Skenari i errët se si mund të zhbëhet shteti ynë

Prishtinë | 10 Sht 2021 | 14:22 | Nga Milazim Krasniqi

Nëse zhvlerësohet pesha shtetndërtuese e UÇK-së, nëse dënohen drejtuesit e saj, pashmangshëm në atë pako do të inkriminohet edhe NAT0, për lidhjet e saj me UÇK-në dhe për bombardimet kundër Jugosllavisë.

Në atë rast, NATO do të gjendej nën breshërinë e sulmeve të opinionit publik dhe të distancimit prej saj të qeverive populiste të shteteve anëtarë të NATO-s.

Për pasojë, NATO do të shtrëngohej të rishikonte/suprimonte Marrëveshjen Tekniko-Ushtarake të Kumanovës, e cila i ka detyruar forcat serbe të largohen nga Kosova. Pas një veprimi të atillë, në K.S. të OKB-së do të kërkohej të bëhej riafirmimi i rezolutës 1244, ku Kosova trajtohet si pjesë e ish Jugosllavisë.

Rrjedhimisht, me atë gjë do të bëhej edhe hapja e procesit të kontrolluar të rikthimit të personelit të ushtrisë serbe në pikat kufitare të Kosovës, siç parashihte rezoluta 1244. Ky do të ishte fillimi i shpërbërjes së Kosovës si shtet.

P.S. Ata që kujtojnë se ndryshimet tronditëse nuk janë të mundshme, le të kenë para sysh ndryshimin e qëndrimit të SHBA-së ndaj talebanëve. Kur ka ndodhë ndryshimi i qëndrimit ndaj talebanëve, ndryshimi i qëndrimit ndaj qeverisë serbe është shumë më i lehtë, politikisht, kulturalisht dhe gjeopolitikisht. Vetëm duhet një Serbi që shpall orientimin e saj atlantik. Ata që kanë pak më shumë dije, e dinë se dy shtetet sponsore të pavarësisë së Shqipërisë, Austro-Hungaria dhe Italia, vetëm tre vjet pas proklamimit të Shqipërisë si shtet, e kanë minuar dhe më vonë e kanë pushtuar vetë.

(Kujtoni Traktatin e Fshehtë të Londrës (1915), pushtimin austriak të Shkodrës (1916), Marëveshjen Titoni Venizellos (1919.) Dhe kuptojeni se nuk ka aleanca të përhershme. Dhe kuptojeni se shtetin mund ta humbim, nëse padituria, ose nëse tradhtia zë vend në fronin e politikës shtetërore.

Të ngjashme