Sa është data sot…?

Prishtinë | 06 Pri 2020 | 21:56 | Nga Lutfi Dervishi

Një njeri bie në gjumë letargjik në janar të 2020 dhe zgjohet të hënën e parë të prillit në Tiranë.
Ai u zgjua i lidhur a thua se kishte shekuj në gjumë dhe nxitoi të dilte menjëherë në rrugë. Mbante mend turbull urimet për vitin e ri 2020 dhe lutjet mos u ktheftë më 2019 që na solli tërmetin e tmerrshëm. Nuk mund të ketë vit më të keq se ai që iku…!

Sa është data sot ?-pyeti veten duke fërkuar sytë. Ju duk vetja në ëndërr. Të gjithë njerëzit që ndeshi në rrugicë mbanin maskë në fytyrë.

Ndoshta është 31 tetor, dita e Halluinit. Të gjithë me maska! A çfarë jemi ne shqiptarët për të imituar?! Marrim festën e amerikanëve që nderojnë të vdekurit dhe e bëjmë tonën!
Sheh komshiun që po i afrohej përballë dhe e pyet:

Sa kohë ke me atë maskë o Qerim?
-Tre javë fiks i përgjigjet miku i vjetër që e përshëndeti me dorë në zemër.
Tre javë?! Hmmm nuk qenka Halluini, qenka dita e Karnavaleve të Shkodrës. Ju kujtua kënga e vjetër shkodrane dhe u bind se ishte dita e karnavaleve.

Kemi ra si peshku n’zall
Festa e jonë tri javë ma s’met
Karnavalit me çue fjalë
A je gjallë ndokund sivjet?

Karnavalet e Shkodrës, por ato nuk kanë një ditë të fikse! Si është e mundur që festa e karnavaleve shkodrane të respektohej kaq shumë edhe në Tiranë?!

Doli në Bulevard qefjprishur. Ato pak të njohur që ndeshi nuk arriti t’i përqafonte. Në punë nuk e thërrisnin me emër thjesht, shefi (përqafimit). Njerëzit po i qëndronin larg. Nuk e takonin. Ose e përshëndetnin me dorën në zemër ose e përshëndetnin si kinezët me dy pëllëmbët e duarve të puqur para fytyrës ose thjesht tundnin dorën sikur t’i thonin: mirupafshim.
Nejse.

Në Bulevard nuk pipëtinte asgjë. Dëgjoi një cicërimë zogjsh dhe u shtang. Gati po shkelte një tufë zogjsh dhe zogjtë nuk fluturuan. Pritën që ai të largohej nga rruga.

Uauuu. Ndjeu një të tjerë në krahun e majtë. Asnjë makinë në Bulevard!. E gjeta, qenka 22 shtator, dita pa makina. Bravo. Njerëzit më në fund janë bërë njerëz dhe e kanë kuptuar se më shumë se për makina luksi kanë nevojë për ajër të pastër. Mrekulli. Sikur çdo fundjavë të kishte të paktën një ditë pa makina.

Ndjeu trupin t’i mbushej me djersë nga emocioni dhe mendoi të blente diçka të ëmbël. Më ka rënë niveli sheqerit…

Por sa më shumë që ju afrua supermarketit, aq më shumë po i dridhej trupi. Mendoi se sërish ishte në prag të Vitit të Ri. Sot është 29, apo 30 dhjetor. Njerëzit janë sulur tregjeve dhe kanë mbushur trastat me çfarë gjejnë në rafte. Si nuk hoqën njëherë dorë- nga zakoni që për të ngrënë dy ditë, nuk kanë pse të blejnë për dy muaj!

Rikthehet sërish në Bulevard, por diçka nuk shkon. Dilema sa vjen edhe rritet. Sa mund të jetë data sot? Pa ngultas një autokolonë me makina të ushtrisë të parkuar para hotel Rognerit dhe u kujtua se qyteti ndrinte nga pastërtia. E gjeti veten në momentin “EUREKA”! Ahaa- paska dalë ushtria dhe ka pastruar vendin. I ka pëlqyer nisma “të pastrojmë Shqipërinë”, megjithëse ka ngulmuar gjithmonë me idenë se mënyra më e mirë për të pastruar Shqipërinë është duke mos e bërë pis atë!

Mesa mbaj mend nuk ka patur një datë fikse për të pastruar Shqipërinë. Në fillim ishte në shtator, pastaj në qershor në prag të sezonit turistik. Domethënë mund të jetë vjeshtë, por mund të jetë edhe pranverë. Hmmm.

Jemi në pranverë apo në vjeshtë- pyeti një grua që po priste që semafori të ndizte dritën jeshile, megjithëse në bulevard nuk kishte asnjë makinë.
Jemi në dimër – ju përgjigj zonja, por dukshëm po tallej.

Dialogun e dëgjoi edhe ushtari që po qëndronte në blindin e tij. Edhe ushtari nënqeshi.

“Si nuk hoqën dorë njëherë nga ideja e mbrapshtë që të mos e përdorin ushtrinë si makinë zjarrëfikëse apo më keq si makinë komunale.

Ushtria për një ditë duhet dhe ajo ditë mos ardhtë kurrë. Ushtria duhet për luftë. Befas ai sheh ngultas ushtarin që mbante mitrolozin në majë të blindit. Ushtari pozonte aq bukur a thua se ishte gati për foton e radhës për Instagram.

More mos kemi shpallur gjë luftë dhe nuk di gjë unë?

Ushtari u përgjigj me buzëqeshje. Buzëqeshjen mund t’a merrje për po, mund t’a merrje për jo, por edhe si pyetje: mos ke luajtur gjë?

Nuk e kam parë asnjëherë bulevardin bosh dhe njerëzit janë zhdukur a thua se i ka përpirë dheu….?

Ai nxiton të blejë në kioskë një gazetë, por sheh që gazetat janë zhdukur nga qarkulllimi. Mos është data 3 Maj, dita ndërkombëtare e Lirisë së Medias?! Ndoshta është 3 maj se edhe koha duket e ngrohtë: sa mirë që gazetarët janë solidarizuar dhe janë bërë të gjithë bashkë!

Ndalon një kalimtar në rrugë dhe e pyet: sa është data sot?

Kalimtari bëri dy hapa prapa dhe i thotë: nuk e kam idenë…ç’të duhet?

A është e diel sot? – iu duk se bëri një pyetje retorike. Kaq pak njerëz në rrugë me siguri duhet të ishte e diel. Çdo ditë tani është e diel – ju përgjigj kalimtari dhe nxorri një shishe të vogël derdhi pak lëng të tejdukshëm në pëllëmbë dhe filloi të fërkonte duart.

Qenka çmendur të gjithë në qytet. Ju kujtua një roman i George Oruellit. Dykëmbëshat dhe katërkëmbëshat. çdo dykëmbësh që shihte në rrugë sillej çuditshëm ndaj dykëmbëshit tjetër, i shmangej…, ndërsa qentë dhe macet ecnin në rrugë a thua se ishin zotër të saj.

Të ngjashme