Shqipëria e sotme është më e mirë se e djeshmja

Prishtinë | 14 Pri 2017 | 11:01 | Nga Mustafa Nano

Në portalin e tij, Blendi Fevziu kish publikuar një shkrim të vetin me titull “Kush po kërcënon jetën e Lulzim Bashës?”. Në shkrim flitej për vrasës me pagesë që njihen me emër e mbiemër e që mund të aktivizohen, për eskortën e fuqizuar të Lulzim Bashës gjatë ditëve të fundit, për kontakte të portalit opinion.al me burime të huaja, mirëpo çdo gjë ishte e futur në mjegullën e këtyre burimeve të paspecifikuara, të largëta, të çuditshme. Ngjante me një scoop të stisur, nga ato të shkollës së Nikollë Lesit e të Ylli Rakipit.

Fevziu ishte i shqetësuar prej forcave që duan ta destabilizojnë vendin, dhe ky është një shqetësim i paqortueshëm në këtë moment ku, ç’është e vërteta, mjafton fare pak për të provokuar një trazirë. Mirëpo, në të njëjtën kohë shkrimi, kështu si ishte, pa dashje, krijon panik mes njerëzve, që boll të trembur janë.

Janë aq të shumta mesazhet e rënda, të dëshpëruara, dramatike në median e sotme sa, thjesht për të krijuar një kontrast pozitiv, do t’ia vlente të zgjidhja për titull frazën “Shqipëria e sotme është më e mirë se e djeshmja”. Lëre pastaj që unë e besoj atë që thuhet në titull. Nuk është Shqipëria që prisja, nuk është Shqipëria që doja, jam i zhgënjyer nga Edi Rama, por Shqipëria e sotme është absolutisht më e mirë se e djeshmja. Jo sepse Rama e ka bërë më të mirë, por sepse ai nuk mund ta bënte më të keqe.

Por kthehemi në temë. Më ka ndodhur shpesh këto javët e fundit që të më ndalin në rrugë e të më pyesin: “Si do shkojë kjo punë? Do ndodhë ndonjë gjë?”. Njëri pa bëri pyetjen në mënyrë fare brutale: Do kemi luftë, thua? Një njeri i kësaj mazhorance, që është i informuar mirë për punët e vendit, më tha para dy ditësh se konsumi ka rënë. Biznesmenët janë të çoroditur. Dhe e gjitha, nuk do mend, lidhet me situatën e përflakur politike.

Por jo thjesht me këtë. Shqiptarët janë mësuar me tonet luftarake e kërcënuese të politikanëve tanë, dhe nuk është se i marrin shumë seriozisht kur bëjnë si të fortë, Ndryshimi është që këtë herë jemi edhe ne, unë, Fevziu e kolegë të tjerë tanët, që ushtrojmë terror në vijimësi me opinione tonat (ky opinioni i Fevziut është rasti më i pafajshëm; thjesht më ngacmoi për t’u ndalur te kjo temë), të cilat, me t’u publikuar nga një gazetë a portal, apo me t’u nyjëtuar në një bisedë televizive, përhapen si flamë në të gjitha rrjetet sociale. Janë edhe mizëria e portaleve që janë ngritur që japin një dorë të mirë në këtë drejtim. Ato janë të uritura për lajme, e meqenëse lajme nuk ka, nxjerrin një lajm nga një opinion që publikohet. Madje, nga çdo opinion që publikohet.

Nuk e kam timin këtë përfundim mbi opinionet që ushtrojnë terror mbi publikun. Unë vetë nuk e kisha menduar që ne opinonistët jemi me aq shumë faj për krijimin e kësaj klime të ashpër. Ma tha njëri prej atyre që më ndalën në rrugë për të më pyetur se “çfarë do ndodhë?”. Ma tha pasi e pyeta se pse mendonte se do ndodhte ndonjë gjë. “Jeni ju analistët që keni krijuar idenë e një apokalipsi që po vjen”, -më tha ai. Dhe e mbylli si me të qeshur: “Ju po mbillni terror në popull; ju jeni terroristë”.

Ai e kishte fjalën për një rezultante të opinion bërjes në Shqipëri, që e shprehur përmbledhtazi mund të ishte: “Në këtë vend po bëhet nami, ky vend nuk bëhet më, është i mallkuar nga Zoti, prandaj merrnin rraqet e ikni nga sytë këmbët”.

