Shpirti në kontejner të mbeturinave

Prishtinë | 02 Nën 2016 | 10:45 | Nga

Të shpresosh u bë mjeshtëri e secilit në Kosovë. Është mirë, sepse gjithsesi duhet t’i qëndrosh besnik ndjenjave njerëzore kur ato me çdo kusht pretendohen të merren nga ti. Por ama, disa nga ne ka një “por” të madhe në këtë farë muhabeti, sa i përket nocionit “të shpresosh, prapë të shpresosh e të shpresosh prapë”.

Kush po shpreson?

Tani pra, t’i ndajmë në tre shpresuesit. Dhe nuk po e bëjmë këtë kuturu, por sepse realiteti qëndron ashtu. Një grup i shpresueseve të shoqërisë sonë janë familjet që kanë të ardhura të ulëta dhe në anën tjetër ata që kanë të ardhura mesatare. Deri këtu, nuk ka ndonjë gjë anormale, aq shumë, sa i përket cenimit të çmendurisë sonë shoqërore. Nuk ka, po qe se e lëmë anash tjetrin grup nga të cilit me çdo kusht edhe shumë vrazhdë duan t`ua marrin nga dora, barku e shpirti i tyre shpresën. Për të varfëritë, për të pastrehët, për gjysmë të strehët e për skamnorët është fjala. Këta janë njerëz që mbledhin ushqim dhe plaçka nga kontejnerët e mbeturinave.

A të bëhemi sikur nuk ekzistojnë skamnorët?

A të bëhemi sikur nuk ekzistojnë? Sikur nuk janë? Sikur ato që na i sheh syri janë iluzione? Ose ndoshta ata fusin kokën e duart në kontejner të mbeturinave për të bërë ndonjë eksperiment shkencor? Ose e kanë si hobi vallë? Por edhe nëse shtiremi kështu, e dini apo jo, fakti nuk ndryshon, ata, edhe ne po qe se i luajmë tre majmunët, pra ne edhe sikur nuk dëgjojmë, nuk shohim dhe nuk flasim, ata prapë do të jenë pjesë e shoqërisë sonë. Por a e dini çfarë ndodh, nëse shtiremi ne sikur skamnorët nuk ekzistojnë? Ah kjo është një gjë shumë interesante. Ja, po e them, menjëherë tani, ja, dëgjoni, nëse ne bëhemi sikur skamnorët nuk po i fusin kokat dhe duart e tyre në kontejner të mbeturinave neve shpirti na hyn nëpër ato kontejnerë të mbeturinave. Mund të më thoni “Shpirti i kujt more?” e mund të ju them, “Shpirti yt, shpirti im e shpirti i shoqërisë futet në ato kontejner të mbeturinave po qe se ne nuk i nxjerrim kokat dhe duart e skamnorëve nga mbeturinat. Kjo, për besë e thjeshtë është.

Si të mos e fusim shpirtin e shoqërisë në kontejnerë të mbeturinave?

Kjo ka një zgjidhje shumë të thjeshtë. Hapet një kuti apo një zyre, ku me nga një euro, kërkojë ndjesë për përdorimin e parasë në shkrim, por me një euro, ose më një gjysmë euro po të mblidheshin nga qytetarët që kanë mundësi, që i bie shumica e qytetarëve, nuk do të mbetej skamnorë në këtë shoqëri. Po qe se dikush, që është shteti, do të organizonte, e do të na siguronte që paratë tona do të derdheshin për këtë fenomen negativ, besojë se ky popull nuk do ta lejonte asnjë njeri pa strehë në kokë e pa ushqim në barkë. Por, me të drejtë, mund të parashtrohet pyetja, a kemi një shtet që mund të bëjë një gjë kaq të thjeshtë e kaq thelbësore? Unë nuk e di. Unë nuk po e shoh. Skamnorët po i shoh, por një shtet që detyrën e tij parësore e kryen nuk po e shoh. Në vend të këtij, një organizëm i paorganizuar, e një strukturë të destrukturalizuar, e një funksionim pa plan e pa strategji, unë nuk e quaj shtet. Dhe këtë nuk e bëjë kuturu, por sepse realiteti qëndron i tillë. Më vjen keq. Ne nuk kemi shtet.

E çka është Republika e Kosovës?

Republika e Kosovës është vendi ynë, vullneti ynë, i cili zyrtarisht është shtet pa kurrfarë dyshimi. Por zyrtarisht. Ne ishim duke diskutuar në prizmin e skamnorëve dhe përmbushjes së nevojave elementare të shoqërisë, ku ky shtet zyrtar ka dështuar rëndë. Detyra jonë është që dikush duke shkruar, dikush lexuar, dikush duke folur, dikush duke dëgjuar e të gjithë duke vepruar në këtë shtet zyrtar, që është një dhuratë e madhe për ne, ta bëjmë një shtet njerëzorë edhe në terren.

Çka është një shtet njerëzor?

Një shtet njerëzor, ashtu si duhet të bëhet Kosova, është që të jetë në funksion të popullit. T’i zgjedhë nevojat dhe problemet e shoqërisë. Atëherë dhe atëherë një shtet mund të bëhet shtet. Përndryshe, si mund ta quajmë një shtet, i cili nuk ka ide dhe nuk ka vullnet që t`i ushqejë dhe t`i integrojë skamnorët në shoqëri të mund të quhet shtet i pavarur? Çfarë pavarësie është kjo? Ku ndonëse ke tokë, ke varfëri prapë. Ku ndonëse ke shkolla dhe universitete analfabetizëm ke prapë. Ndonëse ke gjykata, ke padrejtësi prapë? Por a e dini çfarë, më mirë të heshtim, shhhht, të shtiremi sikur të gjitha punët i kemi në rregull. A na dëgjoi kush? A na dëgjoi kush apo jo? Të shpresojmë se jo.

Çfarë është duke ndodhur tani?

Si duket dimri po vjen. E me dimër vjen shiu, vjen bora, vjen sqota. E më pastaj bëhet ftohtë. Ikim në hapësira të brendshme ku është ngrohtë. Po dikush, skamnorët pra, janë jashtë gjithë stinën, aty diku duke kërkuar të ndezin zjarr e ta fusin kokën ku të mundin. Ne, brenda, ata jashtë. Ne me anëtarët e familjes e shoqërinë, ata sy më sy me qenët endacakë. Ne fusim drurin në koftor, ata i fërkojnë duart për tu ngrohur. Ne fusim lugën me supën e ngrohtë në gojë, ata fusin kokën në kontejner. E kështu, ne fusim shpirtin në kontejnerë, ata shikojnë të habitur, se si vallë, shpirti i një populli të tërë, na paska mundësi të futet në kontejnerë të mbeturinave?! Ja, pikërisht kështu. Dhe kjo gjithsesi për fajin tonë. Ah, harrova, u dakorduam që të shtiremi sikur nuk do të ndodhte kështu. U dakorduam që t`i luajmë tre majmunët. Ju kërkoj ndjesë. Më mirë të heshtim, të mos dëgjojmë, të mos flasim. Jo, jo, nuk ka skamnorë në këtë vend, nuk ka të varfër në këtë vend, nuk ka të pastrehë në këtë vend. Ne që të gjithë punët i kemi në rregull.

(Roland Spahiu)

Fjalë Kryesore:

Të ngjashme