Si duhet të bëhet zëvendësimi i ditëve të humbura të mësimit?

Prishtinë | 07 Tet 2022 | 17:59 | Nga Jusuf Thaçi

Për të gjetur zgjidhjen më të mirë për zëvendësimin e ditëve të humbura të mësimit fillimisht do të duhej t’i kishim parasysh tri gjërat në vijim:

  1. Zëvendësimi i ditëve të humbura nuk duhet të jetë ngarkesë e tepërt as për nxënësit, as për prindërit, as për mësimdhënësit dhe as për shkollat. Prandaj, nuk është mirë të punohet më shumë se një të shtunë në muaj.
  2. Nuk bën të shtohen orë mësimi shtesë gjatë ditëve të punës për dy arsye:
  • Bëhet ngarkesë e tepërt për nxënësit (sidomos të vegjlit).
  • Shtimi i një ore në ditë nënkupton çrregullim të orarit për krejt shkollat (sepse shumica e shkollave punojnë në dy ndërresa) dhe zgjatje e mësimit gati deri në darkë për nxënësit e klasave 1-5 (të cilët kanë mësim pasditeve e deri në mbrëmje).
  1. Mësimi nuk bën të mbahet në korrik për shkak të temperaturave shumë të larta, sepse pothuajse asnjë shkollë e jona nuk ka klima për ftohje nëpër klasa e pjesa dërmuese e tyre nuk kanë as perde nëpër klasa për të krijuar hije.

Prandaj, mendoj që zëvendësimi i ditëve të humbura të mësimit do duhej të bëhej si vijon:

  • 10 ditë mësimi kompensohen gjatë të shtunave (tetor 2022 – qershor 2023) vetëm nga një të shtunë në muaj (vetëm muajin e fundit mund të mbahen dy të shtuna, meqë mund të organizohen edhe aktivitete sociale e rekreative për shkak të motit të mirë).
  • 5 ditë mësimi kompensohen gjatë pushimit pranveror (siç e ka paraparë MASHTI).
  • 7 ditë mësimi kompensohen në muajin qershor (siç e ka paraparë MASHTI).

Kështu do të kompensoheshin 22 ditët e humbura të mësimit pa shkaktuar shumë telashe e ngarkesë as për nxënësit, as për prindërit, as për mësimdhënësit dhe as për shkollat.

Të ngjashme