Shkolla të jep dije, por njeri nuk të bën!

Prishtinë | 23 Maj 2020 | 20:32 | Nga Skënder Berisha

Ka kohë që më mundon dilema që më nxisin disa të rinj tanë, të cilët morën edukimin superior në vendet demokratike, ndërsa reflekojnë vlera të kundërta që burojnë nga ato shtete. Këtu e mendoj shtetin, me idetë prijatare iluministe, jo opozitarizmin apo devalvimin nga rendi i pranuar në veprim.

Kur një student yni shkon në ShBA, Gjermani, Mbretëri të Bashkuar, apo ndonjë vend tjetër demokratik, merr dije, diplomë dhe së paku sjellje të standardizuara me vlerat nga ato vende. Kjo është klishe, nga ato që tregojnë një pjesë e të rinjve.

Në rend të parë e mendoj guximin për të shprehur mendimin, analizën dhe ballafaqimin me fakte, me sinteza e deri te arritjet shkencore, të panjohura dhe të paprekshme akoma për neve në Kosovë, si në mjekësi, fizikë, kimi apo kibernetikë. Gjithsesi, këtu hyjnë edhe larushia e koncepteve, si dhe e drejta e në veçanti ekonomia, konceptet e saj dhe zhvillimi i mëtejmë në kushtet vendore.

Më ka munduar gjithsesi, kur studenti shqiptar, i shkolluar në universitetet më të mira, ka ide të këqija për shtetin, ka ide profane për të kaluarën por edhe për të ardhmen.

Habia ime më e madhe vije, kur këta ish diplomantë nga vendet demokratike, mbajnë ligjërata, apo mbrojnë koncepte dogmatike, të mostrave të cilat janë në zhdukje, apo janë pakicë që luftojnë për mbijetesë.

Hiç këtu ekscentrizmin e idesë së ringjalljes së marksizmit apo shtetit marksist me autorësi të ndonjë pjesëtari të zonës zhdanoviste se pas pandemisë, erdhi koha e thyerjes së kapitalizmit. Do bërë dallimin mes politikës së majtë apo majtizmit dhe doktrinës marksiste dhe shtetit si qenie brenda botës së revolucionarit në sprovë me pushtetin.

Dijetarët e pajisur me diploma të rralla e me vlerë, do të duhej të bëhen bartës të një tendence ndryshimi, duke humbur ndjenjën e hapësirës. Pra, ajo duzinë diplomantësh, kanë shkolla amerikane apo gjermane, por janë kundër vlerave të atyre shteteve, është çudi. Paradoks. Paradoks me bisht.

Mund të jetë një iluzion, mbi të arriturat, të cilat janë kurorëzuar me një diplomë që varet në mur, por dije dhe konsekuencë që i duhet shtetit të Kosovës, jo se jo. Këtu, do tipizuar profilin e këtij akademiku që ndjek vijën e dogmave, vijën e përjashtimit, vijën e linçimit, vijën e urrejtjes, vijën e hakmarrjes, vijën e etiketave të padrejta ndaj Kosovës e deri te cilësorët e padenjë ndaj atdheut.

Kështu, këta diplomantë, në vend se të bëhen prijatar të avancimit, zhvillimit dhe përsosjes së mendimit e veprimit politik, bëhen denoncues të ulët, spekulant, inatxhorë dhe trafikant të ideve rreth të kaluarës, të tashmes dhe të ardhmes së vendit.

Për më keq, këta diplomantë, një pjesë e tyre, na japin përshtypjen se në familjet  veta, kishin mungesë demokracie, mungesë morali dhe deficite të qenësisë nacionale. Nuk po e përmendi këtu cilësorin kuislingë, sepse, i hyjmë në hak Norvegjisë. Liritë e parimet e mësuara në vendet demokratike, ishin sa për provime, sa për sy e faqe. Disa nga ta, këlysh ka shkuar dhe qen janë bërë, proces normal i zhvillimit të tyre.

Po, disa nga ta, kanë harruar se dijet e përcipta që kanë mbi shtetin dhe demokracinë, janë jo të plota dhe në mos përputhje me hapësirën ku veprojnë.

Ata diplomantë, kanë harruar shumë shpejt se kush ishin dhe kush janë. Po, janë e njëjta çorbë, e njohur për shijen, nga ish regjimi, me idhujt që ju ikën një herë e përgjithmonë, me shekullin 20. Atë, nuk ka kush që mund ta kthej, por idetë e tyre vegjetojnë, për fat të keq.

Por, Kosova është e mundësive, një mijë mundësive. Kurrë më shumë diploma, kurrë më shumë pakënaqësi. Kjo dorë e të rinjve prepotentë e trushpëlarë, me diploma nga vendet perëndimore, disa nga ta, janë mostra tipike për ilustrimin e fjalës së moçme, të urtë: Shkolla të jep dije por njeri nuk të bën!

Të ngjashme