Rusia synon destabilizimin e Ballkanit, duket se Kosova e ka radhën

Prishtinë | 27 Pri 2020 | 00:02 | Nga Demush Shasha

Nëse jemi dakord që destabilizimi i një vendi nënkupton sabotimin e zgjedhjeve demokratike, përmbysjen e institucioneve legjitime të shtetit, shtrembërimin e rendit kushtetues e ligjor, dhe mjegullimin e fakteve me qëllim të ngritjes së tensioneve civile dhe etnike – atëherë Kosova është në rrugë të mbarë për të përmbushur pothuajse të gjitha kriteret.

Synimi i Rusisë për të destabilizuar rajonin e Ballkanit nuk është ndonjë risi. Këtë e kanë bërë dhe vazhdojnë të bëjnë në gjithë Ballkanin. Në Malin e Zi kanë penguar zgjedhjet, anëtarësimin në NATO dhe kanë fasilituar komplotin për vrasjen e Kryeministrit. Në Maqedoni, kanë tentuar të nxisin tensione etnike me narracione të rrejshme, kanë ndërhy aktivisht në pengimin e Marrëveshjes së Prespës dhe avancimit drejt NATO-së dhe BE-së. Në Bosnjë, Rusia mbështet ndarjen e Republikës Srpska dhe aktivisht ofron mbështetje ushtarake Dodikut. Sa i përket Shqipërisë, vetë ministri Jashtëm Lavrov ka promovuar narracione të rrejshme që Shqipëria ka pretendime territoriale ndaj fqinjëve të saj me qëllim të nxitjes së tensioneve etnike.

Tani, siç duket, Kosova e ka radhën.

Së fundi, situata politike në Kosovë ka degraduar në nivele të pa precedenta. Rezultati demokratik zgjedhor po tentohet të shtrembërohet, integriteti territorial po vihet në pikëpyetje, dhe të vërtetat historike po përpiqen të rishkruhen. Këto zhvillime po kontribuojnë në polarizimin e shoqërisë dhe ngritjen e tensioneve civile, politike dhe etnike.

Tentativa që të shpjegohen këto dukuritë vetëm nga prizma e akterëve lokal do ishte naive intelektualisht dhe e pa kompletuar logjikisht.

Rusia ka shumë arsye për destabilizimin e Kosovës. Përveç që ajo është në tërësi në harmoni me interesat strategjik të aleatit të saj kryesor në rajon – Serbinë, kjo do ishte edhe në përputhje me politikën e jashtme të saj për të ngadalësuar procesin e integrimit të Ballkanit në strukturat perëndimore.

Rusia është e famshme për përdorimin e një palete të gjerë të instrumenteve hibride për destabilizimin e Ballkanit. Ato marrin formën e veprimeve quasi-ushtarake, sulmeve kibernetike, aktiviteteve financiare, fushatave dezinformuese përmes politikanëve, mediumeve dhe opinionistëve lokal e deri tek Senatori i SHBA-ve Rand Paul, të cilin i ndjeri Senatori John McCain e akuzoj hapur në foltoren e Senatit të SHBA-ve që punon për Vladimir Putinin.

Në përmbyllje, nuk është ndonjë risi që Rusia dhe Serbia dëshirojnë destabilizimin e Kosovës me qëllim të dëmtimit të shtetësisë së Kosovës dhe realizimit të interesave strategjik ruso-serb në Ballkan. Sidoqoftë, pyetja që lind është përse këtë e dëshirojnë shqiptarët në Prishtinë? Cui bono?

Të ngjashme