Rruga e Kosovës drejt anëtarësimit në BE: Dy skenarë për Kosovën

Prishtinë | 13 Tet 2020 | 14:47 | Nga Ngadhnjim Avdyli

Që nga shpallja e pavarësisë së Kosovës, të gjitha qeveritë për fokus kanë pasur integrimin euro-atlantik të Kosovës, prandaj më 6 tetor është mbajtur salloni i rradhës nga Instituti Demokraci për Zhvillim (D4D) me temën “Rruga e Kosovës drejt anëtarësimit në BE: Dy skenarë për Kosovën”.

Panelistë të diskutimit ishin Teuta Sahatqija, zëvendësministre – Ministria e Punëve të Jashtme dhe Diasporës dhe Demush Shasha, drejtor Ekzekutiv – Instituti EPIK.

Në “Sallonet e së Martës” të D4D-së u paraqitën hapat që Kosova ka ndërmarrë për anëtarësim në BE, pastaj sfidat që e presin, si dhe qëllimet dhe strategjitë që shteti kosovar duhet të ketë karshi rrugëtimit evropian.

Në kuadër të sallonit u lansua edhe raporti “Udhërrëfyesi për anëtarësim në Bashkimin Evropian”.

Diskutimi nisi me autorin e raportit, Demush Shasha, i cili që në hyrje të bisedës tha se “qëllimi i këtij studimi është të propozohen disa alternativa sa i përket anëtarësimit të Kosovës në BE”. Më tej, ai vuri në pah se Kosova është vendi i fundit në Ballkan në rrugëtimin drejt BE-së, ku vetëm në vitin 2016, me nënshkrimin e Marrëveshjes së Stabilizim Asociimit (MSA), është bërë hapi i parë zyrtar drejt anëtarësimit në unionin evropian.

“Ne jemi i vetmi vend në rajon që nuk kemi ndërmarrë hapin e dytë për anëtarësim në BE”, shtoi Shasha. Ai këtë e bazoi se tashmë edhe Bosnja dhe Hercegovina ka dorëzuar kërkesën zyrtare për anëtarësim në BE, pasi shtetet tjera ballkanike veçse kanë kryer këtë akt, procedurë kjo e rregulluar sipas nenit 49 të traktatit të BE-së.

Kosovës i mbesin shtatë hapa për anëtarësim: Kërkesa për Anëtarësim; Rekomandimi për Statusin; Statusi Kandidat; Nisja e Negociatave; Përfundimi i Negociatave; Ratifikimi i Traktatit të Anëtarësimit; dhe në fund, Vend Anëtar i BE-së. Këto hapa janë shtjelluar më detajisht në Udhërrëfyesin për anëtarësim në Bashkimin Evropian.

Sipas Shashës, periudha kohore që do i duhet Kosovës për t’i kaluar këta hapa varet kryesisht nga Kosova me reformat që do të ndërmerr. Sidoqoftë, nisur nga veprimet e deritanishme, faktorëve tjerë të jashtëm, dhe rrethanave specifike që e përcjellin shtetin e Kosovës, Shasha tha se studimi propozon dy skenarë (optimist dhe pesimist) të mundshëm të afateve kohore që Kosovës mund t’i ndodhin për anëtarësim në BE.

Në skenarin e parë, Kosova mund të bëhet pjesë e BE-së në vitin 2030, dhe ky konkluzion niset nga afati kohor i përvojës së anëtarësimit të Kroacisë në BE. “Kemi thënë se nëse këto hapa i ndjekim me afatet kohore e shpejtësinë e Kroacisë atëherë deri në vitin 2030 ne do bëhemi anëtar të BE-së”, tha Shasha.

Mirëpo, ai insiston se ky propozim mbetet tejet ambicioz për Kosovën. Sipas tij, për t’u arritur kjo, Kosova duhet të mbështetet nga pesë vendet e BE-së që ende nuk e kanë njohur Kosovën si shtet të pavarur. Gjithashtu, Kosova do të duhej t’i bëj detyrat e veta drejt anëtarësimit “në mënyrë briliante”, kryesisht në luftimin e korrupsionit dhe reformat në arsim.

Konkluzioni i skenarit të dytë, atij pesimist, niset nga përvoja e shteteve si Shqipëria, Maqedonia e Veriut dhe Mali i Zi. Në këtë skenar, sipas raportit, Kosova mund të bëhet anëtare e BE-së në vitin 2050. Dhe kjo niset nga ajo se Kosova ka dështuar të merr hapa konkret drejt reformave që do përfundonin me anëtarësim në BE.

“Vitin tjetër do bëhen pesë vite që nga hyrja në fuqi e MSA-së. Raporti i Progresit, që u publikua sot, konfirmoi se Kosova nuk i ka përmbushë një numër të obligimeve të MSA-së”, tha Shasha, duke shtuar se nisur nga përvoja e këtyre pesë viteve të fundit “nuk ka rrugë tjetër pos të jesh pesimist sa i përket pesë apo dhjetë viteve të ardhshme”.

