Shuarja në duart e shtetit, askush s’jep përgjegjësi

Prishtinë | 13 Nën 2016 | 10:07 | Nga Agim Muhaxheri

Rrëmuja në qelinë ku qëndroi Astrit Dehari. Drejtorin dhe personelin e burgut i kishte lëshuar toka ! Mbeti enigma: Kush e futi në qeli “arsenalin e armëve”, zhiletët, shishen e plastikës, sapunin, peshqirin, lapsin kimik e gjësendet e tjera ? Ka rregulla çka lejohet e çka nuk lejohet të futet brenda grilave. Në rastin konkret, shteti del të jetë vrasës. Shteti të vret, ti kërkon drejtësinë ! Vrasësit të hetohen dhe të ndëshkohen. Vetëm atëherë drejtësia çohet në vend

“E morën në pranga, e çuan në arkivol Astrit Deharin…”. Kështu tha nënkryetari i VV dhe kryetari i Prishtinës, Shpend Ahmeti, në emisionin televiziv “Zona e debatit” të Klan Kosovës. I prekur thelle per misterin, aktin trishtues, Ahmeti tha: “Unë çmos kam me bë me e rrëzu këtë pushtet…”.

Gjatë debatit me të, u transmetuan pamjet e xhiruara nga kamerat, kur shiheshin të burgosurit duke dalur nga qelitë e tyre – në sheti dhe kthimi i tyre. Aty ku ndodhi drama e shndërruar në tragjedi ishte rrëmujë. Në video incizimin, të datës 5 nëntor 2016, paraqitet rrjedha e të papriturës që nisi në orën 14:52 dhe përfundoi në orën 15:57, në çastin kur dy të paraburgosur e tërhoqën trupin e Astritit. Shihej një i paraburgosur tjetër duke e kapur kokën e tij me dy duar.

Pamjet u paraqitën në korridorin e burgut , jo në qelinë ku ka qëndruar Astriti, i dyshuar për terrorizëm. Sipas rregullave të procedurës penale, video incizimet e të ngjashme nuk mund të merren si prova vali-de, bindëse, ngase mund të bëhet montazhi. “Prerja”, censurimi i fjalëve apo i diçka tjetër, është montazhi. Regjisorët e filmit e të televizionit e dinë si bëhet sajesa e ndonjë tërësie. Shuhet jeta e të riut, 26 vjeçarit, studentit të vitit të 6-të të mjekësisë, Astrit Deharit dhe asgjë askujt, askush s’jep përgjegjësi ! Njeriu s’është lodër, apo jo ? Ky i ri nuk u shua në mal, rrugë, apo shtëpinë e tij, por në shtëpinë e shtetit, burgun e Prizrenit. Shuhet ai si fluska e sapunit. Zyrtarëve, të zënë pisk, s’u mbeti tjetër pos të shprehin emocionet, keqardhjen…

Kryeprokurori i Prizrenit, Sylë Hoxha merret me dosjen “Dehari”, në vend se të merret edhe me pasojat e aktit trishtues, me ata që drejtpërdrejtë apo tërthorazi hynë në zonën kriminale. Të lejosh që në qelinë e të paraburgosurit të futet “arsenali i armëve”, kësaj i thonë vrasje. Vrasja nuk ka brirë ! Astriti, aktivisti i Lëvizjes Vetëvendosje, vdes brenda grilave. Te ai u gjet lapsi kimik i lidhur me një tojë, një shishe e plastikës në fyt. Kishte gërvishtje në qafë, dorë, plasje të gjuhës dhe hematome, shenjat e dhunës, gjak në trupin e tij, në peshqir. Afër trupit të tij është gjetur sapuni i përgjakur, ‘patroni’ i zh-iletit për rroje…. Kush e futi “arsenalin e armëve” në qelinë e tij ? Ka rregulla çka lejohet e çka nuk lejohet të futet në qelinë e të paraburgosurit.

Ditën kur Astriti përpëlitej mes jetës dhe vdekjes, ofshamën e tij nuk e dëgjuan as drejtori i institucionit korrektues, as gardianët. I kishte lëshuar toka ! Me çka merren drejtori dhe personeli i burgut, kë e ruajnë ata ? Po të ndodhte kjo që ndodhi në ndonjë vend tjetër, drejtori fluturon nga puna, me të merret drejtësia. Njësoj do të veprohej edhe me gardianët. Nëse në akëcilin shtet të Evropës ndodhë ndonjë fatkeqësi e rëndë në trafikun rrugor, ajror apo hekurudhor, ministri i transportit jep dorëheqje.

Pas aktit lemeritës, ne mediat tona lakohet emri i komandantit të stacionit policor në Prizren, Nexhmi Krasniqit, i cili citohet të ketë thënë se Dehari ka vdekur nga përdorimi i tepërt i barnave që e kanë sjell në shok. Nëse kjo është e vërtetë, atëherë deklarata e tij është një gabim i rëndë që s’i falet. Kryepolici assesi, në asnjë mënyrë nuk guxon të merr rolin e ekspertit të mjekësisë ligjore.

Në një shkrim të publikuar në “Indeksonline”, Nexhmi Krasniqi mohon ta ketë dhënë deklaratën e përmendur, se kjo çfarë thuhet për të qenka shpifje. Nexhmiut i doli gjumi gjashtë ditë pas aktit tragjik ! Bëhet autopsia në trupin e viktimës. Ekipi i ekspertëve të mjekësisë ligjore konstatoi se shkaku i vdekjes është asfiksia. Ç’është asfiksia ? Asfiksia nënkupton: Vështirësim ose ndalim i frymëmarrjes nga mungesa e ajrit me oksigjen. Si u shkaktua asfiksia ? Ishte ajo pasojë e gjendjes së vështirë shpirtërore të Astritit, apo këtij ia ndalën frymën të tjerët ! Edhe çështja e asfiksisë mbeti e pasqaruar. Te ne, në Kosovë, kur ndodhë hataja e madhe, siç është kjo me Astrit Deharin, ministrat nuk japin dorëheqje. Ç’është për ta dorëheqja si akt moral ?

 

Fjalë Kryesore:

Të ngjashme