Stop politikës së dyfishtë

Prishtinë | 28 Shk 2022 | 10:28 | Nga Afrim Kasolli

Skenat e turpshme dje në stadiumin e Beogradit, deri sa po luhej ndeshja ndërmjet Crvena Zvezda-s dhe Partizanit, ku huliganët serbë e inskenuan një shfaqje morbide në formën e varrezës masive për qytetarët e Ukrainës, mund të jenë të nxitura dhe orkestruara nga epigoni i Sheshelit, presidenti aktual, Aleksandër Vuçiq.

Në këtë mënyrë, ai pretendon të justifikohet para diplomatëve perëndimorë se pse ai nuk guxoi të solidarizohet me vendet demokratike kundër invasionit të Rusisë në Ukrainë. Sepse, me këtë akt do t’u kundërvihej sentimenteve publike pro-ruse në Serbi. Dhe kështu ta vazhdojë lojën e pistë që edhe të vjel fonde nga BE-ja dhe ta shndërrojë Serbinë në “parajsë të sigurt” për planet destabilizuese të Kremlinit në rajon.

Mirëpo, nëse vendet perëndimore e kanë njëmend stopimin e kësaj politike skizofrenike të Beogradit, tashmë e kanë shansin ideal për ta jetësuar këtë projekt.

Hapi i parë në këtë drejtim është ndryshimi i formatit të dialogut që është zhvilluar deri më tani ndërmjet Prishtinës dhe Beogradit, nën përkujdesjen e BE-së.

Brukseli duhet ta ndalë presionin mbi palën Kosovare për kompromise të vazhdueshme me Serbinë me shpresën se do të mund ta largojë këtë të fundit nga orbita ruse. Sepse, në këtë mënyrë u dëshmua se Serbia s’po arrin të divorcohet nga Moska. Kurse, në anën tjetër, me këtë qasje asimetrike, po dëmtohet Kosova nga brenda, një vend aleat i perëndimit dhe në mënyrë të vetëdijshme apo të pavetëdijshme po shtohen levat e Rusisë në rajon dhe mundësitë e saj për minim të stabilitetit dhe konsolidim të demokracisë.

Të ngjashme