Shyqyri Bytyqi: Qëndrojmë krah studentëve

Prishtinë | 03 Mar 2018 | 23:05 | Nga Shyqyri Bytyqi

Tendenca manipuluese nuk e zhbën dot validitetin e diplomave tona, as për efekte studimi as për efekte punësimi.

Të nderuar studentë, prindër dhe ju media, shqetësimi i cili po tentohet të ngritet rreth largimit të Kosovës nga EQAR dhe si pasojë do të ketë mosnjohjen e diplomave të studentëve tanë është artificial, stiset për manipulim dhe ka tendencë oponentësh e kapësish të arsimit e shtetit me bazë politike.

Arsimi nuk do duhej të bëhej arenë e përballjeve politike. Ai është segmenti më jetik i një populli në postmodernizmin që po kalon shoqëria në përgjithësi si stad zhvillimi.

EQAR është një institucion i çmuar i Bashkësisë Evropiane, por jo për tu penguar në rritjen e vet Akademike e as në arritshmërinë e realizimit profesional të kujtdo e kudo në tregun e punës, në Evropë e gjetiu.

Ne, realisht, ende nuk jemi jashtë institucionit Evropian të EQAR-it, siç dashakeqët e vendit provojnë ta paraqesin. Edhe ata e dijnë se ne kemi afate kohore Apelimi, përgjatë të cilit ne besojmë, por edhe po punojmë fort që të sqarojmë EQAR-in, për sa ka për të sqaruar në gjithë këtë keqkuptim të ardhur nga linja dashakeqe e komunikimit e ankimimit.

Lista emërore e Bordit të ri të Këshillit Shkencor të Cilësisë, edhe pse e dërguar muaj më parë në Kuvend, u vonua pafundësisht si pasojë e shtyerjes së seancave, që të shkonte para deputetëve për miratim, dhe kështu me padashje u vu në linjë me Dashakeqët keqinformator të EQAR-it, me çka bëri të krijohej ky vakum dhe të merrnim këtë goditje të përkohshme, por të cilën do e kthejmë në mirëkuptim duke përmbushur standardet e duke iu gjendur në krah institucioneve profesionale sikur dhe është KSHC.

Nga ana tjetër duam të sqarojmë për sa i përket një dezinformimi të opinionit që po provohet të bëhet, me çka ndokujt mund ti shkojë në mendje nga kjo të prodhoj atmosferë të keqe e mosbesuese, dashakeqe e penguese, për përfitim të mjerë. Sado e vështirë të jetë kjo, ne dhe tjerët pas nesh nuk do rreshtim derisa të triumfojmë për ti dhënë vendit institucione cilësore të arsimit.

Asnjëra nga vendet që rrethohemi, Shqipëria, Mali i Zi, Maqedonia etj nuk janë anëtarë në këtë institucion Evropian. Diplomat e tyre vlerësohen kudo dhe janë të pranuara qoftë për studime qoftë për realizim të vendeve të punës, dhe këtë e dinë mirë edhe manipuluesit e kësaj të vërtete.

Ne sigurojmë cilëndo palë të interesit e më së shumti studentët tanë bartës të diplomave të nesërme, se ato janë e do të jenë valide për cilindo institucion të brendshëm e të jashtëm.

Akreditimet janë në fuqi, ato kanë afate të garantuara vlefshmërie si të tilla, dhe për kohën e tillë prodhojnë Diploma të pranuara barazvlershëm në gjithë hapësirën Evropiane.

Deri në kohën e Akreditimeve të reja ne do ecim përpara me Bordin e ri, të cilin do e votoj Parlamenti këto ditë, dhe do ia arrijmë ta kthejmë gjendjen në një qartësi dhe pranueshmëri nga EQAR.

Përhapësit i kësaj kampanje trilluese që nuk kanë konsideratë për shqetësimin e rrejshëm që u sjellin botës së re Akademike, Studentëve dhe familjeve që ndajnë shumë për arritshmërinë e fëmijëve të tyre duhet të besojë se nuk do ia dalin. Të bësh punën e krimit të kapësve të arsimit do të thotë të dështosh me turp.

Ne do qëndrojmë krah studentëve në tërë rrugëtimin e tyre të arritshmërisë dhe do bëhemi gjithmonë mburoja e tyre ligjore dhe hapësira e tyre e mundësive.

Kjo është detyra jonë dhe ne jemi në detyrë!

(Autori është ministër i Arsimit, Shkencës dhe Teknologjisë)

Fjalë Kryesore:

Të ngjashme