Shqipëria si aeroport dhe fabrikë njerëzore pa kuptim…

Prishtinë | 03 Dhj 2018 | 00:26 | Nga Artur Zheji

Tashmë është e qartë. Shqipëria, pavarësisht se sot është e dyfishuar, duke përfshirë Kosovën e Pavarur, nuk ka dhe nuk mund se si të ketë një Peshë të Re, Gjeopolitike.

Shqipëria drejtohet, herë më mirë dhe herë më keq, nga politikanë pa vizion, që kanë të vetmin qëllim të shëmtuar, mbushjen e xhepave të tyre dhe kaq.

Kjo është e trishtuar dhe e vërtetë njëkohësisht.

Mirëpo përveç të tjerave, gjithkush nga ne populli, ka, përherë e më pak kohë për të menduar për këtë dhe aq më tepër për të vepruar ndaj kësaj të keqeje të madhe dhe antikombëtare.

Në mungesën e plotë të çdo shprese se gjërat mund të ndryshojnë, Shqipëria dhe shqiptarët, kanë vetëm dy shanse, njeri më ogurzi se sa tjetri.

Ose të shndërrohen në shërbëtorë të të pasurve vendas dhe klientëve të tyre të huaj, të punojnë pra përjetësisht si kamerierë, masazhatorë dhe yzmeqarë, pra gjysëm skllevër, ose të rekrutohen si ushtarë të krimit të organizuar, si drogë shitësa e drogëshpërndarës ndërkombëtarë.

Shansi i dytë, është emigrimi masiv, për ku të munden dhe si të munden, në kërkimin e dëshpëruar të një jete më të mirë për ata vetë, e sidomos për fëmijët e tyre.

Dhe në të vërtetë, shqiptarët, jetojnë në një Shqipëri, realisht të vetë pushtuar dhe krejt të pa shanse, me shtresa të paravendosura të një kaste trasversale politike, që sillet përherë e më shumë si pushtuese.

E vetmja shpresë reale është turizmi, se çdo pasuri tjetër tashmë është grabitur dhe nuk duhet të llogaritet.

Është e tmerrshme të mendosh, shqiptarët krenarë dhe ambiciozë, genetikisht të ndritshëm dhe të lashtë, që po shndrrohen dhimbshëm në një komb yzmeqarësh apo kriminelësh dhe që po bëhen përherë e më tepër në një vend ku të huajt, vijnë gjithmonë e më tepër për të ngrënë e për të mirë, mirë dhe lirë, për të lidhur kontrata droge dhe për të kurvëruar me vajzat e bukura shqiptare, pa asnjë mbrojtje.

Koha për një Klasë te Re politike ka ardhur prej kohësh, por Shqipëria është peng dhe përdorimi gjithmonë e më i shpeshtë i policisë dhe dhunës kundër popullit, është tregues i qartë, i këtij maskarallëku.

Investimet për rrogat e policëve dhe të Policisë, mjerisht nuk bëhen për të forcuar një Repart të Shtetit, kundër krimit, por bëhen për të forcuar dhe motivuar, një repart të pushtetit, kundër Popullit të tij, në revolatat e veta spontane, kundrejt padrejtësive të thekshme, që oligarkia ndërmerr kundrejt tij!
Qeveritë dhe shtetet e botës, nuk janë perfekte, por kanë një Vijë të Kuqe, të Interesit Kombëtar, të cilën, politikanët vetëpërmbahen që të mos e shkelin kurrë, sepse historitë e tyre kombëtare, janë të mbushura me kokëprerje mbretërisht dhe diktatorësh të ekzekutuar apo burgosur rëndshëm.

Ndërsa në Shqipëri, edhe kur mbretëruan vrasjet shtetërore, për 45 vite, vrasjet dhe persekutimet, e drejtuan tehun e tyre, ndaj pinjollëve më të mirë të Kombit dhe mbi të gjitha, me pikësynim, mbajtjen e pushtetit të një oligarkie të kuqe dhe frikësimin masiv të popullit “punonjës”…

Gradualisht, pas trullosjes së parë, të pas viteve ’90, klasa e re politike shqiptare, kërcell politik i klasës së mëparshme komuniste, asnjëherë të përmbysur në të vërtetë, i ka rifituar shprehitë e vjetra në një kontekst të ri dhe po e “kooperativizon” përsëri popullin e mbetur në Shqipëri dhe priret ta “delezojë” dhe ta nënshtrojë plotësisht.

Rama nuk është më i keqi i kësaj specieje, por e çoi këtë detyrë që morri me dëshirë dhe vullnetarisht përsipër, drejt përsosjes dhe me tone arrogance progresive.

Shqiptarët nuk kanë më fuqi, të bëjnë kryengritje si në vitet ’97 apo ’98, sepse Perëndimi i ka thithur energjitë e tyre, duke marrë me vete 2 milionë emigrantë, përfshirë këtu të gjithë ajkën e qytetarisë, të djeshme dhe të sotme.

Nënshtrimi është i dhimbshëm dhe po ndodh!
Ftesa për një aleancë trasversale që u bën herë pas here “kundërshtarëve” politikë Rama, është një ftesë logjike dhe e sinqertë, sepse ai i fton të gjitha palët të Kastës politike shqiptare, për të bashkuar forcat drejt një qëllimi të përbashkët: Ndarjen e llokmave të pasurive shqiptare, nënshtrimin e të varfërve dhe largimin me shkop gome të shqiptarëve të pabindur drejt burgjeve ose aeroporteve!
Sepse gjykon që ai po punon edhe për ata, ditë pas dite dhe ka në këtë pikësynim dëshmimtarë dhe përfitues, sipërmarrës të mëdhenj, që kanë gjithmonë e më shumë ngjyrën e parasë dhe asnjë ide apo qëndrim apo botëkuptim politik. Shpërndarja e llokmave të tenderave nga qeveria e sotme, është tashmë 360gradë, klientët e qeverisë janë përherë e më shumë edhe bizneset e “djathta”, duke krijuar një rishpërndarje financiare në të gjitha venat dhe kapilarët e organizmit të Kastës.

Dhe kjo po ndodh në të vërtetë!

Dhe për të shëruar shpirtin e sëmurë, fluturon për të hapur një ekspozitë arti, për ti thënë vetes dhe të tjerëve se shpirti i tij, nuk ka vdekur edhe, ndërkohë që dërgon repartet e dhunës të rrahë e të burgosë popullin e vet, që i mban mbi kurriz harxhet dhe pordhët e shumta!

Fjalë Kryesore:

Të ngjashme