Sprintieri gjeneral

Prishtinë | 27 Gus 2022 | 20:45 | Nga Artan Fuga

Më duket shumë e çuditshme kjo ideja, ky projektligji a ku e di, që një kampion në sporte, në nivel Ballkani, Evrope, Bote, bëhet automatikisht kolonel i ushtrisë dhe merr pagën e kolonelit deri në pension!

Si më duket sikur militarizon sportin dhe fiskulturon ushtrinë!

Nuk ka dyshim që sportistët tanë, kampionë duhet të marrim një shpërblim të majmë nga shteti, por nuk është parë në botë që automatikisht të gjithë kampionët, me ligj, të bëhen oficera të lartë dhe të, kenë rrogë nga shteti për të gjithë jetën.

Shpërblimi sikurse trajtimi i tyre duhet të jetë dinjitoz, jo thjesht kur e arrijnë rezultatin, por edhe përpara. Se kur shohim këta sportistë që dalin të vetmuar kampinonë, të vetmuar si Tarzanë nga xhungla, pa ekipe dhe pa klube pas tyre, të merr lemeria.

Kjo është drama e tyre dhe e çdo të riu me talent që dëshëron të merret me sporte atletike. Ku janë klubet, sa investon shteti, ku është ndihma për talentet e reja sepse ata që dalin kampion bote çdo vend na i merr po i lamë rrugëve.

Nuk është se edhe ushtria jonë e lavdishme nuk ka nevojë për kampionë. Të tillë mund të jenë të vlefshëm për stërvitjet e ushtarëve dhe sidomos të oficerëve.

Dakord.

Por, një ligj që e bën çdo kampion kolonel a gjeneral, më duket absurd!

E para, sepse nëse shteti e lidh ndihmën dhe shpërblimin e tij për kampionin me kusht që ky të vishet ushtarak, kjo i shkel atij rëndë të drejtat e tij si qytetar dhe njeri. Nëse një ditë përshëmbull do të dëshironte t’i kthehej jetës civile, pra të zhvishej, do të humbiste të gjithë shpërblimin!!!

Shpërblim me kusht, dhe çfarë kushti se!

E dyta, kjo militarizon të gjitha talentet e sukseshme. Je talent që ke arritur sukses, bëhesh kolonel do ose nuk do.

E treta, ka atletë që mund të jenë të shkëlqyer Por mund të ketë pacifistë, ose që nuk duan të qendrojnë në Shqipëri për disa vite, që mund të mos kenë arsimin e duhur për të qenë ushtarak, si mund të bëhen automatikisht njerëz me uniforma.

Po marr një shembull kot: Një kampion për një gabim të dikurshëm ka bërë ca muaj burg. Kjo nuk e pengon të bëhet kampion, por kolonel sikur nuk bëhet dot!

Ndërkaq, e thamë, atleti gjigand, apo gjigande, meritojnë shpërblime që mund të llogariten si të majme, dinjitoze, por në parim nuk mund të marrin rrogë koloneli a rreshterri për gjithë jetën, pa punë, por thjesht për një sukses që kanë arritur dikur. Kjo nuk është në përputhje as me kushtetutën as me moralin njerëzor, nuk vlen as si shembull për të rinjtë. Përkundrazi u thotë atyre që po arrite një ditë sukses në jetë, atëhere mund të flesh gjumë gjithë jetën, se të bëjnë deputet, kolonel, nëpunës, kryetar partie dhe aty mund të plakesh deri në fund, pastaj edhe të marrëdhe pensionin që të del prej andej.

Pse të militarizohet merita!

Pse të lidhet shpërblimi i suksesit të madh me emërimin në nëpunësi shteti, për një vend pune që nuk ka të bëjë fare me aftësitë e tua për atë punë.

Se psh. mund të jesh ruajtës i mirë i kutive të votimit, trafikant votash, por kjo meritë nuk ka lidhje me aftësinë për të qenë drejtor drejtorie, shef departamenti, nënkryetar bashkie, etj.

Një atlet i shkëlqyer jo medoemos është një kolonel, kapiten, a kapterr i mirë.

Kjo më kujton kohën e ushtrisë të gjeneral Beqirit, Petritit, që kur shihnin ndonjë sulmues të mirë, a ndonjë basketbollist të hajrit, çfarë të bënin të shkretët, i çonin magaziniera ushtrie në ndonjë repart ushtarak.

Kot sa për të marrë rrogën!

Shpërblim dhe trajtime të mira për kampionët tanë, por që çdo atlet, ngritës peshe, boksier, hedhës shtize, etj., të bëhet kolonel – kjo do të thotë t’u shkelësh të drejtat e tyre qytetare!

Si shumë simbole militarizuese propagandohen këto kohët e fundit! Eshtë bërë vërtetë shqetësuese!

Të ngjashme