Rreth debateve pro et contra ne lidhje me krijimin e qeverisë se re, apo shpërndarjes së Kuvendit

Prishtinë | 30 Mar 2020 | 21:15 | Nga Hajzer Salihu

Në një demokraci parlamentare siç është vendi ynë, organi legjislativ është “vox populi”, qe në shqip i bie zëri i popullit. Mandati i Qeverisë, buron nga vota e përfaqësuesve të popullit, legjitimiteti i të cilëve rrjedh direkt nga besimi qe kanë marr përmes votës qytetare. Askush nuk mund të thirret në popullin, nëse nuk e ka shumicën e përfaqësuese ne Kuvend, që i bie të ketë se paku 61 deputetë.

Është pikërisht neni 95.5 i Kushtetutës që pas mocionit të mosbesimit, apo dorëheqjes së qeverisë, obligon Presidentin t’i thërras në konsultime të gjitha subjektet politike, të cilat populli përmes votës se tij i ka deleguar si përfaqësues ne Kuvend.

Po ashtu, pasi qe sipas Kushtetutës, Presidenti përfaqëson shtetin dhe unitetin e popullit, është përgjegjësi e tij që kur vendi mbetet pa qeveri, qoftë për shkak të dorëheqjes, qoftë për shkak të mocionit të mosbesimit, të filloj konsultimet me partitë politike parlamentare të cilat përfaqësojnë vullnetin e popullit ne Kuvend, dhe qe ne funksion të ruajtjes së stabilitetit të vendit të gjejë kritere mbizotëriuese për formimin e qeverisë se re, në mënyrë që të shmangen zgjedhjet, si tani ne këso lloj situate të luftës së pandemisë të cilën po e kalon vendi ynë.

Këtë përgjegjësi ne ndërmarrjen e hapave të tillë, Presidentit ia ka njohur edhe pika 94 e Aktgjykimit të Gjykatës Kushtetuse ne rastin Nr. KO103/14, e cila përputhet plotēsisht me funksionin e përgjegjësive të tij si përfaqësues i unitetit, për ndëgjim të vullnetit të deputetëve shumicë, si përfaqësues legjitim të popullit.

Të ngjashme