të pajtimit që mësimi online dhe puna gjatë vitit 2020 nuk ishte aq efektiv. Ndjekësit online por edhe panelistët ranë dakord që duhet të punohet më shumë në fushën e rinisë duke iu mundësuar hapësirat e nevojshme dhe nxënësve t’ju mundësohet ndjekja e mësimit qoftë fizikisht apo online, por nuk duhet humbur mësimin apo mbylljen totale. Tema e qendrës rinore dhe ngritja e kapaciteteve të të rinjve duhet të vazhdoj në bashkëpunim të sektorit qeveritar dhe jo-qeveritar.

Qështja për qendrën rinore ishte dhe mbetet diskutimi më i madh mes institucioneve, organizatave jo-qeveritare dhe të rinjve në Gjakovë. Palët një kohë kishin përafruar qëndrimet por gjatë kohës së fundit ka një mungesë komunikimi dhe mungesë takimesh të cilat do të sillnin ndoshta edhe vendimin se si do të bëhet qendra rinore publike në Gjakovë.

Fjalë Kryesore:

Të ngjashme