Si i sheh Kosova partitë politike?

Prishtinë | 09 Dhj 2016 | 09:07 | Nga Baton Haxhiu

Klan Kosova ka bërë një hulumtim të opinionit, që ka përfshirë të gjitha aspektet. Ka analizuar gjendjen politike dhe sociale. Njëkohësisht, ka analizuar partitë politike dhe liderët e saj, bazuar në përgjigjen e dhënë nga qytetarët…

Hulumtimi ka analizuar gjendjen politike dhe sociale. Njëkohësisht, ka analizuar partitë politike dhe liderët e saj, bazuar në përgjigjen e dhënë nga qytetarët. Për disa ditë po ju sjellim, në vazhdim, analizën politike të partive, dhe ndoshta edhe profilin politik të liderëve. Pa i komentuar rezultatet e dala nga hulumtimi. Të cilat, dorën në zemer, janë shumë interesante.

Lidhja Demokratike e Kosovës qysh nga Nëntori 2007 ka qenë pjesë e dy mandateve qeverisëse. Në qeverinë e parë – duke marrë parasysh edhe rrethnat komplekse të pas-pavarësisë – LDK ka pasur një rol sekondar në ekzektuiv. Përkundër të qenurit në pushtet, qysh nga momenti kur ajo për herë të parë figuron si subjekti i dytë nacional, LDK numëron sfida të konsiderueshme në rikonsolidim të sërishëm elektoral.

Po ashtu – edhe pas prishjes me PDK – LDK ka pasur probleme serioze me performancë opozitare. Megjithëse koalicioni i atëhershëm qeverisës (PDK-AKR) ka qenë tepër i brishtë në forcë politike.

Zhvillimi elektoral i LDK ndërkohë ka qenë minimal – nga 172.552 (2010) në 184.594 (2014). Sidoqoftë, për shkak të rrethanave të krijuara në situatën post-elektorale të 2014, LDK bëhet prap pjesë e qeverisë qëndrore me një përfaqsim të konsiderueshëm politik, përfshirë postin e kryeministrit.

Megjithatë, përkundër faktit që LDK menaxhon me Ministrinë e Punëve të Brendshme, Ministrinë e Financave, Ministrinë e Zhvillimit Ekonomik, dhe një pjesë tjetër të dikastereve qeveritare, ajo ende nuk figuron konform mundësive të saj politike në parametra elektoral. Hulumtimi aktual tregon që LDK është në rënie relative elektorale në nivel qëndror, qëndron në stagnim elektoral në nivel komunal dhe lidershipi i saj përgjithësisht është në njëfar krize sa i përket reputacionit publik. LDK – mes tjerash – gjendet në këtë situatë për shkak të dy faktorëve qëndrorë.

Së pari, nga aspekti organizativ, LDK duket se nuk i ka konsumuar në tërësi mundësitë e saj reformiste. Tranzicioni Sejdiu-Mustafa – përkundër entuziasmit fillestarë – nuk ka rezultuar në ndonjë progres të dallueshëm politik apo elektoral.

Përkundër kësaj, ndryshimi përkatës në lidership duket se ka kontribuar mjaftueshëm për të parandaluar rënien e mëtutjeshme të LDK. Por, LDK tash gjendet në një situatë tjetër dhe ambicia e saj duhet të jetë politikisht më e lartë.

Zhvillimi i mundshëm i saj – mes tjerash – varet prej tre faktorëve elementarë organizativ:

1) mandati i ardhshëm partiak i kryetarit ekzistues: duke pasur në konsideratë, nga njëra anë, rënien e përgjithshme elektorale të partisë, reputacionin e kontestuar të liderit dhe një gjenerate politike me ndikim të madh politik brenda saj dhe, nga ana tjetër, shfaqjen e trendeve elektorale drejt projekteve më reformative dhe figurave të reja në politikë, lideri aktual i LDK-së duket që nuk mund të jetë udhëheqësi më i përshtatshëm në këtë ndërmarrje.

Por ndryshimi i mundëshëm assesi nuk garanton zhvillim në vetëvete. Përkundrazi. Duket që gjithçka (të paktën, në masë të madhe) varet nga figura e liderit të ardhshëm dhe preferencave elektorale sikurse janë paraqitur në këtë hulumtim;

2) rigjenerimi i kuadrove ekzistues: LDK – në vazhdimësi – ka pasur probleme serioze me gjenerim të një kuadri të ri politik dhe të mirë-prezantuar nga brenda. Ajo, në masë të madhe, është udhëhequr nga gjenerata historike e saj dhe pa ndonjë diskurs cilësisht të dallueshëm politik. Grupacioni i deputetëve të rinj në legjislaturë të fundit, ndonëse ka mundur të luaj një kontribut me rendësi në reformë dhe ngritje të LDK-së, është margjinalizuar ndjeshëm duke e vendosur atë në një ‘mbyllje hermetike’ organizative.

