Si të komunikohet me qytetarë gjatë fushatës zgjedhore?!

Prishtinë | 03 Sht 2019 | 23:32 | Nga Jeton Arifi

Respektimi i privatësisë së qytetarëve gjatë komunikimit zgjedhor ndikon drejtpërdrejt në ngritjen e besueshmërisë për subjektet politike që zhvillojnë komunikim të dinjitetshëm me ta.

Tashmë që para-fushata zgjedhore jozyrtarisht ka nisur nga kandidatët potencialë për kreun e qeverisë së ardhshme, qytetarëve tanë po u jipet rasti të vlerësojnë kandidaturat e tyre, jo vetëm nga oferta konkrete për qeverisje të mirë, e cila lidhet kryesisht me drejtimin që do të marrë shteti, por edhe për nga mënyra e komunikimit që po zhvillohet drejtpërdrejt me fokus-grupe.

Korrektësia e këtij komunikimi fillon që nga sigurimi i të dhënave personale të zgjedhësve potencialë për t’i ftuar në bashkëbisedim, qoftë duke marrë shkas nga pjesëmarrja e tyre në një piknik rastësor, në një kolektiv prodhues apo edhe duke shpërndarë urime në ditën e parë të rifillimit të procesit mësimor.

Në thelb, zgjedhjet shihen kryesisht si mundësi për qytetarët që të ndikojnë te politikanët që të kenë një të ardhme më të mirë, por ato shfrytëzohen edhe si mjet, përmes të cilit, partitë politike dhe kandidatët e tyre mobilizojnë masën për t’i mbështetur ata që të bëhen zëri i tyre në kuvend.

Angazhimi i votuesve është i rëndësishëm në një demokraci të shëndoshë. Për ta arritur këtë, partitë politike dhe kandidatët zhvillojnë fushata duke përdorur mënyra të ndryshme komunikimi.

Kontaktimi i individit përmes cilësdo metodë për të promovuar synimet dhe idealet e një partie politike që të fitojë mbështetje për një parti apo kandidat, apo që të ndikojë tek individi, konsiderohet ‘marketing i drejtpërdrejtë’, aplikimi i të cilit është i rregulluar me ligj.

Veprimet e një partie politike shihen me kujdes nga publiku, mediumet, KQZ dhe jo vetëm. Nuk është vetëm në interesin e partive politike që të veprojnë ligjshëm, veçse ato duhet të kenë respekt edhe për privatësinë e individëve që kërkojnë t’i përfaqësojnë, duke i trajtuar ata në mënyrë të drejtë.

Fundja, trajtimi dinjitoz i qytetarit në cilësinë e zgjedhësit nga ana e subjekteve politike, për sa i përket mënyrës së komunikimit që zhvillojnë me individë apo grupe qytetarësh, ndikon drejtpërdrejt në ngritjen e besueshmërisë te ta.

Përveç premtimeve e shpalosjes së vizionit të tyre qeverisës, deputetët mund ta kthejnë besimin e zgjedhësve edhe me mënyrën se si komunikojnë me ta, duke filluar nga vet sigurimi i ligjshëm i të dhënave kontaktuese dhe adresimi i porosive promovuese.

Kandidatët për deputetë nuk duhen shfrytëzuar të dhënat kontaktuese të marrura gjatë kryerjes së funksionit të tyre paraprak për marketing të drejtpërdrejtë, përveç në rastet kur janë të sigurtë që zgjedhësit në fjalë do ta prisnin kontaktimin prej tyre dhe nuk do të kundërshtonin.

Për më tepër, subjektet politike duhet ta respektojnë çfarëdo kërkesë me shkrim që e pranojnë nga ndonjë individ për të mos i dërguar materiale promocionale apo për të mos përpunuar të dhënat e tyre për qëllime të marketingut të drejtpërdrejtë (politik).

Nëse përdorin informata personale, siç është emri, adresa dhe çfarëdo informate që kanë rreth parapëlqimeve të një individi, për të promovuar një parti politike, duke u dërguar porosi promocionale me postë (elektronike), do t’u duhet të sigurohen që t’i përpunojnë të dhënat e tyre personale në mënyrë të drejtë dhe në të shumtën e rasteve të respektojnë ndonjë kërkesë eventuale për të mos pranuar informacione prej tyre.

Në të gjitha komunikimet e tilla duhet ta identifikojnë veten dhe ta ofrojnë një adresë, të cilën qytetarët mund ta përdorin për ta kundërshtuar atë dhe për të kërkuar që të mos komunikojnë më me ta.

Më poshtë po shkoqis disa këshilla praktike që do të mund të aplikoheshin nga subjektet politike në raport me qytetarët gjatë fushatës elektorale:

Bëhuni transparentë rreth shfrytëzimit të të dhënave të qytetarëve dhe respektoni preferencat e tyre;
Përdorni ato vetëm në mënyra të përshtatshme me qëllimet, për të cilat, ju apo pala e tretë ofruese e ka informuar subjektin e të dhënave;
Mos mblidhni më shumë të dhëna sesa ju duhen për qëllimin që ia keni treguar qytetarit;
Sigurohuni që të mos i mbani të dhënat më gjatë sesa është e nevojshme për ti arritur ato qëllime;
Mbani të dhënat të sigurta dhe fshini apo shkatërroni ato në mënyrë të sigurtë, pasi të kenë shërbyer për qëllimin e caktuar;
Respektoni të drejtat e individit për qasje në të dhënat e tyre personale që ju i mbani dhe të drejtën për të kundërshtuar shfrytëzimin e tyre nga ana e juaj.

(Autori është drejtor në Agjencinë për Informim dhe Privatësi)

Të ngjashme