Sot ndryshimi e ka emrin Ramush Haradinaj

Prishtinë | 31 Kor 2017 | 00:22 | Nga Muharrem Nitaj

Kur Ramush Haradinaj, ishte përcaktuar ta çonte PDK-në dhe Hashim Thaçin në opozitë, për çfarë kishte lidhur marrëveshje për ndryshim të nënshkruar me Kurtin e Mustafën (VLAN), pikërisht ky i fundit natën vonë, lidhi marrëveshje me Thaçin dhe PDK-në. Dmth Isa Mustafa e kishte “tradhtuar“ një marrëveshje për ndryshim, prandaj ai që nga atëherë, sikur e ka humbur të drejtën të flasë për çfarëdo qeverie të ndryshimit në këtë vend.

Sikur PDK-ja të mos e rrëzonte Isa Mustafën nga pushteti, ai akoma do të ishte kryetar qeverie dhe do të qeveriste (siç po qeverisë edhe për ndonjë ditë) me PDK-në, të cilën nuk e do në asnjë kombinim tjetër qeverisës përpos me të. Prandaj Isa Mustafa nuk mund të thotë së e ka shqetësimin e qeverisë së ndryshimit përpara se ta ketë pushtetin individual.

Në mars të vitit të shkuar, pikërisht AAK dhe Ramush Haradinaj, Ymerit dhe VV-së, i kishin ofruar një marrëveshje të shkruar, sipas të cilës ai (në këtë rast Kurti) e kishte mundësinë, të zgjidhte nëse donte të ishte kryeministër apo bartës i listës, propozim ky që sot do të mund të kishte rezultuar me mbi 50 për qind të votave për AAK-në dhe VV-në. Dhe ai e kolegët e tij nga VV, jo vetëm se e kanë refuzuar këtë ofertë për ndryshim të Ramush Haradinajt, por edhe janë tallur me të. Prandaj Albin Kurti sot nuk besoj të jetë personi më i përshtatshëm të flasë për një qeveri të ndryshimit.

Kjo marrëveshje, e zezë në të bardhe dhe për të parën herë në historinë e Kosovës, parashihte që edhe shoqëria civile të ishte pjesë e këtij ndryshimi. Prandaj as ata që sot vetën e cilësojnë pjesëtarë të shoqërisë civile, nuk kanë asnjë të drejtë të flasin për një qeveri të ndryshimit. Disa prej tyre që sot kanë marrë anë, të paktën do të duhej ta kishin guximin intelektual e qytetar, që t’i pranonin e t’i thonin këto fakte, se kush e inicioi ndryshimin.

Nëse ka pasur një njeri të përcaktuar për ndryshim në këtë vend, e për çfarë ka paguar çmim të lartë, edhe duke e lënë partinë e tij në opozitë për pothuaj 10 vjet, ky ishte Ramush Haradinaj.

I përcaktuar deri në dhimbje për këtë ndryshim, Ramush Haradinaj, edhe sot u ka bërë ftesë Mustafës e Ymerit, për tu takuar, për të diskutuar për këtë ndryshim, por takimi është refuzuar.
Prandaj, në situatën e krijuar, koalicioni parazgjedhor PAN, ishte e vetmja derë për ndryshim dhe ky ndryshim do të ndodhë, me ose pa kundërshtarët e tij të derisotëm.

As më pak e as më shumë, kjo është e vërteta!

Fjalë Kryesore:

Të ngjashme