Nuk është se kjo po thuhet për herë të parë sot, të kuptohemi. Qysh nga momenti që u krijua shteti shqiptar i pavarur, ka patur vazhdimisht zëra që kanë kënduar këtë avaz. Madje, ka patur edhe zëra shqiptarë që i janë kundërvënë idesë së krijimit të shtetit shqiptar, pikërisht ngaqë nuk kanë besuar se ky vend mund të bëhet. Shkurt, është një patologji e vjetër mazokizmi kjo ndër ne.

Por puna është se këto kohë kori është bërë më i madh, dhe i zhurmshëm. “Vendi po merr fund”, -thuhet. Dhe si shkak të apokalipsit që e shohin me sy kanë Edi Ramën në karrigen e kryeministrit. Tani, të rrimë shtrembër e të flasim drejt, nga kritikat që i bëhen Edi Ramës, si zor të bjerë ndonjë gjë në tokë. Ai i ka hak pothuaj të gjitha kritikat që i bëhen. Mirëpo në këtë qëndrim anti-Rama shoh shumë pak merak për gjënë publike apo për interesin nacional, apo për parime të demokracisë, apo për ndonjë gjë tjetër të kësaj natyre.

Në të kundërt, ka shumë mllef, tërbim, emocion personal. Pjesa më e madhe e kritikëve të Ramës kanë bërë pjesë te rrethi i ngushtë i miqve të Ramës, një pjesë njihen edhe si përfitues të pushtetit të administruar prej Ramës. Tani, nuk ka pse përjashtohet që ndonjëri syresh të jetë zemëruar prej Ramës për arsye parimore, por është absolutisht i përjashtues-hëm versioni, sipas të cilit të gjithë këta po ngrenë zërin kundër Ramës për arsye parimore.

Po të ishte kështu, po të ishte se nuk i mban vendi kur ndodh një padrejtësi në këtë vend, do t’ua kishim dëgjuar zërin edhe më parë, fjala vjen kur paraardhësi i Ramës jepte urdhrin, në mos fshihte provat e ekzekutimit në bulevard të katër qytetarëve të ngratë, krimi i vetëm i të cilëve ishte që nuk e donin atë që ish në krye të qeverisë.

Po të ishte kështu, nuk do ta shihnin çadrën në bulevard si shpëtimin e Shqipërisë, në një kohë që është veprimi politik më i papërgjegjshëm në historinë politike të këtyre 26 viteve të fundit. Dhe nuk e kam fjalën për çadrën si mjet apo simbol të protestës. Në këtë kuptim, mund ta mbushë kush të dojë bulevardin me çadra.

E kam fjalën për ultimatumin që është lëshuar nga autorët e çadrës: o të ikë kryeministri legjitim nga zyra, o në këtë vend nuk do të ketë zgjedhje. Është e pafalshme për të gjithë ne që bëjmë opinion në Shqipëri që ndahemi edhe kur vjen puna te qëndrimi ndaj ultimatumeve të tilla.

Është e pafalshme që urrejtja ndaj një kryeministri apo qasja kritike ndaj tij, të na errësojë aq shumë shikimin e mendjen sa të mos kuptohet se opozita po luan një lodër të rrezikshme, se me këtë është kaluar vija e kuqe në demokraci, se një opozitë të gjitha mund t’i bëjë në Shqipëri, por jo bojkotimin e zgjedhjeve.

Bojkotimi i zgjedhjeve është i kotë, absurd, qesharak, i rrezikshëm, bombë që i vihet sistemit të qeverisjes. Bojkotimi nuk do ishte i përligjur edhe në rrethana të tjera, edhe në rrethanat kur paraardhësi i Ramës vriste njerëz në bulevard si të ishin berra. Aq më pak pra është i përligjur sot, kur thjesht kemi një qeveri të keqe, por asgjë më shumë se kaq.

Apokalipsi që shohin sot një numër kolegësh të mi është thjesht në kokën e tyre. Shqipëria e sotme ta shpif, por gjithsesi më pak se Shqipëria e atyre që janë ngujuar në çadër. Nëse nuk harrojmë ta theksojmë këtë të fundit, mesazhet që përcjellim do na dalin më pak “terroriste”.

Fjalë Kryesore:

Të ngjashme