Faktorizimi i figurave të reja politike – sipas rezultateve të këtij hulumtimi – duket të jetë ndërmarrje e paevitueshme për LDK-në në përgjithësi;

3) strukturimi dhe degëzimi i brendshëm: ndonëse të qenurit në pushtet ka kontribuuar tek stabilizimi i brendshëm i strukturave të LDK-së, rezultati i këtij hulumtimi tregon që ajo vazhdon të jetë e kontestuar në nivele të ndryshme komunale.

Hulumtimi aktual nuk ofron ndonjë rezultat tepër pozitiv për LDK-në në nivele tjera komunale. Ajo tashmë është reduktuar ndjeshëm elektoralisht në zonat e saj ‘tradicionale’ dhe nuk është duke zhvilluar kapacitete lokale konform nevojave të saj politike.

Madje – sipas këtij hulumtimi – ajo qëndron edhe në Prishtinë në një pozicion mjaft defansiv. Në këtë kuptim, reforma strukturore prej nivelit të nënkryetarëve në nivel qëndror deri tek rrjeti i degëve organizative është diçka që duhet të marrë seriozisht në të ardhmen e afërt në LDK.

Së dyti, nga aspekti politik, LDK ka pasur probleme serioze në menaxhim të qeverisë ekzsituese. Përgjatë mandatit të saj të parë, LDK nuk ka ofruar ndonjë një shembull të qëndrueshëm politik qeverisës.

Këtu, natyrisht, duhet pasur parasysh edhe një varg rrethanash objective dhe tepër të komplikuara përgjatë qeverisë të saj. Bazuar në mostrat e këtij hulumtimi – mes tjerash – qeveria e udhëhequr nga LDK numëron tre çështje kryesore:

a) Bisedimet në Bruksel: ndonëse procesi i bisedimeve me Serbinë – të ndërmjetësuara prej autoriteteve të BE-së – rezulton të jetë politikisht i paevitueshëm, LDK nuk ka arritur të përfaqëson bindshëm efektet e tyre në opinion dhe, për më shumë, veprimtaria e saj ka qenë krejtësisht minore për të ruajtur një konsensus të gjerë social për çështjet në fjalë;

b) Shëndetësia: hulumtimi aktual tregon se shëndetësia figuron si një prioritet urgjent i elektoratit kosovarë dhe njëherazi pakënaqësitë me shërbimet shëndetësore në Kosovë janë në rritje. Ndonëse ajo ka marrur drejtimin e ministrisë të shëndetësisë, puna e ministrit të LDK-së praktikisht është e padukshme. Para reformave burokratike, sfida e LDK-së është të bëjë të vërejtshme qeverisjen e saj specifikisht në fushën e shëndetësisë;

c) Ekonomia: reforma në ekonomi e iniciuar nga LDK duket të jetë komponenta më e fuqishme politike e saj. Megjithëse ajo ka qenë fillimisht hezituese në ngritje të pagave ekzistuese (e, në pritje publike kjo ka qenë e diskutueshme), reforma e inicuar prej saj ka shfaqur rezultatet e para në buxhetin e propozuar prej 2 miliard.

Sidoqoftë, pavarësisht veprimtarisë të saj konkrete, pakënaqësia me situatën ekonomike në Kosovë mbetet skajshmërisht e lartë. Duke pasur mirëkuptim për kufizimet strukturore, LDK-së, po ashtu, i mungon komunikimi i konsoliduar me publik dhe sqarimi real i rrethanave ekzistuese në Kosovë.

Sidoqoftë, për ta ruajtur këtë rol (duke shmangur rënien) dhe për tu rikthyer tërësisht e konsoliduar në aspekt elektoral (për tu bërë partia e parë), LDK ka nevojë për reforma të thella strukturore dhe diskursive. Profilizimi i mëtejmë politik, reforma kadrovike dhe ri-organizimi i përgjithshëm janë faktorë të pashmangshëm në reformën eventuale të LDK-së.

Thënë SHKURT, sa i përket temave madhore politike, situata aktuale me LDK-në konsiston në dy elemente kryesore:

Zgjidhja Emergjence e Krizës Ekzistuese: Për mëse një vjet Kosova mbetet e involvuar në një krizë – me episoda paralize – institucionale. Përveç motiveve tjera opozitare, preteksti formal për këtë situatë është i lidhur me dy faktorë:

Bisedimet në Bruksel: ashtu sikurse është nënvizuar tashmë, procesi i bisedave në Bruksel është i pakthyeshëm dhe i paalternativë. Arritja e marrëveshjeve të atjeshme – përjashto disa aspekte anësore – është e paevitueshme.

