Rrugëtimi i Kosovës drejt portës së ferrit ‘Shengen’

Prishtinë | 18 Nën 2022 | 14:08 | Nga Arlinda Gjebrea dhe Arsim Ajeti

Pse është bërë rutinë rishqyrtimi Evropian ndaj Kosovës për lëvizjen e lirë, e cila njihet si e drejtë fundamentale në Preambulën e Kombeve të Bashkuara të drejtave të njeriut (UN). Pse absurditeti është bërë normë vetëm për qytetarët e Kosovës? Ku mund ta kërkojmë gjenezën e një ëndrre ‘kafkeske’ me të cilën po përballet rinia kosovare prej vitesh, e cila mbi të gjitha është vetëm një në vargun e të këqijave, që mund t’ia atribuojmë fatit të keq (në cilësinë demografike) dhe padrejtësisht të cilësohemi si një vend i pa prespektivë, kur kemi me qindra raste individuale që tregojnë të kundërtën, nga Dua Lipa e deri tek drejtori I kompanisë AstraZeneca, Arbër Shehu

Nga pikëpamja kritike, patjetër se duhej thënë ca fjalë mbi përfaqësimin politikë, që prej dekadash ose kanë qenë të korruptuar, ose të papërgatitur për përfaqësim dinjitoz, ose të dyja bashkë.

Por, cili është roli i shteteve anëtare të Bashkimit Evropian, apo konkretisht, kë përfaqëson Lajçaku? Në emër te dialogut Prishtinë-Beograd ai ka bërë mbi 40 udhëtime në të dyja kryeqytetet e rajonit në gjashtë muajt e fundit. Por, përse vallë janë bërë gjithë këto udhëtime kur nuk kemi as edhe një rezultat.

Çfarë, në fakt, mund të jetë kjo kakofoni mediatike, që zgjat për më shumë se një dekadë që nga fillimi i procesit të dialogut Kosovë-Sebi? Ndërkohë, nuk duhet harruar se vizat për shtetin Serb janë hequr që në fillim të procesit, ndërsa për Kosovën, ato vazhdojnë të mbeten në fuqi. Përflitet se ky proces do të përfundojë në vitin 2023. Por, unë vazhdoj të mbetem skeptik për atë që thuhet apo flitet nga faktori politik, vendor apo ndërkombëtar, dhe ja disa arsye pse:

  • Viti 2016 – Hiqen vizat, deklaron ish ministri Bekim Qollaku duke hapur shampanjën e famshme, që u kthye në ‘meme’ sot e kësaj dite
  • Viti 2018 – Vizat do të hiqen para Krishtlindjeve, një tjetër perlë nga Ramush Haradinaj
  • Viti 2019 – Vizat hiqen, 90 ditë pas ratifikimit të demarkacionit – deklaron zëdhënësi i ish-kryeministrit Isa Mustafa, z. A. Abrashi. Nga ajo dite kanë kaluar 900 ditë, ndërsa ne akoma jemi në pikën zero!

Kjo na tregon logjikën dhe seriozitetin e njerëzve që kanë qenë në krye të procesit të negociatave për vizat. Këto deklarata nuk tregojnë vetëm pakujdesi dhe jo seriozitet, por edhe një tallje me të gjithë ne, ose ndoshta siç tregojnë edhe zbulimet e fundit mbi sjelljen njerëzore nga autorët. E. Locke dhe G. Latham, ku mes të tjerave ata konkludojnë se ‘është e vështirë për cilindo individ të bëjë një përpjekje serioze për të përmbushur detyrat e tij, nëse ai vetem se ka përmbushur qëllimin kryesor’… e kjo do të thotë që asnjëri nga përfaqësuesit politikë nuk mund ta ketë pasur punën e negociatave për liberalizimin e vizave prioritet, meqenëse ata (bashkë me familjet e tyre) tashmë udhëtojnë nëpër Evropë pa problem.

Madje, disa syresh kanë pashaporta shqiptare, disa të tjerë kanë pashaporta të vendeve evropiane, e madje, ka edhe nga ata që kanë pashaporta serbe. Por, shumica prej tyre kanë viza të përhershme. Kështu që ne, vdekatarët – ‘të tjerët’ mbetemi peng në lojën e paskrupullt dhe krejtësisht joetike të faktorit evropian dhe jo vetëm.

Për më tepër, Kosova nuk ka dështuar në përmbushjen e kritereve të përcaktuara nga Këshilli Evropian, ajo vetëm se i ka plotësuar kriteret shtesë. Ndërkohë, kemi dy vite që ende vazhdojmë të dëgjojmë të njëtat ‘pallavra’ nga Këshilli monoton Evropian. Përderisa Kosova pret liberalizimin e vizave, migrimi i të rinjve, që tashmë ka përfshirë edhe mjekët dhe infermierët po vazhdon.

Pak muaj më parë, unë botova edhe një opinion lidhur me fenomenin në fjalë. Ky opinion fokusohej në aftësitë e rinisë sonë në teknologjinë e informacionit (IT). Por që për shkak të faktit që rinia jonë nuk po e gjen dot vetën në vendin e saj, ajo vendos të migrojë. Paralelisht me këtë fenomeni, vihet re edhe tendenca në rritje e mjekëve, anesteziologëve, infermiereve/infermierëve dhe personelit tjetër mjekësor të largohen nga vendi. Me sa duket, premtimet për ndryshime mbeten vetëm premtime.

Qeveria aktuale lë shumë për të dëshiruar, meqenëse merret me tema triviale si (regjistrimi /targat) dhe disi duket e humbur në kohë dhe hapësirë. Ndërsa qeveritë e mëparshme me ‘sukses’, e patën renditur Kosovën ndër 30 vendet më të korruptuara në botë, kjo sipas Transparency International. Megjithatë, faji nuk mund të mbetet jetim, sepse që nga viti 2000 Kosova udhëhiqet nga organizatat ndërkombëtare, ku UNMIK-u, që kishte kompetenca ekzekutive për 9 vite,dhe  la vendin, më pas, tek Eulex-it duke siguruar shumë grante nëpër Evropë.

Po ku janë ato investime? Pa dyshim, që edhe nga ana e ndërkombëtarëve ka pasur individë, jo vetëm mashtrues ordinerë, por edhe të korruptuar, të fshehur nën ombrellën e ekspertëve imagjinarë. Besoj se ende ju kujtohet skandali i ekspertit gjerman nga ‘Kek’-u, i cili ‘zhvati’ miliona euro nga faqja e dheut. Po i referohem këtu fondit kushtuar ‘rigjenerimit të Kek-ut’, duke iu referuar këtij fondi, besoj se ju vjen në mendje edhe emri ‘Joe Trushler’

Në fund fare, duhet t’i bëjmë vetes pyetjen, nëse vërtet duam një shtet funksional, me një jetë normale dhe një klasë politike që të bëjë vërtetë atë që premtojnë, apo do të zgjedhim skenarët e shteteve të dështuara sub-sahariane, në të cilat demokracia, liria dhe prosperiteti mund të jetë ëndërr por jo edhe realitet. Kështu që, duket që as zgjedhjet nuk mjaftojnë, nëse nuk do të kemi një proces të mirëfilltë llogaridhënieje.

Të ngjashme