Rinia shqiptare mes kotësisë, punës e luksit

Prishtinë | 01 Gus 2016 | 00:09 | Nga Alteo Hysi

Ka një shprehje cinike që qarkullon gjithandej se “Të rinjtë shqiptarë nuk janë idealistë” , se “të rinjtë shqiptarë i duan gjërat gati, edhe shkollën mundësisht me mik, edhe punën me parti”.

Është e vërtetë. Në këtë vend ka kaq shumë të rinj që rinë kot,si hiçi, që presin gjëra nga hiçi dhe marrin po prapë gjëra nga hiçi.

Shihini! I keni në bllok, në Dhërmi, në Jalë, në Gjir të Lalëzit, nëse ende nuk kanë shkuar jashtë me paratë e babait.

Veçse këta nuk janë rinia shqiptare. Këta janë rinia e luksit, bijtë e politikanëve që po, nuk kanë asnjë lidhje me idealizmin, me dëshirën për të dhënë dhe marrë nga shoqëria, për tu rritur vetë bashkë me shoqërinë ku jetojnë. Hapini sytë, të tjerët i keni gjithë kohën në facebook duke i bërë lajka politikanëve, si zëdhënës tipikë, me shpresën se do të vijë një lëmoshë, sado e vogël qoftë.

Rinia shqiptare, ajo e vërteta, në fakt është ajo e punës, e përpjekjeve për të dalë mbi rrethanat mjerane që ka prodhuar ndër vite sistemi ynë.

S’janë idealisë ata që edhe këtë verë, në vend të pushimeve punojnë në Call-Centera për të grumbulluar paratë e Masterit?

Që meqë ra fjala, jo të gjithë mund ta kryejnë, tani që Ministria e Arsimit si kriter bazë për pranimin në studimet Master, vendos certifikimin e gjuhës së huaj, që kushton qindra euro.

Cilën rini duhet të quajmë jo idealiste? Rininë që emigron për studime jashtë vendit, në kërkim të një sistemi universitar ku dijet e tij nuk i zbyth forca e parasë dhe pushtetit?

Rininë që emigron për një punë të rëndomë por të vështirë, sfilitëse, jashtë vendit, në vend që të presë lëmoshën ?

Sipas një studimi të Fondacionit “Friedrich Ebert” 60 përqind e të rinjve shqiptarë duan të ikin jashtë vendit.

Mos ndoshta këta që ikin dhe ata që duan të ikin, janë pragmatistët? Nuk e duan vendin e tyre këta?

Jo, këta janë e pakta pasuri që i kanë gelur këtij vendi. Sepse një vendi i duhen njerëzit e lirë!

Që investojnë për vlerat mbi veten, që nesër vlerat t’ja kthejnë pse jo kësaj shoqërie. Investimi për veten është investim për shoqërinë. Por a do të jetë kjo shoqëria jonë e zonja ti mirëpresë?

Apo deri atëherë, shoqëria jonë do të jetë asfiksuar nga pordhët e të rinjve të vjetër? Atyre që mbijetesën e lidhin me servilizmin, me nënshtrimin ndaj “të mëdhenjve”? Që në njerën anë sillen si kërminj para atyre që i promovojnë e burokratizojnë, ndërsa në anën tjetër fryhen si snobë në sytë e moshatarëve. Kompleks ky tipik i njerëzve të paaftë në vendin e pamerituar.

Shqipëria pra, është kaq kaotike por kaq e pasur në karaktere, ideale, bindje, vlera. Në këtë vend të vogël i gjen të gjithë, edhe të rinjtë e babit, edhe të rinjtë e punës, edhe të rinjtë e X5-ave, edhe të rinjtë e bibliotekave.

Por vetëm një gjë mungon dhe ndoshta nuk kemi për ta gjetur kurrë për një kohë të gjatë: Sistemin që kanalizon dhe menaxhon energjitë rinore, mekanizmin shoqëror, social, shtetëror, që promovon aftësinë, për ti dhënë gjithsecilit vendin që i takon.

Deri atëherë, rrugë të mbarë atyre që po ikin dhe do të ikin! (Opinion.al)

Fjalë Kryesore:

Të ngjashme