Ndonëse LDK është pjesë e një projekti nacional, puna e saj publike nuk ka qenë e arsyetuar qëndrueshëm (personat më aktiv publik në këtë drejtim kanë reflektuar mungesë të skajme të kompetencës) dhe nuk ka qenë aspak transparente (formati i komunikimit të ekipit përkatës punues është tepër i mbyllur dhe përjashtues).

Kësisoj, problemi nuk qëndron vetëm tek procesi sikur i tillë, por tek menaxhimi i LDK-së për situatën në fjalë;

Demarkacioni: sipas dokumenteve juridike, brenda të cilave është rregulluar çështja në fjalë, demarkacioni rezulton të jetë teknikisht i saktë. Fundja, i këtillë ka qenë vlerësimi i Departamentit të Shtetit dhe komisionit ndërkombëtarë për vlerësim të formuar nga Presidentja e atëhershme.

Modeli ekzistues i demarkacionit kufitarë me Malin e Zi ka qenë shkaktarë i një polarizimi të paprecedentë politik në Kosovë. Kontestimi radikal nuk ka ardhur vetëm nga opozita por edhe prej vetë faktorëve të brendshëm politik. Pavarësisht gjithë parregullsive të aktorëve tjerë, LDK ka qenë jomjaftueshëm transparente dhe informative në këtë proces.

Së fundmi, si pasojë direkte e pamundësisë për të zgjedhur këtë demarkimin e vijës kufitare, Kosova ka mbetur edhe pa liberalizim vizash. Kështu, kriza politike në Kosovë është duke prodhuar pasoja të vazhdueshme negative nacionale. Në këtë kuptim, LDK ose duhet të konsolidon fuqinë e saj dhe të procedon politikish përpara, ose të vazhdon në zgjedhje si mekanizëm për të testuar legjitimitetin politik.

LDK – vazhdimisht – është vetëkualifikuar si formacion politike i intelektualëve. Përkundër titujve të shumtë politik, LDK tashmë ka shfaqur shenja serioze të konsumimit politik publik. Në këtë pikë, dy elemente janë të rëndësishme:

Në aspektin teknokratik, LDK, në qeverinë e fundit, ka demonstruar rezultate më të larta sesa në vlerësim publik. Nëse ndonjë aspekt i qeverisë të saj është i dallueshëm, atëherë ai është puna ekonomike dhe financiare e LDK-së.

Opinioni është skajshmërisht i pakënaqur jo vetëm me gjendjen e përgjithshme ekonomike, por ai mbetet tepër i pakënaqur me punën e qeverisë Mustafa në veçanti.

Në aspektin publik, kjo situatë tregon që LDK ka probleme serioze në komunikim të artikuluar dhe bindës me publikun. Qendrueshmëria në publik i LDK-së aktualisht qëndron në nivelet më ulëta të vlerësimit publik. Momentalisht, LDK është faktorë kryesorë qeverisës por ajo nuk ka një kauzë mobilizuese publike.

Kauza e përgjithshme “rugoviste” – sipas indikatorëve nga terreni – nuk paraqet tutje ndonjë forcë të madhe mobilizuese në shoqërinë kosovare. LDK, në këto rrethana, paralelisht me faktorizimin e një gjenerate të re politike, duhet të zhvillon një frymë, profil dhe kauzë politike për të shtyrë përpara prospektet politike të saj.

Në këtë kuptim, edhe pse politikisht LDK vazhdon të jetë në qeverisje, ajo qëndron pëpara sfidave të shumta politike dhe nevojave për reforma konkrete, në mënyrë të që ruaj dhe eventualisht zhvillojë fuqinë e saj politike nacionale.

Ndonëse LDK qëndron në avantazh të dukshëm publik sa i përket dëmtimeve të mundshme prej ‘dhomave të specializuara’, fondi ekzistues i personaliteteve të saj publike është tepër i diskutueshëm në gjykim publik. Mes autoriteteve tjera, kjo duket veçanërisht e vërejtshme tek reputacioni publik i Kryeministrit Mustafa.

Në këtë kuptim, LDK shfaqet me mundësi të kufizuara për të kapitalizuar elektoralisht situatën në fjalë. Natyrisht, duke përcjellë valët e reja të proceseve përkatëse, shumëçka prej perceptimeve ekzistuese mund të ndryshon rrënjësisht. Sidoqoftë, kjo nuk do të thotë që LDK nuk duhet të alarmohet nga perceptimi aktual publik lidhur me lidershipin e saj.

