Rrëzimi i Kurtit me mbi 2/3 e përfaqësuesve të popullit duhet të jetë “Shock therapy” për të

Prishtinë | 27 Mar 2020 | 17:37 | Nga Adil Behramaj

Rënien e kishte konsideruar si të domosdoshme Albin Kurti, kinse për ngritjen e nevojshme të tij.

Ajo, në fakt, ishte e domosdoshme dhe e nevojshme vetëm për këndelljen e tij. Në demokraci, shumica e thjeshtë të çon në shtëpi. Por, shumica absolute, me mbi 2/3 e përfaqësuesve të popullit, mund të ta caktojnë edhe ditën e varrosjes politike kurdo dhe me çfarëdo ceremonie që duan.

Kjo rënie me votat e shumicës absolute do të duhej të ishte “Shock therapy” për të. Nëse as kjo nuk e vetëdijeson si politikan, atëherë vështirë që mund të gjendet ndonjë terapi që jep rezultate tek ai.

Nëse një kryeministër nuk është në gjendje ta kuptojë, që pa partnerë vendorë e ndërkombëtarë, sidomos pa SHBA-në në krah, nuk mund të mbijetojë në Qeveri, ai më as rast nuk meriton.

Nëse një kryeministri të shkarkuar nuk i mjafton ndëshkimi i shumicës absolute të deputetëve dhe për ta vetëkënaqur egon, në mesnatë nga shpirtngushtësia e shkarkon edhe zëvendësin më konstruktiv dhe më të arsyeshëm të tij, atëherë ai dëshmon që është shumë i vogël edhe si njeri.

Nëse një kryeministër ka marrëveshje me partnerin e tij për ndarje të barabartë të ministrive dhe atij nuk i mjafton shkelja e marrëveshjes me shkarkimin e një ministri të partnerit të tij, por e ndryshon edhe substancën e asaj marrëveshjeje, duke e bërë të pabarabartë për interesat e nevojshme të tij, ai më nuk është i denjë as për partner.

Sikur vetëm pak të kishte korrektësi, për ushtrues detyre të ministrit do ta bënte zëvendësministrin nga radhët e LDK-së, jo atë nga radhët e Vetëvendosjes, duke i krijuar kështu vetes avantazh në çfarëdo procesi të votimit dhe vendimmarrjes në Qeveri.

Edhe, sipas pikës 6 të nenit 100 të Kushtetutës së Kosovës, nuk jeni më as qeveri në detyrë.

Pra, rima e përshtatshme është: jeni qeveri në dorëheqje dhe jo qeveri e dorëhequr!

(Autori është këshilltar i presidenti Hashim Thaçi | Opinionet nuk përfaqësojnë domosdoshmërisht qëndrimin e Ekonomia Online)

Fjalë Kryesore:

Të ngjashme