Ish-ambasadorja e Kosovës në New York, Teuta Sahatqija, vuri në pah që në fillim të bisedës se “kur flasim për integrime evropiane, çdo herë flasim dhe koncentrohemi që të jemi pjesë e Evropës. Unë kam dëshirë që kur të flasim për integrime të flasim për interesin e Kosovës në vend të parë. Sepse me përmirësmin e sundimit të ligjit, me përmirësimin se si funksionon ekonomia, me ngritje të demokracisë brenda institucioneve, dhe gjitha ato që kërkohen në raporte të ndryshme, në fakt, fituesja e parë dhe më e rëndësishme është vetë Kosova”.

Më tej, diplomatja kosovare tha se integrimi i Kosovës në BE, pos që është interes i vendit tonë, është edhe interes i BE-së, pasi po të jetë gjithë rajoni i Ballkanit në BE është edhe interes i shteteve evropiane. Pavarësisht kësaj, ajo tha se në 2015 të gjithë ishim më optimistë dhe pritshmëritë ishin më të mëdha, qoftë në thithjen e investimeve qoftë në aspekte tjera teknike.
Sipas Sahatqijut, rrethanat politike në vitin 2020 kanë ndryshuar tashmë. Ajo vuri në pah liberalizimin e vizave për Kosovën, që anipse janë proces i ndryshëm i integrimit në BE, insistonte se janë të lidhura ndërmjet vete.

Zëvendësministrja Sahatqija, pos “detyrave të shtëpisë” nga Kosova, insistonte se duhej të vihej theksi i diskutimit edhe tek “ndryshimet e Evropës”. Sipas saj, Kosova ka përmbushur kushtet për liberalizim të vizave në anën tjetër shtetet evropiane nuk kanë treguar interesim të shtuar për rajonin, sidomos për Kosovën. Sahatqiju ishte e brengosur se nga kjo qasje e BE-së e shteteve anëtare të saj, “ndikimi i Rusisë dhe Kinës – sidomos i Kinës – është rritur, sidomos në investime ekonomike”.

Sipas saj, këto dy zhvillime kanë ndryshuar rrethanat e 2015-ës. Ndër tjera, ambasadorja përmendi edhe problemet e brendshme të BE-së, duke veçuar largimin e Mbretërisë së Bashkuar nga BE. Sahatqija insistonte se gjithë këto ndryshime në BE janë vërejtur edhe në New York përgjatë punës së saj si ambasadore atje. Mirëpo, ajo insistonte se institucionet kosovare duhet të ristrukturalizohen dhe të marrin përgjegjësitë e veta për integrim në BE, por gjithmonë duke marrë parasysh rrethanat e reja të krijuara në BE.

Në përfundim të diskutimit, Shasha tha se viteve të fundit Kosova ka nisur të del nga linja e lojtarit besnik të BE-së. Sipas tij, kësaj i ka kontribuar mosratifikimi i demarkacionit me Malin e Zi me kohë, si dhe zhvillimet e fundit. Mirëpo, ai insiston se edhe BE duhet ta shohë si të avancojë çështjen e Kosovës dhe të afrohet me institucionet kosovare.

Në këtë drejtim, Shasha përmendi rastin e vizave, dhe që për të nëse liberalizimi i vizave për kosovarët nuk ndodh në gjashtë muajt e ardhshëm, gjasat janë që përgjatë vitit tjetër mundësitë të pakësohen për shkak se presidencën e Këshillit të BE-së do ta marrin në drejtim shtete më të vogla. Por, sipas tij, Kosova duhet të përqendrohet në problemet e veta si reformat në drejtësi, arsim dhe ambient.

Në anën tjetër, Sahatqija thekson se “shpreson që raporti progresit të Be-së i vitit tjetër të mos jetë copy-paste, pasi këtë vit ka pasur progres. Sidoqoftë, për të është e rëndësishme se tashmë BE-ja e ka marr seriozisht “normalizimin e marrëdhënieve Kosovë-Serbi” dhe se kjo është “thyerje e status quo-s”, duke e lidhur këtë me integrimin e Kosovës drejt BE-së.

Sallonet e së martës janë një nismë javore e Institutit Demokraci për Zhvillim (D4D). Diskutimi mbledh rreth vetes ekspertë e analistë, politikanë e publicistë për të reflektuar dhe kërkuar konsensus mbi temat e përzgjedhura. Për shkak të situatës së ballafaqimit me pandeminë, vetëm panelistët dhe moderatori/ja janë pjesëmarrës fizikisht në Dit’ e Nat’, ndërkaq Salloni është transmetuar direkt në rrjete sociale nga ku edhe janë kyçur të interesuarit/at.

(Ky sallon u realizua me mbështetje nga Open Society Foundations)

Të ngjashme