Rinovizimi kuadrovik i LDK-së është parakusht edhe për themelim të partneriteteve politike në Kosovë.

Situata politike post-VLAN ka qenë me benefite të menjëhershme por edhe me mundësi të shkaktimit të problemeve afatgjate për LDK: nga njera anë, ajo ka krijuar mundësi që LDK të merr përsipër resorët më të rëndësishëm qeveritarë.

Ky potez politik i LDK ka shkaktuar një iritim të përgjithshëm tek ish-partnerët e saj politik. Kësisoj, LDK, me lidershipin dhe qasjen ekzistuese, përkundër avantazheve të spikatura përgjatë këtij hulumtimi, qëndron në një pozicion të pavolitshëm sa i përket marrëdhënieve publike në përgjithësi dhe partneriteteve politike në veçanti.

Në këtë kuptim, sipas indikatorëve empirik të këtij hulumtimi, LDK duhet të ndërmarrë një varg reformash kuadrovike të brendshme dhe sërë masash për përmirësim të imazhit të saj të jashtëm.

Hulumtimi aktual tregon që pakënaqësinë e përgjithshme me koalicionin PDK-LDK elektoralisht më tepër e ka paguar LDK-ja sesa PDK-ja. Përkundër faktit që ajo ka ruajtur rendin e dytë në skemë nacionale elektorale, LDK është në rënie të vazhdueshme duke pasur diferencë të ngushtë ndaj VV-së. Kësisoj – ndryshe nga PDK – LDK nuk mban garanci politike dhe elektorale se do të jetë pjesë e qeverisë të ardhshme. Ndryshimi i menjëhershëm i qasjes politike – mes tjerash, në bazë të indikatorëve të mbuluar nga ky hulumtim – është nevojë imanente e LDK-së. Seria e faktorëve të lartë shënuar – elektoral, politik dhe organizativ – në fund duket se e ka sjellë LDK-në në këtë situatë:

Tek LDK – ndryshe nga PDK – është e vërejtshme po ashtu një dallim serioz midis kapaciteteve politike dhe fuqisë elektorale. LDK është shumëfishë më e përfaqësuar politikisht në qeveri krahasuar me fuqinë e saj elektorale në terren. Kështuqë potenca aktuale elektorale e LDK-së nuk ofron një komoditet politik afatgjatë. Nëse vazhdon me këtë trend zhvillimor, LDK vijon ciklin e tretë zgjedhorë në një stadium prej 180.000 votash. Një shumë e kësisojtë elektorale duket se nuk i përmbushë ambiciet e saj politike nacionale.

LDK është e fuqishme në institucione publike por elektoralisht është në dekompozim e sipër. Kjo nuk është e dukshme vetëm tek pozicioni i saj i përgjithshëm nacional. Kjo bëhet specifikisht e dukshme tek nivelet më të ulëta të organizimit politik – nga domeni komunal deri tek rrjeti i strukturave të partisë. Nëse LDK, edhe përkundër ndarjes të brendshme dhe sfidave tjera politike, ka vazhduar të funksionoi si një strukturë stabile politike me inercion – sikur partia më e madhe politike prej të 90-ave dhe me një kauzë fuqishme historike – tutje, ajo është në sfidë të rikuperimit aktiv dhe rigjenerimit kadrovik. Në këtë situatë, bazuar në prirjet aktuale elektorale, perspektiva elektorale dhe politike e LDK-së duket të jetë më e diskutueshme sesa në trajtimet e pjesëtarëve të saj të brendshëm.

Duke u bazuar në perceptimin publik për performancën e saj politike dhe trendet e saj elektorale nga terreni – gjithnjë sipas referencave empirike të këtij hulumtimi – PDK qëndron në disavantazh politik dhe avantazh elektoral.

Në fund – sipas të dhënave të këtij hulumtimi – mbetet krejtësisht e qartë nevoja për reforma të thella strukturore dhe politike në LDK. Nëse në rast të PDK-së, ndryshimi Thaçi-Veseli mbartë pasoja të mundshme elektorale, në rast të LDK-së zhvillimi i prospekteve elektorale lidhet drejtpërdrejt me ndryshim të liderit të partisë.

Sikurse është konfirmuar nga hulumtimi në terren, Kryetari i LDK-së dhe Krymenistri i Kosovës, Isa Mustafa, tashmë i ka shpenzuar mundësitë e tij, edhe në terma politik edhe në terma elektoral. Rifuqizimi nacional i LDK-së kërkon një LDK ndryshe.

Fjalë Kryesore:

Të ngjashme