Shqipëria te e cila shpresuam aq shumë është shteti më i dështuar n’Evropë

Prishtinë | 24 Nën 2019 | 15:13 | Nga Nezir Kraki

Një destinacion dhe pak shpresë ju lutem

Është më mirë të udhëtohet me shpresë sesa të arrihet në destinacion, thonë në Japoni.

Ne si duket as shpresën as destinacionin s’i kemi më. E kemi veç rrugën e kohës në të cilën endemi pa u vënë re nga askush. Rrugët e skutat e dekadave që vijnë e shkojnë pa na thënë as jungjatjeta sepse s’dimë t’i presim, s’dimë t’i shenjojmë. Dimë veç t’i zhgënjejmë.

Athua a ka popuj tjerë në këtë botë si ne? Popuj që s’e bëjnë hesap as javën, as muajin, as vitin, as dekaden dhe madje as shekullin.

Popuj që stagnojnë në zemër të botës që lëviz me shpejtësi marramendëse.

A ka popuj tjerë që në 25 shekuj ekzistencë kurrë s’kanë arritë ta gjejnë një synim të përbashkët, ta ndërtojnë një shtëpi të përbashkët ose të paktën ta kenë një pushtues të përbashkët…

25 shekuj rrugëve, pa shpresë e pa destinacion. Herë argatë të dreqit e herë mercenarë të pushtuesit.

Gjithmonë kundër vetvetes.

Edhe shekulli i 26-të njësoj po shkon. Të gjithë i kemi kundër por armikun më të madh e kemi veten tonë.

Pse edhe pas 25 shekujve trevat me shqiptarë janë më të errëta në harta se trevat e popujve tjerë n’Ballkan?

Pse Shqipëria tek e cila aq shumë shpresuam është shteti më i dështuar n’Evropë dhe më i varfëri po ashtu?

Pse Kosova pas gjithë atij udhëtimi tragjik pranon të zhbëhet?

Nesër është viti 2020.

Ta caktojmë destinacionin dhe ta gjejmë shpresën që t’udhëtojmë drejt tij. Dhe, edhe nese nuk e arrijmë, të paktën do kemi udhëtuar me shpresë.

Të ngjashme