Sejdiu: Për vdekjen e Deharit, shumë fajtorë

Prishtinë | 06 Nën 2016 | 20:55 | Nga

Juristi Korab Sejdiu ka thënë se ka shumë fajtorë në rastin e vdekjes së aktivistit të Vetëvendosjes, Astrit Dehari.

Sejdiu, i cili është zyrtar i AKR-së, ka thënë se faj në këtë vdekje tragjike kanë, gjykatat, prokurorët, Gjykata Kushtetuese, Ministria e Drejtësisë, kurse mbi të gjitha e vë politikën.

Postimi i plotë i Korab Sejdiut në profilin e tij zyrtar në Facebook:

Faji shumë shpesh është jetim. Mirëpo, ne rastin e vdekjes tragjike të Astrit Deharit, shumë të tjerëve para tij, dhe shumë të tjerëve që do të jenë në të ardhmen, fajtorë ka sa të duash.

Fajtor janë prokurorët që kanë bërë shprehinë që të kërkojnë paraburgim automatikisht, pavarësisht a mendojnë se mund t’i dëshmojnë me prova kriteret nga Kodi i Procedurës Penale (“KPPK”). Kjo në kundërshtim me detyrimin e tyre ligjor dhe profesional që të kërkojnë drejtësi e jo detyrimisht burgosjen dhe gjetjen e fajsisë.

Fajtor janë edhe gjykatat, të cilat, kanë kaluar barrën tek të pandehurit që të dëshmojnë pse paraburgimi nuk duhet urdhëruar – e kjo në kundërshtim të plotë me KPPK-në, Kushtetutën tonë, Konventën Evropiane për të Drejta të Njeriut, dhe qëndrimet e qarta të Gjykatës Evropiane për të Drejtat e Njeriut – që e arsyetojnë paraburgimin vetëm si opsionin e fundit, kur asnjë masë tjetër nuk kryen punë. Gjykatat urdhërojnë paraburgimin tek ne, me të njëjtën lehtësi si përshkruhet paracetamoli. E ankesat për paraburgim kalojnë shkallët ankimore sa për sy e faqe, pa u lexuar fare.

Fajtor është edhe Gjykata Kushtetuese. Para 2-3 vitesh, dërguam rastin e njeriut që qëndroi gati 5 vite në paraburgim pa gjykim, dhe përkundër materialit voluminoz që përshkruante këtë shkelje eklatante të të drejtave të njeriut, Gjykata Kushtetuese huqi mundësinë që të edukojë gjykatat e rregullta lidhur me këtë problem të jashtëzakonshëm – ky institucion vendosi që të imponoj një standard të pabazuar as në ligj e as në Kushtetutë për të injoruar problemin masovik të paraburgimit. Kjo, përkundër raporteve të qarta të OSBE-së se paraburgimi është shkelje masovike e të drejtave të njeriut nga gjykatat në Kosovë, përfshirë edhe EULEX.

Fajtor është edhe Ministria e Drejtësisë, që mbikëqyrë Shërbimin Korrektues në Kosovë. Ky sistem, që është nënë për të fortit, e njerkë e pamëshirshme për të tjerët, ekziston sa për të thënë, me mungesë aftësie, profesionalizmi dhe guximi për të kryer funksionin që kanë.

E mbi të gjithë, fajtore është politika, që toleron dhe inkurajon një zinxhir të tillë, që nga të pandehurit krijon viktima.

Mbajtja e gjithë këtyre përgjegjës, nuk do ta kthejë Astritin. I ndjeri e paqtë të lehtë dheun e Kosovës, e familjes së tij Zoti ua dhashtë gajretin. Por ndoshta, do të zvogëlonte numrin e tragjedive të tilla në të ardhmen!

Fjalë Kryesore:

Të ngjashme