Sa shpejt e mbuloi pluhuri i harresës rezultatin e fundit të zgjedhjeve lokale, VV-ja do ta shfrytëzonte

Prishtinë | 26 Mar 2022 | 11:34 | Nga Afrim Kasolli

Sa shpejt e mbuloi pluhuri i harresës rezultatin e fundit të zgjedhjeve lokale. Askush nuk flet për to. Thuajse kjo ngjarje të kishte ndodhur para 10 viteve, e jo që s’kanë kaluar as gjashtë muaj nga ai zhvillim. Asnjë entuziazëm. Kurrfarë projektimi i shpresës. Dhe asnjë prezantim mbi ndryshimet që ka nisur t’i inaugurojë pushteti i ri, nëse ka filluar diçka të bëjë? Apo janë ende të dehur, nga fitorja e tyre? Kampion të kësaj klime janë bërë Prishtina dhe Prizreni. Sepse, në fund të fundit në këto dy qytete kishte ndodhur një përmbysje e befasishme e rezultatit elektoral.

Të gjithëve na kujtohet fitorja e VV-së, fillimisht në Prishtinë dhe më pastaj në Prizren. Me çfarë retorike ishte shoqëruar ai triumf. Si e mbante gjallë entuziazmin e atij rezultati, ajo parti. Adrenalina e fitores jehonte pa pushim. E internonte atë si fillimin e rënies së “regjimit të vjetër” dhe hedhjen e themeleve për “regjimin e ri”.

Ndërkohë, pushtetet e reja komunale në këto qytete, janë pushtuar nga gjumi polar. Po u ngjasojnë mumjeve burokratike. Nuk po rrezatojnë asnjë kthesë që ka ndodhur. Çdo gjë ka marr pamjen e të zakonshmes, rutinës dhe atmosferës zymtore.

E kam thënë edhe herëve tjera, se ky ka qenë një paradoks i çuditshëm i skenës politike kosovare; ku Vetëvendosja fitonte duke humbur, kurse partitë tjera humbnin duke fituar. E një gjë e tillë ka ndodhur, sepse këto të fundit, zakonisht fitoret e tyre i shoqëronte gjuha mediokre politike.

Prizreni dhe Prishtina janë bërë sot shembull eklatant të këtij fenomeni. Kurse, VV-ja në saje të retorikës së saj, humbjet në terren i shndërronte në fitore.

Të ngjashme